74 senatorë i kërkojnë John Kerry të mbështesë lirinë e medias në Turqi
Shtatëdhjetë e katër ligjvënës të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një letre dërguar Sekretarit të Shtetit, John Kerry, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me atë që ata e quajtën "një fyerje ndaj parimeve bazë të demokracisë" në Turqi, dhe i bënë atij thirrje që të ngrejë zërin kundër shkeljeve të lirive së shtypit me aleatin e vetëm mysliman vend anëtar të NATO-s, vend i cili ka intensifikuar masat e ashpra ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga partia në pushtet.
"Ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të thellë për shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Turqi”, - shprehen senatorët, të cilat u përkasin të dyja palëve, në letrën e tyre drejtuar Sekretarit të Shtetit, John Kerry. Ky është numri më i madh i senatorëve amerikanë që kanë nënshkruar ndonjëherë një letër në lidhje me Turqinë. Letra vjen vetëm disa javë pasi 90 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët gjithashtu i kërkuan Sekretarit të Shtetit, John Kerry, që të ngrejë zërin në mbrojtje të lirisë së medias në Turqi. Letra e përfaqësuesve të Kongresit, pasohet nga një valë masive kritikash nga politikanët dhe mediat proqeveritare turke, si dhe nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoğan, i cili i anatemoi anëtarët e Kongresit amerikan si njerëz "me qera". Mediat proqeveritare në reagimin e tyre, gjithashtu i etiketuan ligjvënësit amerikanë, nënshkrues të kësaj letre, si të korruptuar. Ndërkohë, disa prej kongresmenëve nënshkrues të letrës, refuzuan publikisht këto pretendime dhe ndërsa disa prej kongresmenëve nënshkrues të kësaj letre refuzuan publikisht këto pretendime të medias dhe kritikat “fyese” të Presidentit Erdoğan.
Letra e përfaqësuesve të Senatit amerikan pritet të shkaktojë një stuhi të ngjashme në Turqi, vetëm pak kohë para fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në muajin qershor, kur udhëheqësit turq, zakonisht, në betejën elektorale arrijnë gjer aty sa të përdorin edhe retorikën antiamerikane për të fituar popullaritet karshi kundërshtarëve të tyre politikë. Letra vë theksin në faktin se senatorët amerikanë janë të shqetësuar veçanërisht prej arrestimit të fundit dhe paraburgimin e përfaqësueve të mediave turke, si dhe prej përpjekjeve në shkallë të gjerë nga ana e qeverisë Erdoğan "për të censuruar lirinë e medias".
Ligjvënësit shprehen, se një demokraci e fortë kërkon që të gjithë anëtarët e shoqërisë të respektojnë lirinë e shprehjes, madje edhe kur zërat që kundërshtojnë qeverinë janë të shumtë. "Shpresojmë që ju do të trajtoni këtë çështje në angazhimet dhe takimet tuaja me qeverinë turke”, - insistohet në letrën drejtuar Sekretarit Kerry.
Që pas publikimit të skandalit të aferave korruptive nga ana e qeverisë në dhjetor të vitit 2013, autoritetet zyrtare turke kanë intensifikuar goditjet ndaj medias. Diçka më shumë se 10 gazetarë turq mbahen aktualisht të burgosur ose në paraburgim, përfshirë dhe drejtorin ekzekutiv të Grupit Mediatik “Samanjolu”, z. Hidajet Karaxha. Në fillim të këtij muaji, autoritetet arrestuan një tjetër kritik të spikatur të qeverisë, gazetarin Mehmet Baransu, shkrimet e të cilit, edhe në të kaluarën, të bazuara në dokumente sekrete, kanë vënë në pozitë të vështirë, si qeverinë, po ashtu dhe establishmetin ushtarak, dikur të pushtetshëm. Organizata “Reporterët pa Kufij” (RSF) në indeksin më të fundit për lirinë e medias, e ka renditur Turqinë në vendin e 149 nga 180 vende. Ndërsa “Freedom House” në raportin e saj e përshkroi Turqinë si "jo e lirë", kur është fjala për të mbështetur liritë e medias.
Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se liria e gazetarëve që veprojnë në Turqi, është një nga "shqetësimet e vazhdueshme" që Uashingtoni ka në lidhje me Turqinë. Letra e hartuar nga ana e senatorëve citon një raport nga “Human Rights Watch”, i cili nënvizon se administrata e Erdoğan ka nisur “goditjen” e zërave kritikë në mediat turke. Sipas tyre arrestimi i shkurtër i kryeredaktorit të të përditshmes “Zaman”, z. Ekrem Dumanllë dhjetorin e kaluar dhe arrestimi i Drejtorit Ekzekutiv të Grupit Mediatik “Samanjolu”, z. Hidajet Karaxha kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për qeverinë Erdoğan.
Këta pjesëtarë të medias, vijon letra, janë arrestuar dhe paraburgosur për ‘akuza të diskutueshme’.
"Për fat të keq”, - theksohet në letër, “arrestimet e z. Dumanllë dhe z. Karaxha pasqyrojnë një "model më të gjerë të abuzimit”. Senatorët i rikujtuan Sekretarit Kerry, se akuzat për korrupsion, para më shumë se një viti, i adresohen ish-ministrave, biznesmenë proqeveritare dhe madje edhe të birit të Presidentit Erdoğan.
Ndërkohë, Presidenti Erdoğan, hetimin e aferave korruptive brenda rrethit të tij të brendshëm, e ka përshkruar si një konspiracion “me lidhjet të gjera globale", që ka për qëllim rrezimin e qeverisë së tij të zgjedhur me votë. Në rrjedhën e ngjarjeve të vitit të shkuar, të gjithë të dyshuarit në hetimin për korrupsion u liruan, të gjitha akuzat ndaj tyre u rrëzuan, prokurorët që mbikqyrnin hetimin janë hequr ose emëruar në krahinat me më pak ndikim dhe oficerët e policisë që kryen operacionet u arrestuan me akuzën e një përpjekje të orkestruar për të rrëzuar qeverinë. Nga frika e kritikave, të gjithë ministrat e akuzuar në hetimin për korrupsion u pastruan në Parlament.
Në letrën e tyre drejtuar Sekretarit Kerry, senatorët nënvijzojnë gjithashtu faktin, se shumë gazetarë të shquar kanë humbur vendin e tyre të punës për shkak të qëndrimeve të tyre kritike ndaj qeverisë së z. Erdogan, si në rastin e skandalit të korrupsionit. "Këto taktika janë të papranueshme në një demokraci; një media e lirë është burimi kryesor i të drejtës për informim të plotë për qytetarët. Përpjekje e qeverisë turke për të ndëshkuar dhe censuruar median turke, është një çështje tejet shqetësuese për Shtetet e Bashkuara”, - theksohet në letër.
Një raport i fundit i Universitetit të Harvardit ka zbuluar kursin e kthetrave të shtrëngimit të qeverisë mbi mediat e pavarura në Turqi, duke pretenduar se të paktën 1.000 gazetarë humbën vendet e punës që nga protestave e vitit 2013 të lidhura me ndodhinë e “Gezi Park”-ut pranë sheshit të famshëm “Taksim” të Stambollit.
Hezitimi i Erdoğan për t’u bashkuar në një koalicion që do të luftonte Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL), retorika e tij antiperëndimore, mbështetja e një sërë organizatash islamike në të gjithë Lindjen e Mesme dhe shtypja e dhunshme e protestave të “Gezi Park”-ut, e kanë dëmtuar ndjeshëm besueshmërinë e tij në Perëndim.
Letra nga Senati vjen në një kohë kur Sekretari Kerry i është përgjigjur edhe një tjetër letre të ngjashme të nënshkruar nga 90 kongresmenë. Departamenti i Shtetit më herët është shprehur se Sekretari Kerry do të japë përgjigje për këtë letër.
"Ne ju kërkojmë vendosmërisht që ta adresoni këtë çështje me presidentin Erdoğan dhe administratën së tij, në një mënyrë që të inkurajojë një zgjidhje paqësore dhe të përshtatshme për këto raste", - theksojnë senatorët në letrën e tyre. "Një përpjekje e tillë, e gjerë nga qeveria turke për të censuruar median është një fyerje ndaj parimeve bazë të demokracisë, shoqërisë së hapur, sipërmarrjes së lirë, sundimit të ligjit dhe mundësive e barabarta".
- Publikuar më .