Vlerësimet e intelektualëve
Përveç një grupi të vogël, i cili ka paragjykimet dhe mendimet e veta ideologjike, shumica e intelektualëve turq esencialisht kanë mendime të njëjta mbi qëllimin e aksionit të Fethullah Gylenit. Për shembull, Prof. Ali Jashar Saribaj e cilëson lëvizjen e Gylenit “si një lëvizje të shoqërisë civile, e cila mund të ndihmojë përqendrimin e gjithanshëm të demokracisë në Turqi. Nacionalizmi laik bazohet në etnicitet, ndaj nuk ka funksion bashkues, po përçarës. Kurse lëvizja e Gylenit mund ta lehtësojë në mënyrë të konsiderueshme jetesën e shoqërisë në bashkim e mirëkuptim, duke bashkuar shoqërinë me anë të vlerave fetare. (Gazeta Millijet, 18/10/1995)
Taha Akjol e vlerëson Gylenin “si një vlerë të shoqërisë turke, që nxjerr në pah faktorët bashkues, jo ata përçarës të shoqërisë. Ai është njëkohësisht një faktor shumë i rëndësishëm i Turqisë demokratike e paqësore të së ardhmes, sepse ai i jep një rëndësi primare cilësisë dhe konkurrencës arsimore dhe nxjerr në pah mentalitetin studiues e kërkimor. (Millijet, 29/07/1998)
Sociologia Nilyfer Gële e cilëson lëvizjen e Fethullah Gylenit “si një modernizëm që i jep kuptim traditës duke formuar lidhje të së shkuarës me të ardhmen dhe të ardhmes me modernizmin”. Gële vazhdon kështu:
“Mendimi i Fethullah Gylenit thekson modestinë në emërtimin individual, traditën në formimin shoqëror dhe Islamin në ndërtimin e qytetërimeve. Ai është mishërimi i modestisë dhe dashamirësisë së njerëzve që nuk e kanë humbur lidhjen me Zotin dhe shembull për individët e mbetur mes rëndesës së traditës dhe shfrenimit të modernes. Ai hap një derë të re drejt vetëbesimit duke vendosur përballë vetmisë dhe arrogancës intelektuale të individit perëndimor sihariqin e një gjenerate të njerëzve të dashurisë, të cilët kanë gërshetuar kulturën fetare dhe besimin me kulturën e zemrës dhe intelektin. Për herë të parë në Turqi ne po dëshmojmë gërshetimin e mirëfilltë të tolerancës liberale me mentalitetin tradicional.” (Ergyn, 97-8)
Ali Bayramoglu e sheh lëvizjen e Gylenit si një “Lëvizje që në kundërshtim me lëvizjet islame politike, të cilat i hapin luftë traditave lokale islame, i del zot këtyre traditave dhe e komenton Islamin në perspektivën e tyre dhe në vend që të refuzojë diferencat, i hap krahët atyre dhe i pranon siç janë; lëvizje që merr jetë nga institucionet civile tipike të Anadollit, vakëfet (fondacionet) dhe zhvillohet me institucionet më moderne në mbarë botën. (Yeni Yüzyil, 08/07-13/07-26/08/1995)
“Lëvizjet fetare janë një realitet i shoqërisë dhe i demokracisë sonë. Ato kanë një rol të rëndësishëm në paqen dhe mbarëvajtjen e shoqërisë, për sa kohë që mbrojnë tolerancën dhe mirëkuptimin”, thotë Hasan Xhemal në gazetën Sabah të dt. 14/02/1995.
Emri i njohur i ekraneve në Turqi, Mehmet Ali Birand, thekson se Gyleni “na kujton se si duhet të jetë Turqia ideale, për të cilën kemi aq shumë nevojë”. Sipas gazetarit, qëllimi i Gylenit është një Turqi ku besimtari gëzon respekt të mirëfilltë, ai nuk ka absolutisht qëllime politike dhe nuk e përkrah përdorimin e besimit në arenën politike.
Pasi përmend paragjykimin që e ka shoqëruar për vite me radhë ndaj Fethullah Gylenit, Atilla Dorsaj tregon se si ka ndjekur lëvizjet e Gylenit për një kohë të gjatë dhe se është ndikuar nga qëndrimi i tij modest, nga fryma e mirëkuptimit dhe e dialogut ndërfetar që e shoqëron atë në çdo veprim e shkrim. Pastaj thekson bindjen e tij se Turqia ka shumë nevojë për urtësinë, diturinë dhe spiritualizmin e personit të Gylenit. (Yeni Yüzyil, 02/02/1997)
Gazetari Ahmet Tezxhan e shpjegon fenomenin Gylen kështu: “Ai nuk ka marrë përsipër një mision kolonizator të Islamit, përkundrazi, ai është një person që ka në plan të parë shpirtëroren, ka respekt e tolerancë për besimet e tjera, ka një zemër plot pasion dhe është mishërimi i dashurisë”. Ndërsa Xhenk Koraj thotë: “Fethullah Gyleni më sjell ndërmend një edukatë të jashtëzakonshme, një etikë të paparë, një modesti të asimiluar gjer në thelb dhe një mirëkuptim të thellë, si oqean”. (Akşam, 13/03/1998)
Ish-kryeministri i Turqisë, i ndjeri Bylent Exhevit, e cilëson Gylenin si “person që ka ndërthurur më së miri njohjet e thella teologjike me një filozofi të pasur por edhe me kulturën e mrekullueshme të artit dhe historisë. Fethullah Gyleni është personi që na ka treguar se mund të hapemi nëpër botë pa u shkëputur nga identiteti ynë kombëtar dhe mund të kemi lidhje të mira me Perëndimin duke mos lënë pas dore Azinë”, vazhdon Exheviti.
Çetin Altan shkruan kështu: “Fethullah Gylen nuk është një person që vrapon pas pushtetit dhe pasurisë së kësaj bote. Ai kërkon të jetojë Islamin në sensin e tij të vërtetë. Kështu ai manifeston një imazh me dimensione shumë të thella, me nivel shumë të lartë dhe me rendiment real për masat... Azia e Vogël shpeshherë ka nxjerrë njerëz me dimensione universale. Islami nuk bie në kundërshtim me botën reale. E rëndësishme është që njeriu të jetë njeri dhe myslimani të jetë mysliman në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Islami nuk është kurrsesi ashtu si mendojnë disa, pengesë për zhvillim e integrim. Fethullah Gylen është një person që e ka konceptuar botën me tërë realitetin e saj. Ai i ka kuptuar drejt problemet e myslimanëve dhe ka shfaqur zgjidhje konkrete e universale për ta. Nuk mund të jenë revolucionarë ata persona që ushqehen nga pasuritë e gatshme, sikurse nuk mund t’i japin drejtim as masave dhe as vetë jetës, personat që nuk prodhojnë asgjë. Bile ata as që e kanë një hall të tillë. Kurse Fethullah Gylen është një njeri që edhe prodhon, edhe nuk ushqehet nga ndonjë burim i gatshëm.
Neval Sevindi është një gazetare dhe antropologe e njohur, e cila ka zhvilluar një sërë reportazhesh me Gylenin. Ajo thekson te Gyleni “një personalitet të bazuar në dashuri e mirësi, i cili ia ka kushtuar jetën kauzës së vet, ku asketizmi është ndërthurur më së miri me një rezistencë që i ka rrënjët shumë thellë. Sipas saj, Gyleni ka besim te njeriu dhe mbron idenë se askush nuk mund të arrijë bashkëpunimin e zemrës dhe të intelektit, nëse nuk merr masa e nuk thellohet në brendësinë e tij shpirtërore. Ai thekson sintezën kulturore të Turqisë, duke nxjerrë në dritë fjalë me përmasa universale: “Nuk mund të harrohet Pascali në qiellin e larmishëm të Gazaliut, sikur nuk mund të ngrihet Mevlana në rrotullimin e tij planetar, pa përshëndetur Pastorin në laborator.”
Gyleni e sheh rinovimin e vetvetes si kushtin e vetëm të ekzistencës së vazhdueshme, vazhdon Neval Sevindi. Në botën e tij, arsimi është krah për krah me zhvillimin dhe e ardhmja është e bazuar në vlerat kulturore e ekonomike marrë së bashku. Ai propozon dinamizmin e dijes kundër padijes, punën e pasurimin kundër varfërisë dhe bashkëpunimin, dialogun e tolerancën kundër përçarjeve të brendshme e të jashtme.
“Intelektualët që nuk arrijnë të nxjerrin në pah sintezën kulturore të kombit dhe mohojnë sintezën e Osmanllive e të Selxhukëve, asnjëherë nuk mund të arrijnë dot te masat. Këta intelektualë nuk arritën dot të lënë pas krahëve mentalitetin e kolonizatorit, ndaj dhe nuk mundën të prodhojnë asnjëfarë ideologjie për aristokracinë turke në lindje dhe në rritje. Gjithmonë ata intelektualë dhe burokratë që nuk arritën dot të nxjerrin një sintezë nga historia, nga kushtet dhe kultura e këtij vendi, kanë qenë këmbëngulës në të tyren dhe diktatorë, si dhe kanë nënvleftësuar çdokënd jashtë vetes.” Shprehet Neval Sevindi dhe shton se Fethullah Gylen nuk është shabllonist, përkundrazi, ai ka nxjerrë në dritë një vlerë të jashtëzakonshme prej të gjithë materialit që ka pasur në dorë. Ai nuk e sheh shkencën si një pirg me gurë, po si një aktivitet mendor e kohor, të mjaftueshëm për të ndërtuar një ndërtesë të qëndrueshme. Gjithashtu, ai ka arritur të prodhojë më së miri sintezën e Islamit kulturor në Turqinë e sotme. (Bisedat e New Yorkut me Gylenin, Ergyn, 103-4)
- Publikuar më .