Kthesa e Gabuar e Turqisë
Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, ishte në Brkusel javën e kaluar në përpjekje për të riparuar marrëdhëniet me Evropën, por vendi i parë ku duhet të shikojë për zgjidhje është vetja e tij. I përshëndetur dikur si lideri i një demokracie myslimane model, ai ka krijuar një katastrofë politike në vend, duke e transformuar Turqinë në një shtet autoritar që përbën rrezik jo vetëm për vetveten por edhe për aleatët në NATO, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Trazirat e fundit i kanë rrënjët në një luftë politike mes Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi të Erdoanit dhe ish-aleatëve të tij të ngushtë, simpatizantë të Fethullah Gylenit, një dijetar i moderuar mysliman që jeton në Pensilvani, SHBA. Tensionet shpërthyen hapur muajin e kaluar me një hetim kundër korrupsionit që solli dorëheqjen e katër ministrave të qeverisë dhe kërcënoi të kapte në grackë familjen e Erdoanit.
Kryeministri e quajti hetimin “tentativë për grusht shteti” dhe fajësoi “një organizatë të fshehtë” brenda gjyqësorit dhe policisë të drejtuar nga Lëvizja Gylen dhe që i shërbente “fuqive të huaja” si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit. Që nga ajo kohë, qeveria ndërkohë ka spastruar qindra oficerë policie dhe prokurorë dhe ka kërkuar të vendosë kontroll mbi gjyqësorin. Ajo po ashtu hartoi ligje që zgjeronin pushtetin e qeverisë për të emëruar gjyqtarë dhe prokurorë, duke shkelur më tej pavarësinë e gjyqësorit, dhe ka penguar gazetarët të raportojnë lirisht. Gjatë gjithë kësaj kohe, Erdoani ka shqiptuar pafund teori konspirative dhe retorikë zjarrvënëse, duke dhënë shenja madje edhe për një tradhti amerikane dhe duke pohuar se Ambasadori amerikan mund të dëbohet nga vendi.
Hetimi dhe reagimi i Erdoanit fare mirë mund të jenë të motivuara politikisht. Në mars ka zgjedhje të rëndësishme lokale. Por, Erdoani duhet të këmbëngulë që hetimi të jetë i drejtë dhe transparent, dhe jo të rreket ta nxjerrë nga binarët. Mënyrat e tij të pamëshirshme dhe përpjekjet për të shtypur disidentët nuk janë diçka e re, sikundër tregoi edhe shtypja e demostruesve gjatë protestave të qershorit të fundit. Veprime të tilla nëpërkëmbin reformat demokratike të kërkuara nga Bashkimi Evropian si pjesë të kërkesës së Turqisë për anëtarësim në BE, të cilat mund të jenë më në rrezik se kurrë, dhe janë gjithnjë në kundërshtim me rregullat bazë të anëtarëve të NATO-s.
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier, kishte të drejtë kur tha në Bruksel se Evropianët duhet të kërkojnë që Turqia të rikthehet kah sundimi i ligjit. Administrata Obama po ashtu nevojitet të dërgojë një mesazh të fortë lidhur me kursin e dëmshëm që po ndjek Erdoani. Nëse Turqia ushqen demokracinë e saj të fituar me mund, e cila ka kontribuuar në rritjen e saj mbresëlënëse ekonomike, apo kthehet në autoritare, është gjithaq vendimtare për stabilitetin rajonal dhe aleatët e NATO-s sa ç’është për turqit.
- Publikuar më .