Kontributi i fese per paqen boterore

Abstrakt

Kumtesa përqëndrohet në parashtrimin e problemit të rolit që mund dhe duhet të luajë feja në konfliktet e botës sonë. Është një fakt i pranuar se bota, për shumë arsye, po përjeton një “rikthim të të shenjtës” dhe feja duhet të kontribuojë në krijimin e një bote paqësore dhe jo të ndikojë ideologjikisht dhe emocionalisht në shtimin e armiqësisë. Më pas, vëmendja e punimit përqëndrohet jo në politikën reale, por në dy doktrinat e mëdha fetare, krishtërimit dhe islamizmit, për të treguar, në planin individual dhe komunitar, thelbin e mësimeve të shenjta në favor të paqes, arsyes dhe mirësisë. Rëndësi i jepet marrëdhënies ndërmjet të drejtave të njeriut, lirisë së zgjedhjes dhe rëndësisë së dinjitetit të personit njerëzor, për krijimin e një botë sa më paqësore. Kumtesa mbyllet me disa përfundime të rrafshit individual dhe të rolit të autoriteteve laike dhe fetare në kultivimin e tolerancës dhe të paqes.

Hyrje

Bota e sotme karakterizohet nga rritja e ndërvarësisë dhe e kooperimit ndërmjet popujve, grupeve, intstitucioneve dhe kombeve. Në të njetën kohë, konfliktet etno – fetare dhe ndërfetare si dhe përdorimet e instrumentalizuara dhe politike të fesë janë në rritje në shumë rajone të botës. Për shkak të marrëdhënieve ndërmjet fesë dhe kombësisë, etnicitetit, statusit social dhe madje aspiratave politike, problemet fetare shpesh kanë qenë përcaktues të konflikteve të armatosura ndërmjet dhe brenda kombeve. Nuk ka patur asnjë periudhë historike që të mos jetë prekur nga ky fenomen. Për këtë mjafton që të sjellim në kujtesë ngjarjet që prekën Ballkanin, Afrikën, Azinë, Lindjen e Mesme etj.

Konfliktet e sotme nuk janë luftëra ose konflikte fetare. Por, fatkeqësisht, ato përdorin justifikime fetare. Megjithatë, duhet theksuar se feja në vetvete nuk është shkak për konflikte, por mund të përdoret si një faktor dhe si një simbol në konflikte. Ne nuk mund të shtiremi sikur nuk e shohim peshën emocionale që dallimet fetare mund të shtien te çdo konflikt. Ka në botë aq fanatizëm dhe intolerancë sa që një shkëndi e vogël mund të shkaktojë luftë kur kushtet sociale, ekonomike, ushtarake nuk janë në rrugë të mbarë. Për më tepër, intoleranca fetare dhe shtypja mund të favorizohen edhe nga pabarazitë në kushtet materiale. Ky rreth vicioz duhet të thyhet. Zhvillimi i politikave dhe të drejtat e njeriut duhet të shkojnë së bashku.

Ata që janë aktivë në kisha, xhami apo vende të tjera të kultit duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të parandaluar që feja të përdoret për t'i hedhur benzinë zjarrit që mund të shkojë në konflikte të hapura. Është e qartë se është përdorimi strategjik i fesë dhe jo besimet fetare në vetvete që shkaktojnë tensioned he konflikte. Në fakt, përdorimi i gjuhës dhe simboleve fetare mund të bëhet një nga “armët” më të fuqishme strategjike në një konflikt.

Këtu paradoksi është se në qoftë se feja mund të ndikojë (ose të jetë një faktor përshpejtues) në shpërthimin e armiqësive, brenda ose ndërmjet kombeve, ajo mund të bëhet po aq e rëndësishme për përfundimin e komflikteve. Në këtë perspektivë, një nga prioritetet e liderëve fetarë duhet të jetë një ndikim dhe angazhim pozitiv në shmangjen e konflikteve, dhe të kontribojnë për paqen dhe pajtimin. Prandaj ka rëndësi krijimi i bashkëpunimit dhe koalicionve ndërmjet grupeve fetare dhe bashkësive dhe liderëve fetarë si mjet për të parandaluar konfliktet, ose konfliktet e mundshme në botë, por edhe në realitetin tonë multifetar. Parakushti për këtë bashkëpunim është tolerance, respekti për besimin dhe bindjet fetare të tjetrit. Nga pikëpamja e qeveritarëve, kërkohen përëpjekje për të mbrojtur dhe promovuar të drejtën për lirinë e fesë si një e drejtë themelore.

Megjithatë, unë nuk do të përqënrohem në politikën reale, por në mesazhin e shenjtë dhe veprimin e mesazhierëve për të krijuar një botë më të mirë dhe paqësore.

I. Liria dhe paqja nga perpsektiva e krishterë

Fakti që të drejta e njeriut kanë qenë pohuar fuqishëm gjatë luftërave dhe dhunave nuk do të thotë që ato, në vetvete janë gjenerues të luftërave. Përkundrazi, është dhunimi i tyre që ka nxitur motivet e konflikteve. Në këtë kuptim mund të thuhet se respektimi i të drejtave të njeriut është themeli i sigurtë i paqes. Në Hyrjen e Kartës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut ndodhet një frazë shumë domethënëse: “… është thelbësore që të drejtat e njeriut të mbrohen nga një regjim ku të sundojë ligji me qëllim që njeriu të mos jetë i shtrënguar të përdorë mjetin e fundit që është kryengritja kundër tiranisë dhe shtypjes”[1]. Në këtë riformulim rishfaqet çështja, që mbetet gjithmonë e hapur, e bazimit të një të drejte të rezistencës (jus resistentiae), që na sjell në mend pyetjen klasike: cilat janë mjetet e ligjshme për të mbrojtur lirinë? Pyetje qendrore, rëndësia e së cilës e kapërxen planin juridik për të marrë atë të etikës, atë të ndërgjegjes, e cila duhet të dallojë në mënyrë të qartë, me sens përgjegjësie, mjetet që duhen përdorur për të mbështetur drejtësinë për t'ju kundërvënë padrejtësisë.

Për të kuptuar më mirë marrëdhënien ndërmjet të drejtave të njeriut dhe paqes, duhet patur një vision pozitiv dhe dinamik për paqen dhe jo një vision negativ dhe statik. Në këtë perspektivë, paqja nuk mund të reduktohet thjesht në mungesën e luftës, as në një ekuilibër të forcave kundërshtare, por ajo mund dhe duhet të jetë rezultat i procesit të krijimit të një shoqërie, ku çdo person dhe çdo bashkësi njerëzore të shikojë që të realizohet në realitet dinjiteti dhe zhvillimi i lirë i njeriut. Vetëm kështu ndërtohet “paqja në drejtësi”, e karakterizuar nga metoda e dialogut, me qëllim kapërximin e tensioneve të pashmangshme dhe përdorimin e forcës vetëm në shërbim të së drejtës.

Por, ç'lidhje kanë këto fjalë me traditën e mesazhit të krishterë? Për të krishterin, paqja është një dhuratë e Zotit, ajo është pasqyrim i rregullsisë së shkruar që në krijim, fryt i zbutjes. Personi njerëzor, i krijuar sipas imzhit të Zotit, zotëron një dinjitet të brendshëm. Realizimi i një rendi të tillë është realizim i një rendi të dëshiruar nga Zoti dhe paqja është e rendit eskatologjik. Të tillë janë koordinatat thmelore që orientojnë refleksionin dhe veprimin e krishtërë ndërmjet “të besuarit” dhe të “vepruarit; shpallja e shpëtimit është gjithashtu edhe ungjilli i paqes, sepse vetë Krishti është “paqja jonë” (Efesianët 2.14) dhe paqja do të jetë, si në profecinë biblike, “frut i drejtësisë” (Isaia 32.17).

Paqja kërkon dy gjëra thelbësore, mopërdorimin e shtrëngimit në besim dhe mospërdorimin e dhunës. Le t'i shohim më nga afër këto dy momente të besimit. Te Luka ne lexojmë: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le të mohojë vetveten, të marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë”. Ky tekst tregon se konvertimi është vendim individual; nëse dikush. Edhe të tjerë persona mund të bashkohen me këtë pozicion, por duke angazhuar përgjegjësinë e tyre personale.

“Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë” (Gjoni 6,37). Jezusi dhe pasuesit e tij nuk e pranojnë qëndrimin dikriminues politik (Jezusi e përgëzon oficerin romak për besimin e tij, (Mateu 8.10), diskriminimin social (pranohen jo vetëm fisnikët por edhe të përjashtuarit nga shoqëria, diskriminimin fetar (Samaritanët dhe farisienët trajtohen në të njejtën mënyrë kur ata veprojnë si njerëz të lirë). Shkurt, të gjithë njerëzit janë vëllezër.

Jezusi theksonte lirinë për të mos i ndjekur mësimet e tij. Një djalë i pasur i kërkoi një këshillë për jetën shpirtërore dhe ai iu përgjigj: “Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç'të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell, pastaj eja dhe më ndiq mua. Djali i ri iku i trishtuar sepse nuk kishte kurajon e domosdoshme për tu bindur. Jezusi nuk kërkoi të ndikonte në vendimin e tij, ai e la vetëm përballë vetvetes. Edhe ndaj dishepujve ai nuk përdorte asnjë lloj shtrëngimi. Ai nuk detyroi asnjë që ta ndiqte. E vetmja forcë që përdorte ishte ajo e dashurisë.

Përsa i takon pasojave të përdorimit të dhunës kemi shumë mësime aktuale edhe për të sotmen. Kur apostulli Pjetër, për të mbrojtur Mësuesin e tij që do e arrestonin, përdori shpatën dhe plagosi një, Jezusi i tha: “Fute shpatën në mill” (Gjoni 18.11). Pasi shëroi plagën e shkaktuar nga dishepulli i tij ai shtoi: “Të gjithë ata që rrokin shpatën prej shpate do të vdesin” (Mateu 26.52). Në vende të tjera ai saktëson se duhet zotëruar fuqia qiellore (nënkupto vlerat e larta shpirtërore), dhe duhet shmangur përdorimi i forcës. Ai ishte dhe mbeti për sovranitetin shpirtëror, i cili mund të vendosej përmes mjetesh shpirtërore.

Përsa i takon qëndrimin ndaj autoriteteve civile dhe fetare mund të themi se qëndrimi i Jezusit paraqet shumë aspekte. Por le të marrim formulën e famshme “Jepi Qezarit atë që është e Qezarit dhe Zotit atë që është e Zotit”. Kjo deklaratë ka të bëjë me pagimin e taksave, por ajo vendos edhe një parim me rëndësi universale, që e vendoste politikën mbi baza të vërteta dhe përcaktonte një shkëputje çliruese.

Jezusi nuk i vendos këto dy autoritete në të njejtin plan. Pushtetti i Zotit është total, sovran, i përjetshëm. Njeriu ftohet që të angazhohet përmes dashurisë dhe pa rezerva dhe të jetë besnik ndaj Zotit. Qezari, që simbolizon autoritetin politik, ka një pushtet të kufizuar në drejtimin e marrëdhënieve sociale, tranzitor, deri në vendosjen e mbretërisë së Zotit dhe të deleguar. Kur Pilati i tha: “A nuk e di se unë kam pushtetin për të të kryqëzuar?”, Jezusi nuk e mohoi këtë pushtet, por i tregoi limitet dhe përgjegjësinë: “Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos qe dhënë për së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh”.

Prirja e përhershme dhe prioritare e qytetarëve duhet të jetë ndaj Zotit, sepse “duhet bindur Zotit më shumë se sa njerëzve” (Aktet 5.29). Në qoftë se Qezari i kapërxen limitet e autoritetit që i është dhënë mbi qeniet njerëzore që ka në ngarkim, ai do të krijojë konflikte ndërmjet vullnetit të tij për sundim dhe lirisë së ndërgjegjes së njerëzve. Ekzistenca e Qezarit është pranuar nga Zoti, për të mirën e njerëzve, por kjo nuk e justifikon ekzistencën e një Qezari totalitar. Qezari është gjithmonë i përgjegjshëm ndaj atij që i ka deleguar pushtetin. Ekzistenca e një autoriteti të keq është më e preferueshme se sa anarkia. Duke respektuar lirinë e njerëzve edhe për tu lëshuar drejt korrupsionit dhe dhunës, Zoti kontrollon kursin e historisë. Profecitë japin shumë shembuj. Por, do të vijë një ditë që Jezusi do të vendosë një mbretëri të çliruar nga të gjitha forcat e të keqes dhe të vuajtjes.

Duke dalë jashtë termave teologjikë, dhuna dhe shtrëngimi janë rreziqet më të mëdha për paqen, lirinë dhe dinjitetin e personit njerëzor, dhe kur ato ushtrohen nën emrin e një autoriteti fetar, bëhen më të rrezikshme.

2. Kultura e paqes në fenë islame

Kurani thekson se, që në fillimet e njerëzimit njerëzit kanë patur dije mbi revelacionet për tu larguar nga rrugët e këqia dhe të fatkeqësive, me ndërmjetësinë e profetëve. Islami i pranon këta profetë, sepse ata ishin bartës të mesazhit hyjnor. Para së gjithash këto mesazhe janë shprehje të dashurisë së Zotit për njerëzit dhe është në interes të tyre për t'u ndjekur këto urdhëresa etike dhe fetare. Është tërë njerëzimi që thirret për të ecur në rrugën e “strehuar në paqe”, sipas shprehje së Kuranit.

Për ta kuptuar mësimin islamik mbi paqen, ashtu siç e gjejmë në librin e shenjtë, mund të përdorim imazhin e tri rrathëve të gërshetuar me njeri tjetrin. Sipas mësimit islamik, njeriu është plotësisht përgjegjës për aktet e tij. Ai mund të arrijë në një paqe gjithnjë e më të madhe në vetvete, në sajë të përpjekjeve të sinqerta që ai kryen për të vepruar si qenie e përgjegjshme. Këto përpjekje synojnë tri rrathët e mëposhtëm:

  1. Paqen me vetveten
  2. Paqen me njerëzit e tjerë dhe tërë pjesën tjetër të krijimit
  3. Paqen me Zotin, që zotëron tërë pushtetin transcendent, që krijon dhe bën të mundur çdo gjë.

Islami i pranon fetë e zbuluara më parë dhe tregon se popujt e krijojnë paqen e Zotit sa herë që përpiqen që të kenë një sjellje morale dhe të ndihmojnë tjetrin. Vetë termi “islam” e ka rrënjën te fjala arabe salam që do të thotë paqe dhe shpëtim. Myslimanët përshëndeten me shprehjen “paja qoftë me ju” dhe, në fund të secilës nga pesë lutjet e përditshme, besimtari kthehet djathtas dhe pastaj majtas, domethënë drejt dy gjysmave të botës dhe u uron atyre paqen.

Islami mëson se njeriu duhet të jetë pikënisja e paqes dhe ashtu siç kërkon paqen për veten duhet ta kërkojë edhe për të tjerët. Njeriu duhet të besojë se do ta marrë forcën shpirtërore të domosdoshme të shpallur nga revelacioni hyjnor. Në këtë vepër të rëndësishme të paqes, njeriu asistohet nga arsyeja, në masën që ia vë veshin. Arsyeja njerëzore, siç theksonte filozofi mistik Al Gazali, është një “shembull i dritës së Zotit”. Kurani i kërkon individit një meditim inteligjent mbi veten, mbi historinë dhe mbi objektivin e njerëzimit. Është kështu, sepse, sipas Kurani “kur ai [Zoti] formoi njeriun, ai i fryu shpirtin e tij” (Sure 32.8). Duke ndjekur këtë shpirt brenda vetes, njeriu ndodhet në rrugën e paqes së vërtetë, ai ndjek atëherë prirjen për drejtësi dhe mëshirë. Kjo e nxit që të ndihmojë të shtypurit dhe tu bëjë mirë atyre që e rrethojnë, faktorë themelorë të ekzistencës njerëzore.

Urdhërest bazë të moralit, që i gjejmë të të gjitha fetë, në një formë ose në një tjetër, nuk kërkojnë tu imponohen njerëzve si një strukturë e huaj. Përkundrazi, ato janë kushti themelor i humanitetit të njeriut dhe ndikojnë në zhvillimin e spiritualitetit dhe të paqes; “Duaj për të tjerët atë që do për veten tënde dhe ti atëherë do të jesh një musliman i mirë”, ka thënë Muhameti (në Bukhari). Ai e konsideronte si detyrën e tij për ta shpënë moralin në realizimin e plotë të tij. Ne mund të veprojmë në frymën e drejtësisë së vërtetë në qoftë se ne veprojmë me shpirtmadhësi. Kjo është e vetmja mënyrë për të arritur në një zhvillim të plotë të humanitetit tonë, si te të tjerët dhe te ne. Sipas Muhametit, ai që nuk jep prova të shpirtmadhësisë kundrejt të tjerëve, ai nuk do të ketë as edhe të drejtë. Forca e brendshme e zemrës që na shtyn të bëjmë mirë, mund të jetë aktive vetëm kur individi kthehet me dashuri drejt të tjerëve, ashtu si zjarri që merr flakë vetëm kur vihet flaka në një substancë që merr flakë.

Një traditë që lidhet me profetin, na kujton se çdo njeri është bari në sferën që i përket. Ashtu si bariu është përgjegjës për trupën e tij, individi është përgjegjës për gjithçka që ndodhet në sferën e tij. Kjo nuk do të thotë që të injorohen detyrat që ndodhen jashtë kësaj sfere. Ekziston edhe një fjalë e Profetit që insiston në faktin se kudo ku ne shikojmë padrejtësi, ne duhet të ndërhyjmë. Sapo ne e shikojmë të keqen, ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur për ta rregulluar. Në qoftë se ne nuk mund ta arrijmë përmes akteve, ne duhet të përpiqemi që ta bëjmë verbalisht dhe, në rast mossuksesi, ne duhet të përdorim zemrën tonë. Por, veprimi i zemrës, sipas Profetit, është “forma më e dobët e besimit”. Kjo do të thotë se fati i vërtetë i njeriut në këtë botë, është që të veprojë jo vetëm në përputhje me besimin, por edhe me arsyen dhe një ndjenjë përgjegjësie.

Këto refleksione tregojnë se pse Kurani i kujton besimtarit se besimi i zemrës dhe veprimet e mira – dhe jo vetëm disa veprime dhe fjalë të mira – janë në gjendje që ta drejtojnë njeriun në rrugën e mirë, ose në rrugën e paqes. Pikënisja në rrugën e paqes është ky premtim i paqes, ashtu si hëna e re, simbol i islamit, është një premtim për hënën e plotë.

Kështu bota me thesaret e saj nuk janë qëllimi i fundit për njeriun, të cilat janë të vdekshme. Objektivi është fitorja e drejtësisë dhe shpirtmadhësisë. Në këtë kontekst, Kurani u bën thirrje përfaqsuesve të feve që të merren vesh për të “adhuruar vetëm Zotin dhe të mos i shtojnë atij të tjerë zotër veç atij” (Sure 3.57). Zoti na kërkon që të praktikojmë drejtësinë dhe shpirtmadhësinë kundrejt të gjithë njerëzve. Feja duhet tu tregojë njerëzve se si, duke ndjekur këto urdhëresa, ata nuk heqin dorë nga liria e tyre, por do ta gjejnë atë më shumë, në sajë të paqes dhe forcës së brendshme. Megjithatë, ata janë të lirë të vendosin nëse dëshirojnë që ta marrin këtë rrugë, sepse Kurani mëson: “Jo shtrëngim në fe” (Sure 2.257). Ai kërkon nga njeriu një bashkim me të vërtetë të lirë dhe të arsyeshëm, që e bën të hyjë në qiellin hyjnor dhe e bën të denjë. Prandaj ai “do t'i dërrmojë në turp ata që nuk aryetojnë”, por edhe ata që nuk i bëjnë asaj një përdorim të arsyeshëm. Me terma modernë shikojmë këtu lirinë e ndërgjegjes. Në funksion të arsyes dhe përdorimit të saj, Profeti do tu kërkojë muslimanëve: “Them: ata që dinë dhe ata që nuk dinë, a janë në të njejtin rang?” (Kurani 39.12). “Kërkojeni shkencën edhe në Kinë, nesë nevojitet”. “Kërkimi i shkencës është një detyrim për çdo mysliman”. “Boja e dijetarit vlen më shumë se sa gjaku i martirit”. Kjo përparësi ndaj shkencës (ilm), që shkëlqën te dijetari (alim), është një nga karakteristikat më të dukshme të hapave të para të islamizmit, që, fatkeqësisht sot nuk e shohim.

Për t'ju rikthuer idesë së shtrëngimit në besim, mund të themi se është në natyrën e besimit se është pa vlerë në qoftë se ai nuk është bindje e lirë dhe intime. Pra, besimi është një zgjedhje, dhe një zgjedhje është zgjedhje në qoftë se ajo është e lirë dhe e arsyeshme. Ajo është gjithashtu edhe një rrugë që fillon me lindjen e ndërgjegjes dhe arrin në lindjen e përjetësisë të transfiguruar dhe të realizuar në ideale të larta. Kjo rritje e njeriut është një rritje përmes ushtrimit shpirtëror të sinqertë. Kur Frojdi, më pas, do të na thoshte se sinqeriteti nuk është gjithmonë i sinqertë dhe një proverb na thotë se rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira, nuk janë pa bazë. Në zemrat tona ka gjitmonë një “sëmundje”, sëmundje që na zbulohet përmes një shqyrtimi vigjilent për ta penguar që të rritet. Nuk është e lehtë që të jesh me të vërtetë besimtar. A bëhet njeriu plotësisht i tillë? Besimi, ashtu si e vërteta, është kërkues. Besimi është një tension i vazhdueshëm për ta shkulur të keqen nga zemrat e besimtarit dhe për ta lidhur me një ideal. Besimi është i pafundëm, një ngjitje e pafundme dhe kështu e kanë kuptuar sufistët, mistikët myslimanë, duke piketuar intinerarin e tyre ngjitës që arrin në shkatërrimin e të keqes te Njëshi.

Në terma pozitivë, kjo do të thotë se rruga drejt paqes, ose lufta për paqen, nënkupton, nga ana e njeriut, përftimin e një spiritualiteti. Sipas termave të Kuranit. Ky është “ushqimi i qiellit dhe ai përmban ata që ka qenë premtuar” (Sure 51.22). Ne duhet ta kërkojmë paqen jo vetëm si një rrugë, por edhe si një qëllim.

Kurani e justifikon ekzistencën e kaq shumë komuniteteve nga fakti se ato mund të hidhen në një konkurence aktive në kërkimin e të mirës morale. Nga fakti që njeriu vendos lirshëm për të mirën, ai mund t'ia dalë mbanë, dhe jo duke zbatuar në mënyrë të thjeshtë ushëzimet – si në një shoqëri totalitare. Kjo do të thotë se forca vendimarrëse dhe vullneti ndodhen brenda tij dhe ato mund të zhvillohen në sajë të një jete shpirtërore. Kurani deklaron: “Në qoftë se Zoti do e kishte dashur, ai do të kishte bërë vetëm një popull; por ai ka dashur të provojë besnikërinë tuaj në vëzhgimin e asaj që ju ka dhënë. Vraponi kush e kush më shumë drejt veprimeve të mira” (Sure 5.53).

Kjo do të thotë se diversiteti fetar dhe kulturor, në asnjë rast nuk duhet të bëhet shkak armiqësije ndërmjet njerëzve. Përkundrazi, duhet të shërbejnë si nxitës i zhvillimit të njerëzimit, që përkthehet përmes tolerancës, respektit dhe fisnikërisë kundrejt të ndryshmëve. Historia na tregon se të gjitha kulturat e mëdha janë zhvilluar përmes shkëmbimeve me kulturat e tjera, përmes reciprocitetit të këtij shkëmbimi dhe jo përmes shtypjes dhe përbuzjes. Kurani shpall se një nga objektivat e krijimit është që popujt e ndryshëm të tokës të njihen ndërmjet tyre (Sure 49.13).

Është me interest ë theksohet, për argumentin tonë, se Kurani përmban edhe tregues empirikë për mënyrën se si mund të arrihet dhe ruhet paqja. Thelbësore është që vullneti për paqe të mos njohë asnjë limit. Është e qartë se kjo prirje për paqe duhet të karakterizojë edhe të tjerët, qofshin edhe armiq. “Në qoftë se ata priren nga paqja, edhe ti gjithashtu duhet t'ia japësh” (Sure 8.63). por edhe në rast se armiku nuk shpreh vullnet paqeje dhe një luftë bëhet e domosdoshme për të mbrojtur të drejtat e tua, nuk duhet të bëhet asnjë veprim amoral (2.190). Në këtë rast, tradita islamike jep udhëzime të sakta, pikërisht mbi mbrojtjen e popullsisë civile dhe trajtimin e të burgosurve. Në parim antihumanizmi dhe terrorizmi janë të ndaluara.

Siç e theksuam në fillim, pikënisja e paqes është njeriu që përpiqet që të veprojë si një i drejtë. Në momentin që njeriu bën të vetën rrugën e paqes, ai do të gjejë edhe forcën e domosdoshme për të mos rrezikuar asnjë betejë për paqen. Sa më i fortë të jetë spiritualiteti i një individi, aq më të mëdha do të jenë edhe veprimet e tij. Lumturtia më e lartë është të bësh mirë në vend të të keqes dhe të transformohet armiku i vjetër në një mik të ri. Ndryshe, si do të bëhet e mundur që të thyhen zinxhirët e armiqësisë? Prandaj, Muhameti vërente se nuk duhet përbuzur edhe veprimi më i vogël i mirë, sepse udhëtimet e mëdha fillojnë gjithmonë me hapin e parë.

Paqja kërkon edhe solidaritetin njerëzor. Muhameti e thekson këtë në një parabolë ku e përshkruan njerëzimin të mbledhur në një anije, një pjesë në urën e sipërme dhe një pjesë në urën e poshtme. Ata që ishin poshtë duhej të shkonin në urën e sipërme për të marrë ujë. Por, ata u lodhën dhe hapën një vrimë në anije për të marrë ujë. Ky veprim vuri në rrezik gjithë anijen, dhe pasagjerët e urës së sipërme duhej të ndërhynin për t'i ndalur ata poshtë. “Në qoftë se këta të fundit nuk do të kishin vepruar kështu, thotë Muhameti, tërë njerëzimi do të kishte humbur”. Kështu, njerëzimi ndodhet në anijen tokë drejt një destinacioni që e bën të domosdoshme përparësinë e arsyes. Në një gjuhë pozitive, koha jonë kërkon drejtues të arsyeshëm, por edhe të virtytshëm. Pa këto të dyja nuk mund të ndërtohet një qytet i virtytshëm, siç shkruante Alfarabi (870 – 950) në veprën “Qyteti i virtytshëm”. “Për pasojë, mund të kemi një numër kombesh të virtytshëm dhe një numër qytetesh të virtytshëm, fetë e të cilëve janë të ndryshëme”[2].

Përfundim

Ne jetojmë në një botë që karakterizohet nga lëvizjet e popullsive dhe përzierje kulturash të pashëmbullt. Në këtë kuptim ne jemi të ndërvarur dhe kemi një përgjegjësi të përbashkët për mirëqenien e tërë botës. Është e qartë se feja nuk është i vetmi ilaç për të këqiat e kësaj bote, por ajo mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë periudhë kritike.

Ne jemi të ndërgjegjshëm për larminë kulturore dhe fetare dhe çdo kulturë paraqet një univers të vetën. Kulturat i japin fesë gjuhën e tyre dhe fetë një kuptim të fundëm çdo kulture. Në këtë kuptim, pa pranimin e pluralizmit dhe pa respektimin e dallimeve nuk mund të ketë paqe. Por, as paqja dhe as feja nuk mund të reduktohen në koncepte unike dhe të ngurta, ashtu si tërë eksperienca njerëzore nuk mund të shprehet vetëm përmes një gjuhe.

Për disa kultura, feja është një mënyrë jetese që përcakton tërë aktivitetin njerëzor. Për të tjerë, ajo përfaqëson aspiratat më të larta të ekzistencës njerëzore. Në kultura të tjera, fetë janë institucione që pretendojnë se sjellin shpëtimin.por, historia tregon dhe ne jemi dëshmimtarë, se fetë kanë kontribuar në paqen, por ato kanë qenë edhe faktorë ndarjeje, urrejtjeje dhe lufte. Njerëzit e fesë, jo rrallë, i kanë tradhëtuar idelaet e larta që i konsideronin si pronë të tyre.

Prandaj, paqja sypozon që dashuria, dhemshuria, dinjiteti njerëzor dhe drejtësia të jenë vlerat më të larta që duhen kultivuar dhe mbrojtur. Paqja kërkon që ne të respektojmë tokën dhe jetën nën të gjitha format, në veçanti, jetën njerëzore në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës.

Paqja kërkon edhe një angazhim të autoriteteve fetare dhe laike, por edhe individuale. Nga pikëpamja individuale, paqja me vetveten dhe përpjekjet për ngritjen drejt vlerave të larta shpirtërore, sidomos kur fryma e afarizmit dhe merkantilizmit po pushton të gjitha vlerat dhe ku paraja dhe trgu po bëhen të vetmit matës të vlerav, bëhet një kërkesë imperative.

Përsa i takon autoriteteve laike dhe fetare, detyrat fillojnë që nga familja, edukimi, reduktimi i dallimeve ekonomike, lufta kundër shfaqjeve të dhunës, urrejtjes dhe diskriminimit të çdo ngjyre, përballja me fenomenin e terrorizmit, indiferencës, korrupsionit dhe kriminalitetit.

Përsa i takon komuniteteve fetare, ato kanë përgjegjësinë për të kultivuar një sjellje që të karakterizohet nga mençuria, dhemshuria, ndihma dhe solidariteti, dhe, mbi të gjitha, nga dashuria, duke i nxitur njerëzit që të zgjedhin rrugën e lirisë dhe të përgjegjësisë. Fetë duhet të bëhen burim energjish ndërtuese dhe jo shkatërruese dhe fanatizmi.

Në këtë kontekst fetë duhet të jenë të vëmendshme që të mos identifikohen me pushtetet politike, me qëllim që t'i kenë duart të lira për të punuar për drejtësinë dhe paqen. Historia ka treguar se sa e rrezikshme është për fetë aleanca e altarit me fronin.

Së fundi, kërkohet një bashkëpunim ndërmjet feve në bazë të parimit se “ajo që na bashkon është më e rëndësishme se ajo që na ndan”.

Ka ardhur koha që vlerat dhe parimet e larta të shpallura në mesazhet hyjnore të bëhen pjesë të sinqerta të veprimit fetar dhe politik, ndryshe ne mund të bashkohemi me pesimizmin legjendar të një poeti arab të periudhës së kryqëzatave që, më 1098, shkruante:

Fati na shkërmoq si të ishim qelq,
Dhe copëzat tona nuk bashkohen më kurrë.[3]

Në një kontekst tjetër, përballë marrëzisë njerëzore, Volteri do të detyrohej që t'i drejtohej drejtpërdrejt Zotit me një lutje, që duhet të jetë një lutje për të gjithë ata që pranojnë lirinë e ndërgjegjes. :"Kjo (lutje) nuk u drejtohet më njerëzve, por ty, zot i të gjitha qenieve, i të gjitha botëve dhe i të gjitha kohëve; në qoftë se krijesave të dobëta, të përhumbura në gjerësinë e paperceptueshme të pjesës tjetër të botës, u lejohet që të të kërkojnë diçka, ty që ke dhënë gjithçka, ty që i ke dekretet të pandryshueshme si të perjetshme, denjo t'i shikosh me mëshirë gabimet që lidhen me natyren tonë; që këto gabime të mos bëhen gjëma jonë. Ti nuk na ke dhënë aspak një zemër për të na urryer dhe duart për të na shqyer; bëni që ne të ndihmohemi reciprokisht për të kapërxyer barrën e një jete të mundishme dhe të përkohshme; që dallimet e vogla ndërmjet veshjeve që mbulojne trupat tanë debile, ndërmjet të gjitha gjuhëve tona të pamjaftueshme, ndërmjet të gjitha zakoneve tona qesharake, ndërmjet të gjitha ligjeve tona të papërkryera, ndërmjet të gjitha opinioneve tona të marra, ndërmjet të gjitha kushteve aq disproporcionale në sytë tona dhe aq të barabarta përpara teje; që të gjitha këto nuanca të vogla që dallojne atomet e përmendura të mos jenë sinjale urrejtje dhe persekutimi; që ata që ndezin qirinjtë në mes të ditës, për të të celebruar, t'i durojnë ata që janë të kënaqur nga drita e diellit tënd; që ata që i mbulojne robat nga një pëlhurë e bardhë për të thënë që duhet të të duan, të mos i përbuzin ata që thonë të njejtën gjë nën një mantel leshi te zi; që të të adhurojnë njëlloj në një zhargon të formuar nga një gjuhë e vjetër ose në një zhargon më të ri; që ata, veshja e të cilëve, është me njgjyrë të kuqe ose vjollcë, që zotërojnë një parcelë të vogël të baltës të kësaj bote dhe që zotërojnë disa fragmente të rrumbullakta të një metali të caktuar, ta gëzojnë pa krenari atë që e quajnë madhështi dhe pasuri dhe që të tjerët t'i shikojnë pa zili; sepse ti e di se në këto vanitete nuk ka se ç'të kesh zili as se ç'të krenohesh. Bëj që të gjithë njerëzit të kujtohen se janë vëllezër! Që ta urrejnë tiranine e ushtruar mbi shpirtërat, si dhe ata që e kanë me tepri hajdutërinë që shkaterron, me anë të forcës, frutin e punës dhe të industrisë paqësore! Në qoftë se valët e luftes janë të paevitueshme, të mos urrehemi, të mos copëtojmë njeri tjetrin në gjirin e paqes dhe ta përdorim çastin e ekzistences sonë për të bekuar në mijra gjuhë të ndryshme, që nga Siami deri në Kaliforni, mirësinë tënde që na ke dhënë në këtë çast. Amen.[4]"


[1] Të drejtat e njeriut. Përmbledhje aktesh ndërkombëtare. Shtëpia botuese enciklopedike, tiranë, 1993, f. 1.
[2] Marrë nga Mahdi: La foundation de la philosophie politique en Islam, Flammarion, Paris, 2000, f. 197.
[3] Marrë nga Amin Maalouf: Les croisades vues par les arabes, Jean –ClaudeLattes, 1983, f. 54.
[4] Voltaire: Traité sur la Tolérance, Folio, Gallimard, 1975. f. 115-116.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.