Krijimi i Atmosferes se nje Tolerance te Qendrueshme

Së bashku me "parajsën e humbur" ne kemi humbur edhe disa nga tiparet tona më ekzaltuese. Dituria, kërkimi, puna, metodat e punës, organizimi në vendin e punës, ndihma për të tjerët dhe studimi i librit të universit janë disa nga veçoritë prej të cilave ne jemi larguar. Nga të gjithë cilësitë që ne kemi humbur, ndoshta e para dhe më e rëndësishmja është toleranca. Prej këtej ne e kuptojmë se ç'do të thotë të përqafosh njerëzit pa pyetur për ndryshimet në mendim, këndvështrim, ideologji, etni, dhe fe. Kjo shpjegon gjithashtu pranimin për gjërat që nuk i dëshirojmë, nga forca e gjetur thellë në ndërgjegje, në besim, dhe në zemrën bujare ose nga forca e emocioneve tona. Në një formë tjetër, mendimin e shpreh poeti i famshëm turk Junus Emre kur thotë, të duash krijesat vetëm për arsye të Krijuesit.

Të duash krijesat për hir të Krijuesit

Dashuria është arsye për ekzistencën dhe esencën e saj dhe, lidhja më e fortë që i bashkon krijesat së bashku. Çdo gjë në univers është krijim i Zotit. Kështu, nëse ju nuk i aviteni natyrës njerëzore, një krijim i Zotit, me dashuri, atëherë do të lëndoni ata që e duan Zotin dhe ata që Zoti i do. Për shembull, nëse ju jeni kundër veprave të një piktori si Pikaso, ju do të lëndoni atë dhe admiruesit e tij. Një shembull tjetër mund të jetë qëndrimi indiferent ndaj bukurisë së Alhambra Palas që përshkohet nga hijeshia tejembanë. Kjo do të thotë të shfaqësh mungesë respekti për këtë kryevepër dhe për autorin e saj. Me të njëjtin arsyetim, çdo aspekt i universit që ta prish mendjen me bukurinë, shkëlqimin, dhe madhështinë e tij, është një shembull i mjeshtërisë artistike të Zotit. Në këtë kontekst, njerëzit, kafshët, të gjitha krijesat e gjalla, dhe, në fakt, të gjithë objektet e pajetë gjithashtu, janë krijuar me një natyrë të denjë për t'u pranuar prej nesh. Duke shfaqur indiferencë dhe mospërfillje ndaj tyre, synon të tregosh indiferencë dhe mospërfillje për Realizuesin. Në kundërshtim me këtë qëndrim, afrimi ynë me të gjithë krijesat humane ose jo duhet të bazohet në dashurinë për ta, për hir të Krijuesit të tyre. Nëse muslimanët bisedojnë rreth armëve, armatimit, duke vrarë e masakruar të tjerët, do të krijojnë një hendek të thellë mes popujve, atëherë ky qëndrim, pasojë e sjelljes sonë, është larg nga esenca jonë.

Por ne duhet të jemi mirënjohës që në një kohë kur kemi humbur shenjat e parajsës, ne kemi gjetur tolerancën përsëri. Kjo është një prej cilësive që kemi harruar. Ne kemi rizbuluar tolerancën, virtyt që është i pandarë nga shpirti islam dhe që na është treguar ne në Kur'an dhe prej profetit Muhammed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të. Duke iu përmbajtur tolerancës, populli ynë ka mirëpritur veprimtaritë që i përshkon toleranca dhe e ka përqafuar me ngrohtësi shpirtin e tolerancës, gjë që është me rëndësi vitale. Së bashku me institucionet që janë ngritur, shërbimi vullnetar i iniciuar nga populli ka ngjallur një interesim shumë të madh. Kur'ani shpall:

Nuk ka dyshim se atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t'u krijojë (në zemrat e tyre) dashuri! (Merjem, 19:96)

Me fjalë të tjera, banorët në qiell dhe banorët në tokë do t'i duan ata. Siç është shprehur në një hadith, Zoti u tregoi banorëve në qiell për njerëzit që Ai donte dhe i urdhëroi ata, gjithashtu, t'i donin këta të dashur. Kur një engjëll në qiell i dashuron ata, edhe njerëzit në tokë i duan.

Fara e mbjellë nga toleranca është rritur. Ajo do të lulëzojë kur koha të jetë e përshtatshme. Sigurisht, kjo varet, në njëfarë mase nga gazetat, televizioni, revistat dhe shoqatat që duhet të japin mbështetjen e duhur.

Nuk ka kthim prapa nga rruga e tolerancës

Pranimi në qiejtë gjithmonë sjell një përgjigje pozitive në tokë. Provat për këtë janë të qarta. Treguesit më të qartë janë dyert e hapura kudo gjerësisht në emër të pranimit të heronjve të dashurisë dhe tolerancës. Kjo do të thotë që toleranca është në rrugën e saj të rritjes dhe lulëzimit. Kjo është e vërtetë sepse pas periudhës së tolerancës gjenden konfliktet që lindin për ta ndaluar këtë evoluim. Por fraksionet që për vite janë vështruar dhe shfaqur të ndara, po reagojnë me një largpamësi të madhe dhe kështu një gjëmë është shmangur.

Unë mendoj se ekziston mundësia që në të ardhmen ngjarje të tjera intriguese do të shfaqen dhe do të përpiqen për ta prishur paqen e përgjithshme. Sidoqoftë, ne, që e kemi nisur këtë aksion, duhet të jemi të prerë për ta çuar atë deri në fund. Ne do qëndrojmë dhe veprojmë të vendosur në përputhje me rrugën e treguar në Kur'an:

(Robtë e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe, kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur dinjitetin e vet. (el-Furkan, 25:72)

Gjithsecili tregon karakterin dhe dinjitetin e tij me veprimet që ndërmerr. Eshtë detyrë e njerëzve që shkojnë në udhën e drejtë të jenë zemërbutë. Nëse dikush vë në lojë Kur'anin dhe nuk i jep rëndësi namazit, agjërimit dhe pastërtisë morale, ky qëndrim duhet të konsiderohet si tregues i karakterit dhe sjelljes së tij. Por si besimtarë, ne nuk duhet të jemi njerëz agresivë apo tallës qoftë edhe ndaj atyre që veprojnë në mënyrë të pahijshme. Agresiviteti dhe vënia në lojë e të tjerëve nuk duhet të bëhen pjesë e jetës sonë. Një ajet tjetër thotë:

Thuaju atyre që besuan: Le t'ua falin atyre që nuk presin ndëshkimet e Allahut (pse nuk besojnë), ashtu që Ai vetë ta dënojë një popull për shkak të veprave që bëni. (el-Xhathije, 45:14)

Kjo në të vërtetë është thirrje për ndërgjegjen tonë. Kur ju shihni një njeri të verbër, a e godisni dhe e rrëzoni përtokë atë, apo e zini për dore dhe i tregoni rrugën?

Nga ky këndvështrim, detyra që u bie realizuesve të ideve të së ardhmes është të sjellin harmoni për mospërputhjet shoqërore, të ruajnë ekuilibrin që ndjehet i kërcënuar dhe t'i vështrojnë incidentet e pakëndshme me largpamësi. Pikërisht siç thuhet në një shprehje turke, "merr çfarë është e kënaqshme dhe lër atë që të shkakton dhimbje," ne duhet të qëndrojmë indiferentë për gjërat e pahijshme dhe të mos shkaktojmë ndonjë shqetësim apo konflikt.

Nëse ne do të vazhdojmë në këtë rrugë, atëherë për një kohë të shkurtër do bëjmë shumë hapa përpara. Sigurisht, do të ndeshemi me shumë përpjekje, nga brenda dhe jashtë, për ta shkatërruar këtë ekuilibër. Por për hir të vazhdimësisë së tolerancës, ne do të biem herë pas here dhe do të ngrihemi përsëri në orvajtjet për ta shmangur këtë shkatërrim. Lumi i tolerancës do të përmbysë gjithçka dhe nga sytë dhe zemrat e njerëzve do të rrjedhë dashuria. Të gjithë do të pushtojmë njëri-tjetrin me dashuri dhe, me vullnetin e Zotit, shekulli XXI do të quhet shekulli i tolerancës. Unë jam i paduruar që kjo të realizohet sepse një apo dy vjet tolerancë janë të pamjaftueshme. Ne jemi të vendosur që shekullin në të cilin jetojmë, ta përjetojmë me tolerancë. Në të vërtetë, ne dëshirojmë tolerancë për të gjitha kohërat, ne duam ta ndjejmë epokën e tolerancës dhe synojmë të mos kthehemi prapa nga kjo rrugë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.