Mërgimi (hixhreti)

Në shumë pasazhe të Kuranit, përmendet një aktivitet i bazuar në trekëndëshin besim- xhihad-mërgim, duke folur me elozhe për njerëzit që e kanë mbështetur jetën në një themel të tillë. (Bekare, 218; Enfal, 72, 74, 75; Tevbe, 20). Të tillë njerëz janë besimtarë që shpresojnë në mëshirën dhe mirësinë e Zotit dhe gëzojnë një pozitë të nderuar para Tij.

Besimi, mërgimi dhe përpjekja në rrugën e Zotit janë në një farë sensi mënyra e jetesës e çdo njeriu me ideale të larta. Është pikërisht ky trekëndësh ai që i ka dhënë drejtim historisë dhe jetës së njerëzimit. Dhe Fethullah Gylen e trajton mërgimin pikërisht nga ky aspekt i tërësishëm. Sipas Gylenit, njeriu është vazhdimisht në mërgim. Ky mërgim nis te çdo individ me transferimin e tij nga bota e shpirtrave në barkun e nënës, vazhdon që andej në fëmijërinë e tij në këtë botë, në kalimin nga mosha në moshë, te plakja e pastaj vdekja, duke u zgjatur që andej gjer në botën e përtejme.

Sikur ndodh me diellin; qëllimi i krijimit të tij është ndriçimi e ngrohtësia dhe askujt nuk i lind nevoja të pyesë përse dielli ngroh, apo përse ai ndriçon, për më tepër ngrohja e ndriçimi priten natyrshëm prej tij. Kështu edhe me njeriun, i cili ka një pozitë shumë të veçantë ndërmjet krijesave të tjera; është më se e natyrshme për të t’i përkushtohet një ideali sublim dhe të vrapojë pas tij, të ndriçojë mendjen me dije dhe shpirtin me besim dhe dritën e besimit që mban në zemër të mundohet t’ia përçojë edhe të tjerëve. Veçse kjo gjë mund të ndodhë me njerëzit që e përdorin vullnetin e tyre në rrugë të drejtë, nuk e humbin natyrën e pastër të qenies së tyre, ruajnë thelbin e tyre njerëzor dhe nuk bëhen pre e paragjykimeve dhe kushtëzimeve të këqija. Sipas Gylenit, ajo shpërngulje, ai mërgim i obligueshëm për çdo njeri, nis pikërisht në këtë pikë. “Në çdo lëvizje të njeriut ka një nuancë të hixhretit-mërgimit. Shpërngulja e tij nga gjendja ku ndodhet në atë ku i duhet të ndodhet, nga pasiviteti e rrëmuja drejt aktivitetit e sistemimit, lartësimi i shpirtit të tij drejt përjetimit, duke i shpëtuar atmosferës mbytëse të mijëra mëkateve, rinovimi i vetvetes duke i ikur kalbëzimit dhe prishjes janë lëvizje që kanë në thelb sensin e mërgimit. (Sizinti, Tetor 1985).

Rrjedhimisht jeta e njeriut është e përshkuar prej fillimit në fund nga nuancat e mërgimit, mungesa e të cilit e pasivizon individin duke e kthyer në një qenie që mund të kalbëzohet e të humbë vetveten, duke humbur gjithashtu edhe pozitën e lartë dhe vetitë dalluese që ai ka mes krijesave të tjera.

Por humanizmi i vërtetë i njeriut e ka themelin te një jetë e jetuar siç e meriton nderi i të qenurit njeri. Njerëzit që janë të ndërgjegjshëm për këtë mënyrë jetese, e përjetojnë këtë mërgim e shpërngulje vazhdimisht në vetveten e tyre, duke i vënë në lëvizje edhe ata që kanë rreth vetes, sikurse një trup i lëvizshëm që vë në lëvizje gjithë ç’prek. Ndaj dhe të tillë njerëz kanë shumë kritere të përbashkëta në jetën e tyre, të tilla si: Besim e dashuri, pastaj pathyeshmëri përballë gabimeve e shkatërrimeve që kanë përfshirë masat. E pas kësaj, nëse është e nevojshme për lumturinë e mirëqenien e njerëzimit, sakrifikimi i atdheut e i folesë, për të dalë në kërkim të shpirtrave të tjerë të mbushur me dashuri e mirësi...

“Sipas përkufizimeve të sociologjisë, pothuajse që të gjitha qytetërimet e rruzullit janë krijuar nga grupe mërguese njerëzish. Toynbee përmend rreth njëzet e shtatë qytetërime të themeluara nga fiset që shpërnguleshin, që sinjifikon në një farë mënyre pushtetin e vazhdueshëm të mërguesve mbi tokë.” Duke përmendur këtë, Fethullah Gylen thekson rëndësinë e dy pikave në çdo rrugë dhe mënyrë që të shpërngul nga pasiviteti në aksion dhe nga vdekja në rilindje. E para nga këto është xhihad - në të dy senset e tij, i madh e i vogël; kurse e dyta është mërgimi. Ashtu sikur mes xhihadit të madh dhe atij të vogël ekziston një lidhje e pamohueshme, kështu edhe në planin individual ka një lidhje të pamohueshme mes shpërnguljes që realizohet gjatë gjithë jetës në shpirtin, zemrën, mendjen dhe botën e njeriut me mërgimin e dukshëm, atë konkretin që realizohet me shpërnguljen nga një vend në një tjetër. Njeriu që përsos botën e vet me mërgimin e brendshëm, arrin të shpëtojë pa u ndikuar edhe nga kushtëzimet e botës së jashtme. “Në një mjedis të ri, në të cilin ai do të arrijë me anë të shpërnguljes e hixhretit, do të jetë një njeri shembullor me opinionet e tij tashmë të formuara, me shpirtin e tij të sakrificës e me sjelljen e tij të mrekullueshme”. Në mjedisin e ri në të cilin hyn, ai do ta ndiejë thellë në ndërgjegje rëndesën e idealit, për hir të të cilit gjendet atje dhe do të bëjë të pamundurën ta sistemojë jetën e vet sipas kësaj ndjenje të lartë.” (Sizinti, Qershor 1995)

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.