Përpjekjet për përhapjen e Islamit - xhihad apo kumtim
Në ditët tona, shumë principe themelore të Islamit keqinterpretohen ose keqkuptohen. Shkak për këtë janë edhe faktorët historikë, që kanë krijuar një firasje të kuptimit të mirëfilltë dhe deformim të konceptit, por edhe përpjekjet e jashtme të instancave anti-islame e të orientalistëve që i kanë kuptuar e shprehur ndryshe këto parime themelore të Islamit. Një nga parimet më të keqkuptuara e të keqinterpretuara në këtë fushë, është padyshim xhihadi. Natyrisht që mund të themi pa drojë se edhe emri i aksionit të Gylenit është xhihad. Para se të shqyrtojmë kuptimin dhe përmbajtjen e xhihadit në terminologjinë islame, do të jetë me vend të përqendrohemi te arsyeja pse Gyleni nxjerr në plan të parë xhihadin e kumtimin.
Së pari duhet të theksojmë se Fethullah Gyleni është një njeri aksioni, që në plan të parë ka identitetin e tij fetar. Ai e sheh shërbimin ndaj vendit të vet dhe ndaj njerëzimit, të lidhur ngushtë, me afirmimin e vlerave fetare dhe me përmbushjen e detyrave specifike që i janë ngarkuar individit. Prandaj është më se normale që ai të shprehet me koncepte të bazuara në besim.
Së dyti çdo shkencë e çdo profesion ka konceptet e veta specifike. Për sa kohë që këto koncepte nuk kuptohen apo zëvendësohen me të tjerë, ajo shkencë nuk mund të kuptohet, madje keqkuptohet. Bashkë me këtë, disa koncepte mund të përdoren në disa fusha të ndryshme. Pa zgjidhur kuptimin e mirëfilltë të tyre në secilën fushë dhe pa mësuar mirë domethënien e tyre specifike, as ajo fushë shkencore nuk mund të kuptohet si duhet, as ato koncepte nuk do të ruajnë kuptimin e tyre të mirëfilltë, duke u bërë shkas për një kaos konceptual. Kështu, nëse synohet një kuptim i saktë i Islamit, ai duhet paraqitur me konceptet e tij specifike, të cilat duhen shtjelluar e mësuar shumë mirë, pa i lënë vend një keqkuptimi të mundshëm. Në këtë aspekt, paraqitja e aksionit të Gylenit si një formë xhihadi e kumtimi, është më se normale, madje e pashmangshme.
Pas këtij shpjegimi të shkurtër, le të shohim se ç’kuptim ka xhihadi dhe si e vlerëson atë Fethullah Gyleni.
“Xhihadi është një emër arabisht, i rrënjës xhehd ose xhuhd, i cili shpreh një përpjekje brenda mundësive. (Fjalor i gjuhës arabe Isfahani: 101). Rrjedhimisht, xhihadi, me përkufizimin e Gylenit, është përpjekja dhe mundimi që merr parasysh dhe përballon të gjitha pengesat e vështirësitë që dalin përpara. Sërish sipas Gylenit, terminologjikisht xhihadi është përpjekja e njeriut për t’u shkrirë me vetveten e për t’i drejtuar edhe të tjerët në këtë rrugë. (İ‘lâ-yı Kelimetullah veya Cihad, 13; Lëkundjet që solli shekulli, 3:186)
Gyleni i vazhdon kështu shpjegimet e tij për xhihadin:
“Profetësia është një pozitë dhe një profesion të cilin Allahu ia jep disa njerëzve të veçantë. Detyra e misioni i tyre është të shpjegojnë Zotin e të shpallin fenë që kanë sjellë. Ky mision është rrjedhojë e profesionit të profetit. Ky profesion ka për qëllim të shpjegojë Zotin e të mësojë njerëzit si të arrijnë eternitetin duke njohur Atë dhe të kalojë sërish në ngritje e lartësim drejt Zotit. Ja kështu është krijuar njeriu, kandidat për amshim. Dhe këtë realitet sentimental e shpirtëror te njeriu e kanë përqendruar profetët, duke mbartur kuptimin e shpalljes hyjnore e duke përmbushur misionin e profetësisë. Rrjedhimisht, profesioni i profetësisë është profesioni më i bekuar, më i shenjtë pranë Zotit. Dhe misioni më i shenjtë i këtij profesioni është xhihadi. (İ‘lâ-yı Kelimetullah veya Cihad, 39-40; Lëkundjet që solli shekulli, 3:188-9)
Gyleni e përkufizon xhihadin si profesion të profetëve dhe e vlerëson qëllimin e tij si: “Shpjegimin e Zotit dhe drejtimin e njerëzimit drejt përjetësisë duke e njohur Atë”. Duke u bazuar në një hadith të Profetit, Gyleni e trajton xhihadin në dy kategori, xhihadi i madh dhe xhihadi i vogël. Trajtimi i xhihadit në këto dy kategori është edhe pika më e rëndësishme për kuptimin e saktë të brendësisë së xhihadit.
Sipas Të Dërguarit të Allahut, xhihadi i madh është xhihadi që bën njeriu me vetveten; pastrimi dhe purifikimi i shpirtit dhe përftimi i cilësive të larta që dëshiron Zoti për njeriun. Gjithashtu është kthjelltësimi i mendimit, duke kuptuar e vlerësuar më së miri faktet e Zotit dhe fjalët e Tij në Kuran, shpëtimi i intelektit nga paragjykimet e dogmat si dhe pastrimi i zemrës nga mëkatet me anë të një adhurimi të sinqertë e të ndërgjegjshëm e me vepra efikase, si agjërimi, pendimi e kufizimi i kënaqësive trupore, duke synuar në këtë mënyrë absorbimin më perfekt të Librit dhe Logjikës së Krijimit. (İ‘lâ-yı Kelimetullah veya Cihad, 19-35; Lëkundjet që solli shekulli, 3:194, 198-200)
Njeriu shndërrohet në një qenie egoiste, për sa kohë që interesohet vetëm për vetveten; ai duhet të bëjë çmos që të udhëheqë edhe të tjerët drejt qëllimit të vet sublim, pa u kursyer qoftë moralisht dhe materialisht për këtë. Ky aksion që sapo përmendëm, është xhihadi i vogël. Me pak fjalë, xhihadi i vogël është mënyra për t’iu mësuar xhihadin e madh edhe të tjerëve, përpjekja e nevojshme për t’i ftuar edhe njerëzit e tjerë në këtë rrugë. Në këtë sens, edhe mësuesi që i mëson nxënësit të vet rrugën e njerëzimit, edhe njeriu që ndërton shkollën ku realizohet ky qëllim, janë njerëz të xhihadit. Kurse njeriu që zbaton që të dyja këto forma të xhihadit, është njeriu i vërtetë. Ata njerëz që e shohin besimin si një rregullore që i duhet mësuar të tjerëve përmendësh dhe lënë pas dore xhihadin e madh për shkak të egos së tyre, në të vërtetë janë të humbur. Sepse ata as mund të jenë të sinqertë në këtë aksion të tyre, as mund të kenë sukses. Nga ana tjetër, ata njerëz që merren veç me vetveten dhe nuk veprojnë sipas principit profetik “ai që nuk kërkon për tjetrin atë që kërkon për vete…” duke mos dëshmuar as përpjekjen më të vogël për të tjerët, nuk janë veçse egoistë. Me kalimin e kohës edhe ata janë të destinuar ta humbin xhihadin e madh e të kthehen në moçalishte, duke i ngjarë ujit që nuk lëviz.
Një nga format e xhihadit të vogël është edhe ajo që realizohet në fronte, përballë armikut, gjë që është pjesë e realitetit njerëzor. Islami nuk e ka mohuar luftën, ai e ka kufizuar atë me rregulla dhe e ka piketuar drejt një qëllimi të shenjtë. Ky qëllim është ngritja e pengesave mes Zotit e njeriut, liria e individit, e ndërgjegjes dhe e preferencës së tij shpirtërore, duke përftuar kështu lirinë e besimit dhe hapjen e rrugëve që të çojnë drejt Zotit. Si përmasë reale në përmbushjen e këtij qëllimi është edhe lufta për ruajtjen dhe garantimin e të drejtave të njeriut, realizimi i drejtësisë, mbrojtja e atdheut, jetës e nderit dhe parandalimi i dhunës dhe terrorit. Në të kundërt, luftimi kthehet në dhunë e rebelim, kurse Islami e ndalon haptazi dhunën dhe keqbërjen mbi tokë.
- Publikuar më .