Një jetë kushtuar paqes dhe lumturisë njerëzore

Hyrje

I lindur në Erzurum të Turqisë më 1941, M. Fethullah Gyleni është një studiues dhe mendimtar islam, një shkrimtar dhe poet pjellor. Ai u arsimua në shkencat fetare nga dijetarë dhe mësues shpirtërorë të shquar islamë të kohës. Gyleni gjithashtu studioi edhe teoritë dhe parimet e shkencave moderne shoqërore e të natyrës. Bazuar në aftësitë e jashtëzakonshme autodidakte për të mësuar, ai shumë shpejt i la pas shokët e tij. Më 1958, pasi arriti rezultate të shkëlqyera në provime, atij iu dha licenca e predikuesit zyrtar dhe, menjëherë, u gradua me një post në Izmir, qyteti i tretë për nga madhësia në Turqi. Kjo ishte koha kur Gyleni filloi të kristalizonte temat dhe të zgjeronte bazat e audiencës së tij. Në predikimet dhe ligjëratat që mbante, ai theksonte çështjet e shtypjes shoqërore në kohëra pasi qëllimi i tij i veçantë ishte të inkurajonte brezin e ri për të harmonizuar ndriçimin intelektual me urtësinë shpirtërore dhe një përkujdesje për aktivizmin human.

Gyleni nuk u kufizua vetëm në qendrat e qyteteve për të predikuar. Ai udhëtoi nëpër provincat e Anadollit dhe predikoi jo vetëm nëpër xhamitë, por edhe në tubime shoqërore dhe në kuvendet e ngushta rreth filxhanit të kafesë. Kjo e mundësoi atë të arrinte një përfaqësim model në popull dhe të tërhiqte vëmendjen e komunitetit akademik, posaçërisht të studentëve. Përmbajtja e temave në ligjëratat e tij, zyrtare ose jozyrtare, nuk kufizohej vetëm në çështjet fetare; ai fliste edhe rreth arsimit, shkencës, darvinizmit, rreth ekonomisë dhe drejtësisë shoqërore. Ishte thellësia dhe cilësia e ligjëratave të tij në tema të tilla të gjera që bëri më shumë përshtypje në komunitetin akademik duke fituar vëmendjen dhe respektin e tyre.

Gyleni u tërhoq nga detyra zyrtare e vaizit më 1981, duke qenë frymëzimi i një brezi të tërë studentësh. Përpjekjet e tij që datojnë nga viti 1960, posaçërisht me reformën edukative, e kanë bërë atë një prej figurave më të mirënjohura dhe të respektuara në Turqi. Nga viti 1980 e gjer më 1991 ai mbajti një varg predikimesh si vaiz nderi në disa prej xhamive më të famshme në qendrat më të populluara, ndërsa vazhdonte të dërgonte mesazhin e tij në formën e bisedave popullore jo vetëm në Turqi, por edhe në Europën Perëndimore.

Idetë Kryesore

Në ligjëratat dhe shkrimet e tij, Gyleni e imagjinonte shek. XXI si shekullin në të cilin ne do të dëshmonim lindjen e një force shpirtërore që do të rivitalizonte vlerat morale pas një përgjumjeje të gjatë, një shekull të tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar që do të sillte më në fund, përmes dialogut ndërkulturor dhe pjesëmarrjes së vlerave, qytetërimin gjithëpërfshirës. Në fushën e edukimit, ai kishte drejtuar krijimin e shumë organizatave mirëbërëse që punonin për mirëqenien e komunitetit brenda dhe jashtë Turqisë. Ai ka frymëzuar shfrytëzimin e mjeteve të komunikimit masiv, veçanërisht të televizionit, për të informuar publikun në lidhje me problemet imediate personale dhe shoqërore të njerëzve.

Gyleni beson se rruga e drejtësisë për të gjithë varet në përgatitjet për përvetësimin e një edukimi universal të saktë. Vetëm atëherë do të jetë i mjaftueshëm mirëkuptimi dhe toleranca për të siguruar respekt për të drejtat e të tjerëve. Për këtë qëllim, ai ka inkurajuar përgjatë viteve elitën shoqërore dhe drejtuesit e komuniteteve, industrialistët e fuqishëm si dhe tregtarët e vegjël, të mbështesnin arsimin cilësor. Me donacionet nga këto burime, organizmat edukative kanë qenë në gjendje të hapin shkolla në Turqi dhe jashtë saj.

Gyleni ka deklaruar se në botën moderne e vetmja mënyrë për t'i bërë të tjerët të pranojnë idetë tuaja është bindja. Ai i përshkruan ata që përdorin dhunën si qenie intelektuale të rrënuara. Njerëzit gjithmonë do të kërkojnë lirinë për rrugëdalje në udhët ku kalojnë shqetësimet e tyre dhe në shprehjen e vlerave të tyre morale dhe fetare. Gyleni argumenton se demokracia, me gjithë të metat e saj të shumta, është tani i vetmi sistem politik frytdhënës dhe njerëzit duhet të përpiqen të modernizojnë dhe konsolidojnë institucionet demokratike me qëllim që të ndërtojnë një shoqëri ku liritë dhe të drejtat e individit të respektohen dhe mbrohen, ku ekzistenca e mundësive të njëjta për të gjithë të mos jetë më shumë se një ëndërr!

Aktiviteti Ndërfetar dhe Ndërkulturor

Që prej lirimit nga detyra e vaizit ose predikuesit zyrtar, Gyleni i ka përqendruar përpjekjet e tij në vendosjen e dialogut midis fraksioneve që përfaqësojnë ideologji, kultura, fe dhe kombësi të ndryshme. Më 1999, studimi i tij "Domosdoshmëria e Dialogut Ndërfetar" u paraqit në parlamentin e feve botërore të mbledhur në Kejp Taun (Cape Town) nga 1-8 dhjetor. Në atë studim ai pohonte se "dialogu është një domosdoshmëri" dhe se popujt, pavarësisht nga dallimet kombëtare ose kufijtë politikë, kanë më shumë gjëra të përbashkëta në krahasim me ç’pandehin se kanë të tilla që i ndajnë!

Gyleni e konsideron të vlefshëm dhe të nevojshëm vendosjen e dialogut reciprok me qëllim që të rritet mirëkuptimi i ndërsjellë. Për këtë qëllim, ai ka ndihmuar në krijimin e Fondacionit të Gazetarëve dhe Shkrimtarëve më 1994, veprimtaria e të cilit për të promovuar dialogun dhe tolerancën midis të gjitha shtresave të shoqërisë është pritur ngrohtësisht nga njerëzit e pothuajse të gjitha fushave të jetës. Përsëri për këtë qëllim, Gyleni vizitoi dhe priti figura udhëheqëse jo vetëm nga ata që gjendeshin mes popullit turk, por nga e gjithë bota. Papa Gjon Pali II në Vatikan, më vonë Xhon O'Konor, Argjipeshkëv i Nju Jorkut, Leon Levi, ish-president i The Anti-Defamation League, janë midis shumë përfaqësuesve udhëheqës të religjioneve botërore me të cilët Gyleni është takuar për të diskutuar rreth dialogut dhe për të marrë iniciativa në këtë kontekst. Në Turqi, ambasadori i Vatikanit për Turqinë, Patriarku i Kishës Ortodokse Turke, Patriarku i Komunitetit të Armenëve, Rabini i Madh i Komunitetit të Hebrenjve Turq dhe shumë figura të tjera udhëheqëse janë takuar shpesh me të duke dhënë një shembull se si mund të ndërtohet dialogu i sinqertë midis popujve dhe komuniteteve me besime të ndryshme.

Në takimin e tij me Papa Gjon Palin II në Vatikan më 1998, Gyleni paraqiti një propozim për të ndërmarrë hapa të sigurt për shuarjen e konfliktit në Lindjen e Mesme nëpërmjet bashkëpunimit në këtë vend, që është origjina e të tre feve. Në propozimin e tij, ai gjithashtu nënvizonte faktin që shkenca dhe feja janë në fakt dy aspekte të ndryshme që rrjedhin nga e njëjta e vërtetë: "Njerëzimi herë pas here ka mohuar fenë në emër të shkencës dhe ka mohuar shkencën në emër të fesë, duke provuar që të dyja qëndrimet shfaqin këndvështrime mospajtuese. Të gjitha dijet i përkasin Zotit dhe feja është prej Zotit. Atëherë si mund të jenë ato në konflikt? Për këtë qëllim, përpjekjet tona të përbashkëta drejtohen në dialogun ndërfetar që mund të bëjë shumë për përmirësimin e mirëkuptimit dhe tolerancës midis popujve."

Gyleni lëshoi një deklaratë shtypi duke denoncuar aktet terroriste të 11 shtatorit në SHBA, të cilat ai i vlerësoi si një goditje të rëndë për paqen botërore që padrejtësisht errësoi autoritetin e besimtarëve. Në deklaratën e tij ai thoshte: "Terrori nuk mund të përdoret në emër të Islamit apo për hir të ndonjë qëllimi islam. Një terrorist nuk mund të jetë mysliman dhe një mysliman nuk mund të jetë terrorist! Një mysliman mund të jetë vetëm përfaqësues dhe simbol i paqes, mbarëvajtjes dhe prosperitetit!”

Përpjekjet e Gylenit për paqe botërore kanë pasur jehonë në konferenca dhe simpoziume. "Simpoziumi i Heronjve të Paqes", i mbajtur më 11 -13 prill 2003 në universitetin Agustinian të Teksasit, nxori një listë të luftëtarëve të paqes gjatë 5000 vjetëve të historisë njerëzore. Gyleni ishte përmendur midis heronjve bashkëkohës të paqes në një listë në të cilën përfshiheshin emra të tillë si Jezusi, Buda, Mohandas Gandi, Martin Luter Kingu dhe Nënë Tereza.

Gyleni ka dhënë kontributin e tij për një sërë gazetash dhe revistash. Ai shkroi faqen editoriale për revista të ndryshme. Ai shkroi artikuj për The Fountain, Yeni Ümit, Sızıntı dhe Yaĝmur, revista që udhëheqin mendimin shpirtëror dhe popullor në Turqi. Ai ka shkruar më shumë se dyzet libra, qindra artikuj, dhe ka të incizuara mijëra kaseta dhe videokaseta. Ai ka mbajtur ligjërata të panumërta për shumë çështje shoqërore dhe fetare. Disa prej librave të tij - shumë prej të cilave janë ndër më të shiturit në Turqi - janë në qarkullim në edhe në gjuhën shqipe, të tilla si, Dritë e Pashuar 1,2; Drejt një Qytetërimi Botëror me Dashuri dhe Tolerancë; Kriteret ose Dritat e Rrugës ; Nën Hijen e Besimit 1,2; Lëkundjet që solli shekulli 1,2,3,4; Jeta pas Vdekjes; Kaderi; E Vërteta e Krijimit dhe Evolucioni; Një Vështrim Islam mbi Terrorin dhe Sulmet Vetëvrasëse (bashkautor), etj. Një numër i madh i librave të Gylenit janë përkthyer gjithashtu në anglisht, gjermanisht, rusisht, italisht, frëngjisht, arabisht, spanjisht, japonisht, indonezisht, etj.

Organizmat arsimore-edukative të frymëzuara nga Gyleni kanë krijuar organizata dhe fondacione të panumërta jofitimprurëse në Turqi dhe jashtë saj, të cilat japin shumë bursa studimi.

Ndonëse një figurë shumë e njohur publike, Gyleni gjithmonë ka qëndruar larg angazhimit në politikën zyrtare. Admiruesit e Gylenit përfshijnë gazetarë, akademikë, personalitete televizive, politikanë dhe shumë autoritete turke dhe të huaja. Ata shohin tek ai një novator të vërtetë dhe një reformator shoqëror të jashtëzakonshëm që praktikon çfarë ka predikuar. Ata e shohin atë si një aktivist paqeje, si një intelektual, si një studiues fetar, udhërrëfyes, shkrimtar dhe poet, një mendimtar të madh dhe drejtues shpirtëror që ia ka kushtuar jetën e tij kërkimit të zgjidhjeve për sëmundjet e shoqërisë dhe nevojat shpirtërore. Ata e shohin lëvizjen që ai e ndihmoi të rritej si një lëvizje kushtuar edukimit, por një edukimi të zemrës, shpirtit dhe mendjes, me synimin për të ripërtërirë dhe fuqizuar tërë burimet për të arritur kompetencën dhe mundësinë e të mirave dhe shërbimeve në dobi të të tjerëve.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.