Ideja e Mëshirës Universale në Etikën dhe Filozofinë e Fethullah Gylenit
Civilizimi modern perëndimor e thelloi përgjatë shekullit XX edhe më shumë idenë e tjetërsisë së civilizimeve, të cilat u theksuan edhe më fort nën trysninë e faktorëve ideologjikë, socialë, historikë e sidomos religjiozë. Tjetërsia Perëndimor nga traditat Lindore ka patur vazhdimisht partizanët e flaktë për një sekularizëm fanatik të qytetërimeve, që nga Osvald Shpengleri deri te Samuel Hatingtoni.
Natyrisht trysnia e faktorëve ideologjikë si marksizmi, revolucionet, luftërat botërore, ideologjia me luftën e Ftohtë, krijuan një mjedis të tëhuajësuar civilizues në botën shpirtërore dhe fizike për njeriun e shek. XX. Njerëzimi i qytetërimit perëndimor shekel në këtë shekull të ri me një sistem bankrot vlerash shpirtërore dhe me dilema të mëdha, ashtu siç shkelte në “Tokë të shkretë” (po të citojmë titullin e njohur të poemës së T.S. Eliotit) në shekullin që sapo kaloi. Kriza humane mbi vlerat tradicionale dhe bjerrja e ndjenjave njerëzore janë sot shenjat e një civilizimi të ftohtë, cinik, i cili shpreh mospërputhjen tragjike midis realitetit fizik të njeriut me realitetin e tij shpirtëror.
Mitet e mëdha të shkencës, ateizmi dhe mbingopja, e nxorën njeriun bashkëkohor – një krijesë të gjymtuar shpirtërisht e moralisht, tepër larg nga destinacioni i tij. Kjo ftohje dhe tëhuajësim nga destini i tij, krijon edhe atmosferën e rëndë të padurimit dhe fobisë për Tjetrin, të ndryshmin, të pangjashmit, çka jo shpesh ka krijuar një premisë të pashpresë të izolimit të qytetërimeve deri në “përplasjen” e tyre, sipas Hatingtonit.
Ideja rilindëse e poetit dhe mendimtarit turk Fethullah Gylen është se njeriu duhet ribërë, ashtu siç ka dalë ai i shkatërruar nga trysnitë dhe mite moderne. Pathosi humanist i tij na bën thirrje të kthehemi edhe një herë në origjinën e çiltër të gjërave, në zanafillën e kulluar të vendosjes së marrëdhënieve të harmonishme midis njeriut dhe Zotit. Dhe ky kthim që na propozon Gyleni, ka të bëjë me ripërjetimin e traditës së të parëve tanë, të dijetarëve të urtë, deri në burimin e kulluar hyjnor të Shkrimeve të Shenjta. Suret dhe shembujt e shumtë të njeriut-model që sjell Gyleni nëpërmjet citimeve kur'anore, na ndërgjegjësojmë se në historinë njerëzore ka ndodhur një greminë. Njerëzimi i sotëm, ashtu siç endet duke u përplasur nga kontradikta në kontradiktë, duhet në radhë të parë të pastrohet nëpërmjet mësimeve të Kuranit famëlartë dhe mësimeve të tjera të shenjta si kusht i domosdoshëm i harmonisë së shpërfillur. Njeriu i sotëm, sipas Gylenit është larguar nga natyra, nga Zoti dhe nga virtytet e çiltra. Ai duhet të kërkojë shpëtimin e tij duke menduar për mëshirën, duke folur për mëshirën dhe duke e shfaqur vetveten vetëm nëpërmjet mëshirës.
Po çfarë është kjo mëshirë, çfarë presupozon ajo në pikvështrimin etik dhe filozofik të Gylenit? Unë nuk mendoj se ka të bëjë kjo me mëshirën e gjithënjohur dhe proverbiale kristiane. Koncepti i Gylenit është kategorial, është një nocion filozofik, i shfaqur nën një pasuri sinonimike me përcaktorët “tolerancë”, “dashuri”, “përvujtni”, “falje”. Duket se Gyleni kërkon që njeriu bashkëkohor – qoftë ai i traditës së civilizimit judeo-kristian, qoftë i civilizimit islam, duhet të hapë zemrën ndaj çudive dhe mrekullive të Allahut, të fitojë aftësinë e humbur, të mahnitet dhe të dashurohet me të bukurën, me fuqinë e dashurisë prekëse për krijesat e Zotit dhe veprave të tij në Natyrën e Madhe. Mëshira në pikëpamjen e Gylenit është një kategori gjithëpërfshirëse, që nënkupton një sistem estetik, dhe së këndejmi, një etikë morale. Mëshira është parë në veprën e mendimtarit si një atribut, kryesëpari, hyjnor, princip universal i botërave, diç që tejkalon nocionet e kohës dhe pafundësisë, si një akt dashurie në Krijimin e Madh të Allahut: “T'i duash krijesat për hir të Krijuesit”, citon ai poetin turk Junus Emre. Sipas këtij modeli dhe duke e ndjekur atë, arrihet përsosja e njeriut. Përndryshe, Gyleni na paralajmëron se “...në një vend ku nuk ka tolerancë, është e pamundur të flasësh për zhvillimin e mjeteve të komunikimit masiv, për mendimin e përparuar ose, për më tepër, për aktivitete kulturore që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të”. Duket se Fethullah Gyleni me këtë libër i drejtohet direkt shoqërisë shqiptare, e cila përjeton një krizë vlerash dhe një sekularizim të skajshëm të saj, kryesisht, në mospërputhjen e shpirtërores me fiziken, të mospërputhjes së kohërave, historisë, traditave, brezave dhe ndjenjës religjioze.
Kjo ide e mëshirës universale në koncepsionin e Fethullah Gylenit, ka një trajektore shpirtërore që nis nga Mëshira e Zotit për krijesat e Tij, dhe zbret në tokë, në përditshmërinë tonë, duke synuar të largojmë të keqen nga zemrat e secili. Por ky është edhe kushti themelor për marrëveshjen, për fillimin e dialogut. Njerëzit pa zemra të pastra, në vend të dialogut lindin Murin.
Ideja e tolerancës dhe Mëshirës është hapja e njerëzimit drejt rrahjes së çështjeve themelore, njohja e Tjetrit dhe respektimi i lirisë së botëkuptimit. Roli i Gylenit me lëvizjen e tij, është e vetmja kundërpërgjigje për vështrimin pesimist futuristik të historisë së njerëzimit bashkëkohor, i cili mund të zhvillojë me mendjen dhe zemrën e tij një mbretëri të harmonisë hyjnore në tokë, larg “përplasjeve” dhe konflikteve. Në fakt kjo është edhe nyja më e vështirë që ndan civilizimin tonë sot në oriental dhe oksidental apo sipas shenjash e klasifikimesh të tjera. Ideja e Gylenit mbi mirëkuptimin dhe Mëshirën i jep fund situatës së rëndë e konfuze të izolimit. Mungesa e dialogut me Tjetrin ka prodhuar dhe ka përcaktuar fatalisht një ide krejt tjetër nga e vërteta e vlerave të qytetërimit islam. Paragjykimet dhe fobitë janë ndërtuar edhe në mungesë të subversivitetit të qytetërimit islam, në mungesë të reprezantimit me të gjitha dimensionet e mahnitshme të tij në rrafshet shpirtërore, morale, kulturore etj. Në fakt ne jemi një qytetërim monoteist dhe kurrë nuk e kemi shfrytëzuar argumentin e lirë e gjykimin e kthjellët për të hetuar begatitë e rrugëve që na çojnë harmonishëm tek Zoti Një. Këtë pathos, mendimtari i shquar Fethullah Gylen, na e ofron në mënyrë delikate, prekëse e tepër të argumentuar, nëpërmjet një vepre kaq optimiste. Gyleni sikur na bën thirrje të gjithëve: Duajini krijesat e Krijuesit dhe bashkë me ta, do të shihni se të gjitha shanset e harmonisë dhe përnaltësimin, presin përpara.
Ky referat është mbajtur nga ana e shkrimtarit të mirënjohur Dr. Agron Tufa me rastin e promovimit të librit Dashuri & Tolerancë, në ambientet e Hotel Tirana më datë 14 Qershor 2006.
- Publikuar më .