Dy Trendafila per Majat e Smeraldta: Toleranca dhe Dialogu

Dialog do të thotë takim i dy ose më shumë njerëzve për të diskutuar çështje të përcaktuara dhe kështu krijohet një lidhje mes tyre. Në këtë kontekst, ne mund të shprehemi që dialogu ka krijesat njerëzore në boshtin e tij. Pa dyshim, gjithsecili është shpërblyer në përputhje me synimet dhe sinqeritetin e tij. Nëse njerëzit e bazojnë veprimtarinë e tyre në sinqeritetin dhe rrugën e drejtë, atëherë ata mund të jenë të fituar edhe në qoftë se të tjerët i quajnë humbës. Profeti i Zotit thotë: "Veprat gjykohen nga qëllimet,"[1] duke theksuar që synimi për besimtarët është më i rëndësishëm nga akti i tyre. Nëse vepra është gjendur mes qëllimeve të mira, ajo do të jetë e pëlqyeshme. Prandaj, në çdo veprim që mund të ndërmarrë një njeri, ai duhet të jetë i sinqertë në synimet e tij dhe të kërkojë pëlqimin e Zotit. Në këtë mënyrë askush nuk duhet të paragjykojë apo të shpifë rreth lidhjeve që janë vendosur mes grupimeve të ndryshme në emër të dashurisë, dialogut dhe tolerancës.

Shoqëria nuk mund të durojë më tronditje pas vuajtjeve të shumta nga plagët që ka marrë dhe pas pasigurisë që e ka pushtuar prej shumë kohësh. Nëse përqëndrimi antidemokratik i pushtetit bëhet një refren i vazhdueshëm për këtë popull dhe logjika e gjykimi janë zëvëndësuar me forcën dhe qëllimet e tij, atëherë nuk do të jetë e mundur që ky komb fisnik të gjejë vetveten përsëri. Si rezultat i kësaj fatkeqësie, ky vend që ngjante me parajsën mund të jetë kthyer pesëmbëdhjetë apo njëzet vjet prapa. Ka mundësi që ne të humbasim disa gjëra, për të cilat do të ndjehemi keq pasi i dëshirojmë ato edhe nëse janë mes atyre që po kritikojmë sot. Duke vijuar arsyetimin, nëse ne i nisim përpjekjet për dialog me bindjen që "pajtimi është më i dobishmi" (en-Nisa 4:128), atëherë duhet të demonstrojmë që jemi në krah të paqes në atdheun tonë dhe ngado. Në të vërtetë, paqja ka një rëndësi të madhe në Islam; betejat dhe lufta janë ngjarje të dorës së dytë, të lidhura me shkaqe dhe kushte të veçanta. Prandaj, mund të shprehemi që nëse një mjedis për paqen, ku të gjithë të jetojnë në qetësi dhe siguri, është i pamundur të gjendet në këtë vend, do të jetë e pamundur për ne që t'i bëjmë një shërbim të mirë shoqërisë dhe njerëzimit.

Konceptet e gabuara rreth Islamit

Nëse e vështrojmë problemin nga një kënd tjetër, muslimanët herë pas here janë keqkuptuar dhe, si rezultat, ata u janë nështruar presioneve dhe fyerjeve. Ne akoma kemi dëshmitë e muslimanëve që janë privuar nga të drejtat e tyre të ligjshme dhe thelbësore, për shembull nga e drejta e tyre për punë. Ky persekutim që besimtarët kanë provuar është bërë në emër të vlerave, si humanizmi, të drejtat njerëzore, bujaria, dashuria dhe toleranca që, në fakt, janë cilësi të Islamit. Ndërkaq, veçoritë dhe virtytet që janë përdorur kundër njerëzve besimtarë, janë bërë të shfrytëzueshme. Gjithmonë ka qenë i njohur një qëndrim i tillë dinak dhe mashtrues, prej atyre që nuk dëshirojnë të japin asnjë rast që Islami dhe muslimanët të ekzistojnë, këtu apo në çdo vend tjetër. Gjërat që janë pretenduar nuk janë të vërteta. Një musliman nuk mund të jetë kurrë një fanatik. Edhe nëse disa njerëz me karakteristika të tilla mund të shfaqen brenda bashkësisë islame, është e papërfytyrueshme të mendosh që të gjithë muslimanët janë krijesa të distancuara nga mirëkuptimi dhe toleranca. Në të vërtetë, në këto ditë çfarë kanë dëmtuar muslimanët dhe ç'të keqe kanë angazhuar dhe kundër kujt? Pavarësisht nga qëllimet e tyre të mira, disa njerëz kanë qenë të ngurtë në qëndrimet e tyre dhe janë vlerësuar në mënyrë të gabuar, ata janë bërë tabelë qitjeje për akuza të ndryshme në emër të dashurisë, tolerancës, lirisë dhe demokracisë. Megjithëse i kanë dëgjuar deri në fund këto falsitete, muslimanët e vërtetë kurrë nuk kanë lënduar asnjeri dhe kanë përgëzuar vetveten thjesht sepse nuk janë në rrugën për të cilën i kanë fajësuar. Akoma më tej, një grupim i fuqishëm nuk ka rreshtur duke i sulmuar ata. Vërtet, bukuria gjithmonë ka shpërthyer nga shpirtrat e pastër e të pafajshëm të muslimanëve dhe ka shenjtëruar e lartësuar burimet që gjenden në duart e tyre. Nuk mund të jetë ndonjë rrugë tjetër. Në Kur'an, në Sunnetin dhe në interpretimin shkencor e të qartë të të Dërguarit të Madh nuk ka gjurmë të ndonjë qëndrimi që është në kundërshtim me dashurinë, tolerancën ose dialogun në kuptimin për pikëpjekjet me të gjithë dhe, në shfaqjen e emocioneve dhe mendimeve tona. Ne nuk mund ta përfytyrojmë një fe që dëshiron të mirën e përgjithshme dhe u tregon të gjithëve - pa përjashtim - rrugën e shpëtimit, si një zhvillim të ndryshëm. Të ndjekim ajetet në Kur'anin e Ndritshëm që e shprehin në mënyrë perfekte këtë të vërtetë:

E nëse ju nuk merrni masa, nuk ua vini veshin dhe i falni, ta dini se edhe Allahu është mëkatfalës, mëshirues. (et-Tegabun, 64:14)

Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë. (el-Mumtehine, 60:8)

Thuaju atyre që besuan: Le t'ua falin atyre që nuk presin ndëshkimet e Allahut (pse nuk besojnë) ashtu që Ai vetë ta dënojë një popull për shkak të veprave që bëni. (el-Xhathije, 45:14)

Vërtet, kur ne vështrojmë Kur'anin, shohim që është stampuar në dashuri. Prandaj, zemrat e besimtarëve duhet t'i reklamojnë këto bukuri që tashmë janë tonat, duke ndryshuar imazhin negativ të muslimanëve. Ky imazh negativ ka qenë ushqyer në botë dhe ne tani duhet t'u shfaqim edhe njëherë faqen kryesore të Islamit atyre që pandehin se janë civilizuar, duke shfrytëzuar parimet e "besimit njerëzor."

Të shprehim falenderimet e pakufishme për Zotit që na ka ushqyer me zemërgjerësinë e Tij për devotshmërinë ndaj të vërtetës dhe për heronjtë e dashurisë që janë mbartësit e mesazhit të tolerancës, dialogut dhe dashurisë në të gjithë botën dhe po përpiqen të ndërtojnë "imazhin e ri të muslimanit" me zemrat plot me dashuri!

Në kërkim të pëlqimit të Zotit

Unë dëshiroj të theksoj faktin që muslimanët nuk do të humbasin asgjë duke iu përkushtuar dialogut, dashurisë dhe tolerancës. Muslimanët vazhdimisht kërkojnë pëlqimin e Zotit, kjo është arritja më e madhe për të gjithë ne. Nga kjo pikëpamje, gjërat që mund të duken si humbje për disa njerëz, janë vështruar si fitore nga muslimanët, ndërsa eventualitete të tjera mund të jenë në të vërtetë të dëmshme edhe kur ata duken si fitimprurëse. Për më tepër, ne nuk duhet të kemi dyshime lidhur me Islamin, librin e shenjtë të tij ose ndryshe, përfaqësuesin më të shkëlqyer që është Kur'ani, dhe Krenarinë e Njerëzimit, paqja dhe bekimi qofshin mbi të! Ne e dimë që Islami do të vazhdojë me siguri në rrugën drejt së ardhmes pavarësisht nga të gjitha pengesat. Çdo çështje në Kur'an ka gjetur një gjykim. Një libër që është në gjendje të zgjidhë të gjithë problemet e së ardhmes! Princi i Profetëve, për të cilin Bernard Shou ka thënë, "Ai i zgjidh të gjitha problemet me lehtësinë që mund të pish një kafe", iu dërgua njerëzimit me detyrën për t'u treguar njerëzve të gjitha zgjidhjet për problemet deri në Ditën e Gjykimit. Si në shekullin e kaluar, problemet e kohëve tona dhe të atyre që do të vijnë, të cilat ngjajnë të jenë larg nga zgjidhjet e zhurmshme, do të gjejnë përgjigje nga arkitektët e mendjes dhe të zemrës që i kanë bazuar zgjidhjet e tyre në këto burime të shenjta.

Sigurisht, nuk është e nevojshme që ne të ndihemi të shqetësuar, siç besojmë që duke shpjeguar shprehjet dhe thëniet e Kur'anit të Shenjtë dhe të Profetit tonë, ofrojmë zgjidhjet më të qëndrueshme për një mori problemesh. Në opinionin tim, ata që janë pajisur me këta pishtarë, do të vuajnë por nuk do të humbasin. Me ndihmën dhe zemërgjerësinë e Zotit, do të mund të shkojnë kudo në botë dhe mund të dialogojnë me këdo. Në këtë mënyrë, kjo nuk është një kauzë për interesa personale. Rëndësi ka fakti që ne duhet të njohim burimet që zotërojmë dhe t'i përdorim ato kur të na nevojiten. Po ashtu, ne nuk duhet të abuzojmë nga lidhja e tyre me dobësitë tona, fizike apo dëshira tokësore. Me ndihmën dhe drejtimin e tyre ne do të kërkojmë vetëm pëlqimin e Zotit dhe jetën e përtejme.

Në të vërtetë, pikërisht siç nuk kemi edhe dyshimin më të vogël në lidhje me Kur'anin dhe Profetin e Zotit dhe ashtu siç nuk kemi dyshim në drejtësinë e tyre, nuk ka arsye që ndokush të jetë mosbesues ndaj nesh. Por, nëse akoma disa njerëz ndjehen të tmerruar nga një frikë e pamotivuar, ata u përkasin atyre që janë të shqetësuar lidhur me besueshmërinë e forcave lëvizëse dhe burimeve në të cilat janë mbështetur.


[1] Buhari, Bed'u'l-Vahj, 1; Itk, 6; Muslim, Imarat, 155; Ebu Davud, Talak, 11.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.