Një qytetërim universal apo një shumësi veçantish kulturore e fetare?

Historia e njeriut është një varrezë e kulturave të mëdha, të cilat kanë përfunduar me katastrofa, shkaku I paaftësisë që të reagojnë ndajë provokimeve në mënyrë të planifikuar, racionale dhe në mënyrë të vullnetshme.
Erich Fromm

Abstrakt: Që në fillim do përmendja një dilemë që aktualisht po hasim gjithën e më shumë jo vetëm në qarqet akademike, por para së gjithash edhe ato politike, ekonomike, fetare e sidomos ato kulturore dhe që ka të bëjë kryesisht me proceset e reja shumë dinamike që po ndryshojnë jetërat e njerëzve, shteteve, popujve dhe kulturave të vendeve të ndryshme në gjithë globin tokësor. Por, për ne Kosovarët, në një farë mënyre ky proces i ndodhur i ndryshimeve marramendëse që deri diku reduktohet në një dilemë sa abstrakte aq edhe reale, ka filluar me faktin e hyrjes së NATO-s dhe me instalimin e Administratës së UNMIK-ut. Ky proces i ndryshimeve të shpejta, do thënë se pa dyshim ndërlidhet edhe me një ngjarje tjetër historike që i parapriu këtij invadimi të arsyeshëm, e që ka të bëjë me shpërnguljen e dhunshme të një milion shqiptarëve etnik nga trojet e veta nga ish regjimi serb. Ky fenomen unikat i ndodhur përputhet po ashtu natyrën e tendencës së re të identifikuar si globalizim[1]. Mirëpo, po qese ky kontekst i shpjegimit të “mileniumit” merret si shkak për të shpjeguar një dukuri, ideologji, apo një fenomen i cili ka ndodhë apo eventualisht do të ndodhë në të ardhmen, atëherë është e pamundur të flitet apo të prejudikohën ngjarjet, fenomenet, apo edhe ndodhitë në sferat e ndryshme të zhvillimit. E themi kështu, për arsye se natyra dhe dinamika e zhvillimit të dukurive dhe fenomeneve të sotme është aq e shpejt d.m.th. aq marramendëse, sa që është shumë vështirë të dëshmojmë me dioptrinë sociologjike se çfarë do të ndodhë në të ardhmën ?! Historia na mëson se në të kaluarën kanë ndodhur shumë ngjarje dhe ndodhi të cilat kanë lanë vragë apo gjurmë në historinë e mëpastajme Evropiane, siç janë; shfaqja e feudalizmit, mesjeta e turbulluar, zbulimi i Amerikës, sundimi i spanjollëve në Amerikë, luftërat fetare (kryqëzatat), arsimimi i shumë shteteve, zhvillimi i shkencës, revolucioni i borgjez francez, pavarësimi i shumë shteteve, paraqitja në skenë e socializmit dhe e fashizmit, pastaj rënia e murit të Berlinit, etj. Në kontekst të këtyre ngjarjeve nga mileniumi i kaluar, padyshim që ia vlen të futet këtu edhe lufta e NATOS-s (online përmes CNN-it) kundër totalitarizmit serb, si edhe kthimi i 1milion shqiptarëve në trojet e tyre pas dëbimit me dhunë nga regjimi i Beogradit,etj.

Fjalët Kyçe: globalizimi, universalizmi, rajonizimi, kriza e identitetit, qytetërimi, kultura, dialogu, toleranca, veçantitë fetare, veçantitë kulturore, moderniteti, postmoderniteti, internetit, westernizimi,

Si mund të përkufizohet tendenca kah një qytetërim i vetëm?

Bota në të cilën ne po jetojmë sot aspak nuk është statike, por është objekt I një transformimi sistematik dhe do shtonim tejet dinamik, në kuptimin se ne si njerëz me dhuntinë e mbajtje mendjes nga ana e krijuesit tonë të përbashkët, akoma i kemi të ngulitura imazhet bie fjala të kohës së fëmijërisë. Unë bie fjala, si sot e mbajë në mend kontaktin e pare me TV-n dhe kureshtjen që e kisha për ta formatizuar përvojën e mëparshme të jetës së vështirë për gjeneratën time me llamë të gaztë. Po ashtu, duke u nisur nga ajo se kemi jetuar në një sistem që e kufizonte lirinë e predikimit të fesë e sidomos lirinë e qarkullimit dhe të komunikimit me botën tjetër të zhvilluar, ku udhëtimi jashtë vendit ishte pothuajse një aventurë në vete. Ajo çka dua të them në këtë rast është se ne si individ dhe si shoqëri Ballkanase deri vonë kemi qenë të privuar të marrim informacione qoftë edhe profesionale nga vendet tjera, e sidomos nga bota perëndimore! Edhe kur kemi arritur të mësojmë diçka për ato ngjarje apo ato ndryshime, ne në fakt kemi marr vesh shumë vonë. Kështu që jeta jonë do thosha zhvillohej me një ritëm shumë të ngadalshëm dhe në kuadër të një kornize gjithsesi monotone dhe të njëtrajtshme.

Sot jemi dëshmitarë të gjithë se ka ndryshuar dhe akoma po ndryshon edhe më shpejt çdo gjë! Mobili, kompjuteri, antenat satelitore, satelitët kozmik, televizioni kabllovik, Interneti, na mundësojnë me shpejtësi marramendëse komunikimin me cilëndo pjesë të rruzullit tokësor! Thuhet se për çdo ditë në Internet hapen nga 100.000-200.000 faqe te reja! Kurse sipas disa të dhënave tjera, thuhet se vetëm në Internet janë të hapura diku rreth 500 gjerë 600 milion uebfaqe të reja!? Që dmth. se për 10 vitet e ardhshme supozohen të hapen diku rreth 400 gjer 500 miliarda uebfaqe tjera të reja që nënkupton tërësisht një situatë të re në gjithë globin?!

Kam lexuar diku se kur janë paraqitur radio stacionet e para, thuhet se janë nevojitur diku rreth 38 vjet për t‘u arritur numri prej 50 milion dëgjuesve, gjersa TV-s për të arritur këtë numër iu kanë nevojitur vetëm 13 vite: Kurse, Interneti këtë shifër e ka arritur vetëm për 4 vite! Ndërsa është llogaritur se në këtë vit 2008, ai do t’i ketë jo më pak s e 2 miliard konsumues!

Sot në këtë rrjetëzim të nevojave dhe të interesave, askush nuk mund të supozojë se i është e mjaftueshme vetë vetja, për shkak se çdo aspekt i jetës varet nga shumë individ dhe vende. Po qese, do ta bënim një eksperimentim të thjesht, do të dëshmonim se ky rrjetëzim i paparë ndonjëherë i nevojave dhe interesave të njerëzve nga viset e ndryshme të botës është esenca e botës moderne. Marrim p.sh. cilin do send apo punë me të cilin merremi për çdo ditë. Ja p.sh gazetat, për të mundur t’i lexojmë rregullisht ato është e nevojshme që dikush në malet e Zvicrës t’i prej disa lisa e mandej t’i përpunojë në formë letre dhe kjo letër më pastaj të transportohet në vise të ndryshme me trena, anija, kamionë etj. të cilët mund të jenë të Austrisë Gjermanisë, Francës, etj. Kurse për t’i prodhuar shtypshkronjat nevojitet përbërësi i hekurit, i cili vetëm Zoti e di se nga cili vend ka mundur të vijnë! Sot, po ashtu jemi dëshmitarë që shumicën e gazetave ditore mund t’i lexojmë edhe përmes internetit gjë që në mileniumin e kaluar bie fjala ishte i paimagjinueshme !? Në këtë kontekst ne mund të vazhdojmë të dëshmojmë ndërlidhjen apo rrjetëzimin e sotëm të shteteve, vendeve dhe qytetërimeve të ndryshme nga cilido cep i botës. Nëse dëshirojmë të përdorim termin apo shprehjen e cila tashmë ka filluar të imponohet disi padiktueshëm edhe në gjuhën tone sidomos nga mediet e më pak nga shkencëtarët, atëherë mund dhe duhet të themi se jetojmë në botën e cila gjendet në procesin e globalizimit apo siç e quajnë disa të westernizimit.[2] Për mendimin tim një shtytje të rëndësishme këtyre ndryshimeve u ka dhënë edhe çështja e zbulimeve të reja në dy sfera të jetës sonë të përditshme; në kompjuterizim dhe në teknologjinë e komunikimit.

Në anën tjetër, teknologjia e komunikimit i ka suspenduar të gjitha largësitë fizike, kurse në anën tjetër i ka rritë të dhënat që mund t’i kemi për njeri tjetrin, si individ, si vende, kombe apo edhe si qytetërime. Tani nuk mund të jetojmë më të izoluar nga të tjerët, ngaqë çdo ngjarje apo ndodhi kudo që të ndodhë në skaje të botës për një kohë shumë të shkurtër reflektohet në gjithë planetin tonë.

Për këtë shkak, çdo ndodhi apo çdo vendim i rëndësishëm i ndonjë personaliteti të njohur shprehet apo ndërlidhet me jetërat e njerëzve dhe regjioneve të ndryshme nëpër katër anët e ndryshme të botës. Duke e huazuar idenë e Mareshalit mbi”fshatin global” ne shlirë sot mund të themi se vetëm bashkëpunimi ndërmjet: individëve, popujve dhe sidomos qytetërimeve mund të na qojë në tolerancë, në paqe dhe në një bashkëjetesë të tillë siç thotë edhe krijuesi jonë i madhërishëm : “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete…( El-Huxhurat:13).”[3]

Fjalë këto që jam shumë i bindur do vlejnë për të gjitha kohërat dhe për të gjithë shekujt e ardhshëm deri në ditën e gjykimit!

Atëherë, çdo herë do gjendet dikush që do bëjë pyetje, përse gjithë këto vuajtje, gjithë ku diskriminim, gjithë ky segregacion e këto padrejtësi ia shkaktojmë njëri tjetrit?! Përse? Në vend që të jetojmë në paqe, tolerancë dhe në një koekzistencë ashtu siç e ka përshkruar krijuesi ynë i përbashkët.

Kujtojë që dhimbjet që i shkaktojmë njëri tjetrit herë pas herë nëpër historinë tonë të qenësimit ekzistencial, janë produkt më tepër i natyrës sonë të errët, se sa produkt i krijuesit tonë të përbashkët. Ngaqë, ai, në të gjithë librat e shenjët na mëson që të jetojmë në harmoni, paqe dhe në tolerancë me njëri tjetrin.

Tendenca kah një qytetërim i vetëm, padyshim që është synim i padiskutueshëm i globalizimit!

A ka alternativa tjera procesi i globalizimit (universalizmit)?

Nëse të gjithë parametrat e sotëm global ekonomikë, social, teknologjik, etj. flasin për një proces dhe tendencë të pa evitueshëm të globalizimit në shoqëritë aktuale, atëherë është mirë dhe parimisht domosdoshmëri që këtë rrugëtim ta funksionalizojmë me gjitha cilësitë e veçantive kulturore, fetare, e kulturore të vendeve dhe rajoneve tjera nga gjithë rruzulli tokësor. Pra jam për një globalizimi cilësorë, por jo edhe asi sasiorë dhe të imponuar ekskluzivisht vetëm nga një qytetërim i vetëm, parimisht nga kush mund të vij sot (nga ai perëndimor) apo nesër(nga ai: islam, kinez apo pse jo edhe japonez!?). Kuptohet që kyçjes së secilit nga qytetërimet e sotme në procesin e ri të globalizimit, duhet t’i paraprijë, procesi i reformimit, akomodimit dhe një ri konfigurimi të brendshëm: politik, ekonomik, social, e teknologjik në mënyrë që të ruhet cilësia dhe prania permanente e veçantive të tyre kulturore e fetare. Pra, sipas këtij prejudikimi, nuk është e mjaftueshme vetëm kyçja apo të shumtën e rasteve edhe mohimi apo refuzimi ad hoc i të mirave që sjellë procesi dhe tendenca në fjalë e globalizimit, por para së gjithash mënyra dhe kushtet në të cilat duhet të kyçemi në këtë proces?

Për mendimin tim, këtij karvani që sot ka filluar të marr dimensione tashmë të qarta dhe të prekshme signifikative sidomos në sferat e jetës: politike, sociale e sidomos ekonomike duhet t’i qasemi nga dy perspektiva preliminare.

Në njërën anë, është e mundshme që të tentohet të realizohet një qytetërim universal në të cilin të gjitha qytetërimet tjera një ditë do të bëhen pjesë e; një mënyre të vetme të menduarit, një shoqërie të vetme, e ndoshta edhe një qeverie te vetme?! Gjë që kujtojë është një absurd i llojit të vetë edhe me faktin se historia e gjertanishme e të gjitha shoqërive ka dëshmuar të kundërtën.

Në anën tjetër, është e natyrshme e padyshim edhe e logjikshme që të mendohet se një projektim i këtillë i ngjarjeve të sipërme, nuk është as realist e as i nevojshëm edhe për një shkak të thjeshtë. Se dallimet në mes identiteteve të ndryshme kulturore, etnike, racore dhe para së gjithash qytetëruese janë dëshmuar si evidente dhe aq të theksuara gjatë gjithë qenësimit të historisë së shoqërisë njerëzore sa që janë të para destinuara gjithnjë të ekzistojnë dhe të mbijetojnë.

Tekefundit, kjo edhe nuk varet edhe aq shumë nga vullneti ynë, individual, kombëtar, racor, qytetërues apo edhe qoftë ai kulturore, por jemi të bindur të gjithë kujtojë ekskluzivisht nga vullneti i krijuesit tonë të përbashkët. Thënë më thjesht, kjo e drejtë për fat nuk na është lënë neve, sepse të prirur nga pjesa e natyrës sonë Hobsiane do të bënim vetëm shkatërrime.

Por, duke shikuar kështu tendencën e procesit të globalizmit (jo globalizimit, se kanë dallime si konceptuare ashtu edhe doktrinarë!?), pra me dioptrinë e qëllimit të krijimit të një qytetërimi të vetëm, nuk dua të besojë se kjo mund të ndodhë në proceset e reja integrative që po zhvillohen aktualisht apo do të zhvillohen në të ardhmen.

Më shumë jam i prirur të besojë se kjo tendencë do qojë kah ruajtja apo konservimi i domosdoshëm i koloritit të i veçantive specifike etnike, racore, kulturore dhe qytetëruese e ndoshta edhe politike, por assesi ekonomike

Thënë më shkurt, modeli i pare do të thosha më tepër prejudikon bashkimin, unifikimin, gjersa i dyti para së gjithash prejudikon parcializimin pra respektimin e veçantive kulturore, etnike, etj. të tjerëve. Procesi i globalizimit, si alternativë mbijetuese ka shumësinë e veçantive kulturore, e fetare. Ndryshe është i destinuar të krijojë jo tolerancë, konflikte dhe si thotë Huntigton”përleshje të qytetërimeve”[4]

A është e mundur të ekzistojë vetëm një qytetërim universal?

Nisur nga thënia e më lartë Kur’anore:“O ju njerëz, vërtet …( El-Huxhurat:13).”)., kujtojë dhe shumë besojë që utopia e re për një dhe të vetmin qytetërim është e pamundur. Këtë e ilustrojë me bindjet dhe njohjet që kemi të gjithë pak a shumë mbi historitë e popujve të mëhershëm para neve, të përshkruar nëpër të gjithë librat e shenjët dhe librat e historive.

Pra, po qese ideja për një qytetërim universal, për mua dhe dua të besojë edhe për shumë kënd tjetër, na paralajmëron e besa deri diku edhe na sinjalizon ardhjen e një periudhe të atillë kohore që me gjuhën sociologjike e gjithsesi edhe atë filozofike-antropologjike identifikohet si postmoderne, i kultivon ekskluzivisht vetëm veçantitë kulturore, ato politike, etnike e sidomos veçantitë e qytetërimit të vetë duke i abstrahuar apo edhe duke i nëpërkëmbur veçantitë e qytetërimeve tjera, atëherë kujtojë që paqja, toleranca dhe mirëkuptimi ndër qytetërues do e humb definitivisht kuptimin dhe porosinë e vërtetë Biblike dhe Kuranore!

Padyshim, që do e humb edhe kuptimin e botëkuptimit të njeriut mbi këto kategori morale, fetare, e kulturore që u ndërtuan me mund dhe me sakrifica gjatë gjithë mileniumeve të qenësimit të shoqërisë njerëzore.

Kujtojë se ky Projekt i shoqërisë moderne në vetë vete fsheh një paradoks, të cilin do të thosha shumë më herët e kishte kuptuar gjeniu Zhan Zhak Ruso, kur prejudikonte se: kemi obligim të gjithë të jemi të lire!

Në fakt, për mendimin tim ne si njerëz dhe si shoqëri të civilizuara gjendemi para një paradoksi ku liria kuptimësohet si diçka që ne vetë e zgjedhim, vetë e absorbojmë, vetë e konsumojmë. Mirëpo, neve në anën tjetër po ky modernitet na thotë;;” Në emër të lirisë, ju mund të zgjidhni vetëm lirinë; jeni të obliguar të zgjidhni vetëm atë!?)” Sipas kësaj skeme, ne të gjithë kemi të drejtë të zgjedhim vetëm lirinë, e jo edhe alternativën e sajë jo lirinë, në kuadër të “standardeve të demokracisë”[5]?! Që dmth. se ne edhe në këtë kontekst jemi të kufizuar, ngaqë nuk kemi te drejt tani ta shijojmë jo lirinë?! Gjërat bëhen edhe më të vështira kur fillojmë t’i kuptojmë konceptet themelore të modernitetit në mënyrë operative. P.sh. çka është në të vërtetë liria? cilët janë kufijtë e sajë? çka është demokracia? çka janë të drejtat e njeriut?

Në suazat e paradoksit të lartë përmendur që e posedon moderniteti, do të thoshim se ai kërkon që domethëniet e ndryshme të koncepteve të tilla të interpretohen në një mënyrë të vetme.

Moderniteti apo post-moderniteti?

Pozicioni tjetër I të kuptuarit të procesit të globalizimit, kam përshtypjen se është më dinamik, në kuptimin e pranimit të dallimeve mes kulturave,grupeve,racave, bashkësive të ndryshme religjioze etj..

Këtë model, pra nuk e përbën zhdukja e veçantive të cilat do të viktimizoheshin në altarin e qytetërimit universal, por përkundrazi artikulimi i respektueshëm i dallimeve; etnike, racore, religjioze, kulturore, e edhe qytetëruese të cilat vetë vetiu janë shprehje e një lirie dhe tolerance të mirëfilltë mes popujve,shteteve dhe qytetërimeve në mbarë botën e tanishme dhe të ardhshme.

Përkundër idesë së modernitetit, e cila dosido identifikohet me format e jetës perëndimore, e cila pretendon t’i rregullojë gjitha raportet e shoqërive tjera sipas kutit të vetë, vjen reaksioni post-modernist i cili përkushtimin e ka të koncentruar në ndërtimin e një shoqërie globale, e cila e respekton identitetin e secilit civilizim tjetër kulturor. Duke lejuar , kështu që secili grupim kulturor ta kultivojë si shtet i organizuar legal vetë vetën dhe të tjerët përreth tij, siç është rasti me minoritetet. Konsiderojë që koncepti i post-modernitetit sot është duke u ndërtuar nën një lloj skepticizmi ndajë të gjitha dogmave dhe të vërtetave shoqërore të cilat në një mënyrë në të kaluarën vazhdimisht pretendonin të ishin të padiskutueshme. Post-modernizmi, fitohet përshtypja sociologjike është ndërtuar apo edhe ende po ndërtohet në një lloj dyshimi (do të thosha ndoshta edhe) shqetësues i cili i përjashton të gjitha konstruktet shoqërore që pretendojnë të bëhen të vërteta universale.

Me fjalë tjera, post-modernizmi pranon se ekzistojnë forma të ndryshme të kuptuarit të demokracisë, e me këtë edhe ndërtimin e raporteve shoqërore në forma dhe mundësi të ndryshme. Post-modernizmi, në esenë përjashton; çdo teori mbi njeriun dhe shoqërinë i cili e ngulfat krijimtarinë, çdo teori e cila veçantit dhe dallimet i trajton si diçka heretike, çdo teori e cila e dënon çfarëdo ndarje të stilit perëndimor të jetesës dhe organizimit social

I tërë ky këndvështrim i kësisoj nuk dmth. se nuk ekziston një lloj rendi global, që dmth.se e gjithë laramania e veçantive kulturore dhe atyre etnike, e religjioze, nuk është e thënën të shkrihet në kazanin e asaj që ne po e quajmë globalizim.

Historia e njerëzimit gjithnjë flet për tendencën e pa mundur të krijimit të një shoqërie universale. Në një nivel të thellë të emancipimit të njeriut liria dhe kaosi në një mënyrë i duhen apo e plotësojnë njëri tjetrin.

Po qese vendosim bie fjala për uniformitetin dhe e lëmë pas dore lirinë dhe mundësinë e zgjedhjes, një rregullim i tillë rigid kujtojë se do të mund të shndërrohej në një totalitarizëm të ri i cili herët apo vonë është i destinuar të shkatërrohet.

Por, po qese, në anën tjetër bie fjala zgjedhim vetëm lirinë e pakufizuar pa zhvillim koherent, me siguri do të gjendemi në një kaos të paparë! Dihet se kaosi është armik i lirisë, sikurse që është totalitarizmi. Për këtë shkak dialektika e rendit dhe kaosit është e pandërprerë.

  1. Teza e Fukajamës[6] (për të cilin dimë të gjithë të paktën për tezën e tij mbi:”fundin e historisë”) për mendimin tim është e paqëndrueshme edhe për shkak se ky “fundi i historisë” në një mënyrë është edhe fundi i dialektikës së gjërave në këtë botë, kjo pastaj sjellë fundin e mundësive që të zbulohet liria, e kjo më pastaj do të sillte edhe fundin e njeriut si qenie vullneti i të cilit është vullnet i krijuesit.
  2. Përkundër Fukajamës, unë mendojë se aty ku ka njerëz ka edhe liri, kurse aty ku ka liri me siguri aty do të ketë edhe kontestime politike, luftëra politike dhe ekonomike mes dinozaurëve konfesional, etnik, racor, gjinor, kulturore, e edhe qytetërues.
  3. Moderniteti i shikuar nga ky këndvështrim , do të thosha nuk mund të shënoj fundin e historisë së njëmendët. “Fundi...” Fukujamist, do thosha më tepër u adresohet fundit të ideologjive si krijesa dhe imagjinata të natyrës njerëzore, se sa proceseve politike, ekonomike, qytetëruese e kulturore që janë destinuar të mbijetojnë deri në ditën e gjykimit

Cila duhet të jetë zgjedhja e jonë?

Çështja e parë në të cilën do të duhej dhënë përgjigje në definimin e marrëdhënieve të ardhshme ndër qytetëruese për mendimin tim do ishte se: cilën nga këto dy alternativa ne si individ, shoqërorë, vende, kombe, shtete, apo qytetërime dhe kultura duhet ta zgjedhim?

Uniformitetin apo globalizmin(jo globalizimin!) apo respektimin e veçantive të secilit qytetërim. Përgjigja jonë do të ishte kjo e dyta. Shtrohet pyetja, përse? Për arsye se; qytetërimet e tanishme sipas shumë indikatorëve historik, politik, ekonomik e para së gjithash kulturorë nuk mund të heqin edhe aq lehtë nga identitetet e tyre kulturore e fetare në mënyrë që të bëhen shoqëri moderne.

Fenomen që për mendimin tim po ndodhë në formë eksperimentale me të gjitha shoqëritë postkomuniste në Evropën Juglindore, duke mos e përjashtuar këtu edhe Kosovën dhe në përgjithësi shoqërinë shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Kurse, qytetërimet[7] e sotme kryesore botërore, do të duhej t’i forconin edhe më tej dallimet dhe karakteristikat e tyre: kombëtare, fetare e sidomos ato kulturore në mënyrë që këto dallime të shërbejnë si një kapital shumë i vlefshëm këmbyes në periudhat dhe proceset të cilat i presin gjeneratat e ardhshme. Tekefundit, ne që besojmë në krijuesin tonë të përbashkët e kemi edhe për obligim ta bëjmë këtë për hir të dëshirës dhe vullnetit të Tij që të na bëjë të ndryshëm nga të gjitha gjallesat tjera që krijojë në këtë botë.

Dr. sci. Fadil Maloku, Universiteti i Prishtinës, Departamenti i Shkencave Sociale /Sociologji/, Prishtinë, Kosovë


[1] Analistët social të kohës sonë, në mënyra të ndryshme e komentojnë procesin apo fenomenin e globalizimit. Kështu p.sh., Xhyzepe Bofa në studimin e vet të titulluar pakëz sa edhe provokativ: ”Iluzioni i fundit i perëndimit- dhe fitorja ndajë komunizmit”, duke shkruar për globalizimin mes mitit dhe realitetit, thotë: ”Globalizimi është një proces i pandalshëm, të cilin kur është fjala për shtrirjen e teknologjive informative apo mjeteve moderne të komunikimit, as që duhet të mendojmë ta ndalim, ngaqë nga e tëre kjo del se njerëzit kanë të drejtë të zgjedhin atë që ata mendojnë se është më së miri për ta, për qeverinë dhe për shoqërinë e tyre në përgjithësi. Ai, po ashtu, flet edhe për pasojat negative të procesit të globalizimit apo zhvillimit neoliberal të kapitalizmit, duke numëruar, mes tjerash, rritjen marramendëse të papunëve, dallimet sociale, krimin e organizuar, problemet ekologjike, etj. Shiko, Xh.Bofa, Posljednja Iluzija, Nis, ”Prosveta”, 1998, fq. 170-185.

[2] Westernizimi apo perëndizimi, ka të bëjë me sistemin vlerorë të perëndimit, pra sistemin e sotëm të jetesës, punës dinamike dhe të konkurrencës së pa mëshirshme deri në ekstrem!

[3] Kur’an-i , Përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Përktheu dhe komentoi H.Sherif Ahmeti

[4] Samuel Huntigton, Përleshja e civilizimeve”, Prishtinë, botoi shtëpia Botuese Zenith, Podujevë, 2006

[5] Bulaç Ali, Islami dhe Demokracia, (Kapitulli: Standardet e Demokracisë), Logos-A, Shkup, 1419/1998. fq. 35-84

[6] Fukajama, Frensis, The end of History and the Last man) CID, Podgorica1999. fq 239.

[7] Samuel Huntigton, Përleshja e civilizimeve”, Prishtinë, botoi shtëpia Botuese Zenit, Podujevë

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.