Intelektuali dhe ringjallja

Intelektuali dhe ringjallja

Pyetje: Cila është rëndësia e njerëzve intelektualë në ekzistencën dhe në ringjalljen e një shoqërie? Çfarë duhet bërë për përgatitjen e njerëzve në një nivel të tillë?

Përgjigje: Intelektual quajmë atë rrugëtar të së vërtetës, i cili, një çështje që merr në duar e hulumton në thellësi e me dashuri për dijen dhe për të vërtetën, që zotëron dije të gjera dhe që dijet e fituara është në gjendje t’i shprehë e t’i paraqesë me guxim qytetar. E pra, në këtë kuptim, zhvillimi i një klase intelektuale mbart një rëndësi jetike për ringjalljen e një kombi, ndaj edhe sado gjatë që të diskutohet për këtë, ia vlen. Por nuk duhet harruar asnjëherë se një çështje kaq e rëndësishme nuk është një punë aq e thjeshtë. Për shembull, në shoqërinë tonë, e cila ka përjetuar dëmtime shumë të rënda njëri pas tjetrit, madje në një shkallë shumë serioze, prej disa shekujsh, jo vetëm përgatitja e një kuadri intelektual të këtij niveli, por edhe reforma shoqërore për përgatitjen e njerëzve të zakonshëm që të jenë të çliruar në botën e tyre të ndjenjave e të mendimit nga devijimet dhe shformimet, është shumë i vështirë dhe ka nevojë për një kohë vërtet të gjatë. Nëse nuk fryn një erë e kundërt, nëse nuk përballemi me një kundërshtim shumë serioz, nëse dikush nuk ngrihet të trazojë të korrat, të shkelë bereqetin e ta shpërdorojë atë, qoftë edhe në këto kushte, realizimi i një reforme të tillë ndoshta mund të kërkojë të paktën pesëdhjetë vjet. Ndaj edhe kjo çështje, më së pari, duhet trajtuar dhe vlerësuar në mënyrë racionale. Natyrisht që me mirësi e bekime edhe më të mëdha prej Zotit të Madhëruar, gjithmonë është e mundshme që kombi ynë të përfitojë një institucion të tillë të inteligjencies edhe përtej asaj çka mund të pritet. Por ne, që jemi të ngarkuar me përgjegjësinë e ndjekjes së shkaqeve e të pasojave, duke e trajtuar çështjen në fjalë, para së gjithash, duhet ta vlerësojmë atë nga ky këndvështrim.

Pas një ndarjeje të gjatë

Disa e shohin prapambetjen tonë të nisë me periudhën e Tanzimatit. Mirëpo Tanzimati është vetëm emri i asaj periudhe, në të cilën edhe ne vetë e ndiem se ramë si në një gjendje nokauti. Në të vërtetë, stanjacioni dhe ngecja mendore mund të shkojë shumë më prapa në kohë. Për shembull, nëse do ta shohim në qasjen e Mësuesit të Nderuar, qysh në çlirimin e Stambollit, ndërsa nga njëra anë na hapeshin dyert e ngadhënjimit, nga ana tjetër duket sikur në jetën tonë, dyert e hapura ndaj mendimit dhe dijes mbylleshin. [188] Madje, ai, duke e çuar çështjen edhe më tutje në kohë, e lidh historinë e nisjes së mbylljes së dyerve të dijes e të mendimit në jetën tonë qysh me shekullin e pestë të hixhrit. [189] Po, po. Nëse e shohim çështjen në një këndvështrim të përgjithshëm, duket sikur deri në shekullin e pestë, ne kemi vënë krejt pasurinë tonë si në fushën e shkencave pozitive si fizika, kimia, biologjia, mjekësia, si në dijet teologjike si interpretimi, hadithi, fikhu, metodologjia e fikhut etj.. Nëse na lejohet të shprehemi kështu, duket sikur sa vezë kishim mundësi e fuqi të bënim, i kemi lëshuar e zbrazur të gjitha në qymez. Ndërsa pas asaj kohe, jemi mjaftuar duke vlerësuar veprat e zgjedhura, të shkruara prej të vjetërve, veç duke u shtuar atyre shënime e komente. Dhe natyrisht që duke u marrë vetëm me këtë, i premë rrugën mendimit e gjykimit të thellë. Gjer më tash, nuk kemi pasur qendra kërkimore e laboratore tonat, të ngritura në vendin tonë, ndaj edhe analiza dhe hulumtime serioze për të kapërcyer këtë ngecje nuk ka qenë e mundur të bëheshin.

Ndërkohë që, qysh në kohën e abasidëve janë bërë punime për të vërtetuar rrumbullakësinë e rruzullit tokësor dhe në lidhje me këtë temë, dijet e ditëve tona kanë mbërritur në përfundime të përafërta me ta. Po kështu, në një kohë të hershme, në shekullin e katërt të hixhrit, shkencëtarët myslimanë janë shprehur se eklipset e diellit e të hënës janë periodike dhe në lidhje me këtë kanë paraqitur konstatimet më të drejta. [190] Mund t’i shtojmë edhe më shembujt. Sepse po t’i shohim këta shekuj për nga historia e shkencës, shihet se jo vetëm në fushën e astronomisë, por edhe në degë të dijes si matematika, mjekësia, kimia etj., janë arritur zhvillime të mëdha shkencore që do të shërbenin për të ndriçuar shekujt që do të pasonin.

E pra, pas kësaj periudhe të artë, ndodhën ato që ndodhën dhe duket sikur që nga shekulli i pestë e këtej, në këto veprimtari shkencore nisi një periudhë stanjacioni serioz. Medreseja, nga njëra anë nisi t’u mbyllte dyert shkencave pozitive dhe nga ana tjetër filloi të mbante qëndrim kundër horizontit të zemrës e të shpirtit. Në përfundim, teqeja dhe medreseja u shkëputën prej njëra-tjetrës, shkencat pozitive, dijet fetare dhe jeta e zemrës dhe e shpirtit u larguan nga njëra-tjetra dhe secila prej tyre u mënjanua. Ndërkohë që këto janë si tri anët e një njësie të vetme. Nëse i qasni të tria së bashku, dhjetë bukuri dalin në pah dhe nëse ato i zhvilloni në harmoni të plotë me njëra-tjetrën, mbërrini në njëqind bukuri.

Në pesë shekujt e parë të hixhrit, njerëzit e asaj kohe, të mbushur plot e për plot me dashuri për hulumtimin dhe për të vërtetën, me të vërtetë që e shtjelluan çështjen shtresë pas shtrese, duke e shpërfaqur atë në thellësitë e saj të ndryshme. Por më pas, dyert dalëngadalë u mbyllën dhe perdet u ulën. Paskëtaj, krahas botës metafizike e psikike dhe kundrejt ligjësive natyrore, ndodhi një divorc përmes ndarjes së tri shkencave. Kuptimi i saj është që ato nuk do të ishin më kurrë bashkë. Por, nëse do ta shprehim çështjen përmes një shakaje, pas divorcit me mendimin sistematik, me dashurinë për të vërtetën dhe me pasionin për kërkim shkencor, për t’i arritur këto edhe njëherë do të duhej një tjetër martesë. Pasi i ndamë këto, duke qenë se u gjendëm në gjerdek me mendimet e huaja, edhe ky kusht u vu në vend. Prandaj, duke i qëndruar shakasë, mund të themi se tashmë, ka ardhur sërish stina e një gjerdeku të ri për mendjen dhe për zemrën.

Trualli për zhvillim intelektual

Ndërkohë, duhet pohuar edhe se, krahas këtyre konstatimeve, nuk duhet çuar nëpër mend që po i marrim lehtë edhe sa e sa përpjekje të mëdha që janë bërë në të shkuarën. Sepse ne dimë dhe besojmë se etërit tanë, ndër shekuj, kanë qenë flamurtarë të Islamit dhe njëkohësisht kanë mbrojtur krenarinë, nderin dhe dinjitetin e tij. Me leje të Allahut, me këto gradë të arritura, kanë mundësinë të jenë së bashku nën flamurin e Zotërisë sonë, Profetit (s.a.s.). Por krahas vlerësimit që na takon të bëjmë për këto cilësi të bukura që ata kanë pasur, çështja duhet parë në një vështrim më të plotë dhe më tërësor. Pa dyshim që ne, duke qenë se nuk jemi kronikanë që i lexojmë ndodhitë duke u gjendur në brendi të ngjarjeve e duke i jetuar vetë ato dhe duke qenë se nuk i njohim plotësisht kushtet dhe rrethanat e kohës në të cilën ata njerëz kanë jetuar, ndoshta mund të arrijmë në disa gjykime të gabuara. Por krahas kësaj, nuk mund të rrimë, në fakt, pa ngritur disa pikëpyetje mbi disa çështje. Për shembull, nuk mund të mos ia bëjmë vetes këto pyetje: Përse vallë gjer në kohën e Abdylhamidit II nuk u ngritën institucione të tilla si një Mühendishane-i Hümâyûn” (Shkolla e Lartë e Inxhinierisë) apo një Tıbbiye-i Şahane”(Shkolla e Lartë e Mjekësisë)? Përse pati kaq vonesë për hapjen e këtyre institucioneve, që mbartin një rëndësi jetike në shoqëri? Krahas sukseseve tona në fusha të tjera, përse nuk funksionuan në të njëjtën masë laboratorët dhe qendrat tona kërkimore? Disa çështje që kanë të bëjnë me shkencat pozitive, pse nuk u trajtuan më herët? Pyetjet mund t’i shtoni edhe më. Por më këto pyetje, çështja thelbësore, tek e cila duam të tërheqim vëmendjen, është kjo: Pas një ngecjeje të gjatë që pësuam, rruga për të përgatitur një klasë elitare dhe intelektuale është shumë e ashpër dhe e vështirë. Por pavarësisht të gjitha këtyre rrethanave të vështira e negative, për rilindjen e kombit tonë, për ringritjen e përmendores së shpirtit tonë, kemi nevojë për njerëz që i dinë saktë ato çka janë të nevojshme të dihen, që ato çka i dinë saktë janë në gjendje t’i përçojnë me zë buçitës në mjediset e duhura, pra, që kur është e nevojshme oshëtijnë si retë dhe që kur oshëtijnë, zbrazin plot bereqet shirat e bekuara. Për shembull, një njeri që është i angazhuar në fushën e shkencave të fesë, duhet t’i njohë drejtimet themelore të shkencave islame si interpretimi, hadithi, jurisprudenca, retorika, metodologjia juridike... dhe atë që di, duhet të jetë në gjendje t’ua përcjellë me shumë lehtësi bashkëbiseduesve të vet. Së paku, duhet të zotërojë një informacion në nivel enciklopedik. Pra, një çështje me të cilën përballet, duhet të dijë se ku mund ta gjejë, duhet të mund të thotë: “Kjo çështje shprehej në këtë kontekst në akcil burim. Mbështetja, qëndrimi ishte ky.” Nëse do të duhej të paraqisnim një standard, për shembull, një njeri që merret me hadithin, së paku, në lidhje me një hadith që has, duhet të mund të thotë: “Mua ky hadith nuk më kujtohet ta kem parë në Kutub-u Sitte. Por mund ta kem parë në Zeuaid”; dhe për këtë hadith që po trajton, duhet të jetë në gjendje të thotë nëse gjendet në Mustedrekun e Hakimit apo në Sunenin e Darakutniut apo në veprat e hartuara më vonë. Ja pra, për të përgatitur një klasë të tillë intelektualësh, edhe nëse mobilizohen mijëra njerëz, them se ia vlen.

Ndoshta kur unë ju shpjegoj këto gjëra, mendja mund t’ju shkojë të thoni: “Në ditët e sotme, duke qenë se teksti i haditheve instalohet në kompjuter, mjafton që të shtypësh një tastë dhe hadithi i kërkuar na shfaqet menjëherë para syve.” Por le ta pohojmë sakaq se kjo nuk është shkencë. Po, po. Të klikosh diku e të marrësh një çështje, ta printosh atë, pastaj çështjet e printuara t’i hedhësh në libra, pastaj ato libra t’ua paraqesësh jurive, në kuptimin e vërtetë, kjo nuk është shkencë. Puna është që të jesh në gjendje që temat e trajtuara të mund t’i zotërosh në thelbin e në frymën e tyre, në një nivel të tillë që të mund t’i shtjellosh sipas vlerësimit të të parëve tanë të mirë.

Nga ky këndvështrim, ata njerëz të rrallë, që u rritën në shekullin e tretë të hixhrit, unë gjithmonë i kam parë si njerëz të mrekullueshëm, që Zoti i Madhëruar i pati krijuar veçanërisht për Islamin. Po, po. Njerëz si Imam Buhariu, Imam Muslimi, Ebu Davud Sixhistani, Imam Tirmidhiu, Imam Nesaiu, Ibni Maxhe, për mendimin tim, janë njerëz që Allahu i krijoi me një karakter të veçantë. Edhe nëse disa përpiqen ta lënë si pa u vënë re, në të vërtetë, edhe i nderuari Imam Tahavi nuk mbetet pas këtyre. Madje përkufizimet dhe kriteret që ai paraqiti në çështjen e tekstit të hadithit janë një hap përpara edhe në krahasim me Imam Buhariun. Shkurt, duke parë veprat dhe punimet e kryera prej atyre personaliteteve të jashtëzakonshme, do të shihet se ata thuajse janë krijuar qëllimisht me cilësi të veçanta.

E pra, në një periudhë kur jetuan personalitete madhështore si Buhariu apo Ebu Hanifja, ndërsa njerëzit që ndiqnin mektebin e tyre ishin me mijëra, ndër ata mijëra përgatiteshin vetëm njëzet a tridhjetë, të cilët mund t’i quajmë intelektualë. Nga ky këndvështrim, nëse i viheni udhës për të arritur një synim kaq të lartë e madhështor, me sa më shumë njerëz që të niseni, aq më shumë përparësi do të keni në kthim dhe do të mund të lini pas një truall, prej të cilit kombi do të përfitojë po në ato masa.

Në çështjen e përgatitjes së një klase intelektuale dhe të një elite që do të mund të bëhet shkak për ringjalljen dhe zhvillimin e kombit tonë, një tjetër hollësi e rëndësishme që kam vënë re është edhe rishikimi po sipas këtij pikëvështrimi i programeve mësimore që nga shkollat fillore e të mesme dhe deri tek karriera akademike në universitete. Sepse me programin aktual mësimor, duke përjashtuar sukseset e arritura prej punimeve në nivel privat, duket shumë e vështirë që të përgatisim një klasë intelektuale. Po, po. Sado e hidhur që të jetë, duhet ta pohojmë se tani për tani, as gjimnazet tona nuk janë në gjendje të përgatisin njerëz që do të ishin kandidatë për të qenë pjesë e një elite intelektuale dhe as universitetet nuk kanë mundësi të përgatisin njerëz cilësorë e të kualifikuar në këtë drejtim. Me këto fjalë, nuk duam të themi se “me konceptin arsimor që kemi tani nuk mund të arrihet asnjë përfundim pozitiv dhe asnjë fryt.” Por duhet vënë re, se sukseset dhe arrijet e mundësuara, janë të lidhura më tepër me përpjekje të veçanta. Në këtë mënyrë, disa suksese e arritje të veçuara nuk ndihmojnë për të dhënë një mendim për arsimin dhe nivelin e tij në përgjithësi. Ju, në një shkollë, mund të zgjidhni disa nxënës të aftë, të punonin natë e ditë me ta dhe ata, në përfundim të kësaj pune, mund të arrijnë sa të marrin pjesë në olimpiadat e organizuara në vende të ndryshme të botës, të arrijnë suksese, duke fituar edhe medalje. Por kjo gjendje nuk tregon se në kuptim të përgjithshëm, niveli mësimor e kulturor në vendin tonë është i lartë. Nëse suksesi shtrihet e përhapet, atëherë mund të thoni se në vendin tuaj cilësia e arsimit është e lartë dhe me nivel. Pra, pa dashur ta zhvlerësojmë të tashmen, ka një të vërtetë të padiskutueshme se sot, në punën me arsimin, kemi nevojë për një reformë serioze në gjimnaze, në universitete dhe në qendrat kërkimore.

Në lidhe me këtë çështje, një tjetër hollësi tek e cila duhet ndalur është edhe që në punët kërkimore të kryera, të merren si bazë vlerat themelore të kombit tonë. Nëse ne do të vlerësojmë përfundimet e arritura prej të tjerëve përmes mendimesh natyraliste, pozitiviste dhe, në njëfarë mënyre, materialiste dhe pastaj do të mundohemi të arrijmë një përfundim sipas vlerave tona, duhet ta dimë se në këtë rrugë nuk është e mundur t’ia arrijmë qëllimit. Nga kjo pikëpamje, të gjitha rrugët, metodat dhe metodologjitë që bien në kundërshtim me vlerat tona themelore duhet t’i përballim me kritikën dhe t’i filtrojmë. Ndaj edhe, si shoqëri, sikurse ngritët vetë laboratorin, edhe hulumtimin nga fillimi gjer në fund do ta bëni vetë; duhet ta bëni vetë dhe ta shihni me sytë tuaj nga fillimi gjer në fund, ta testoni gjithçka me duart tuaja dhe në atë mënyrë duhet t’ia arrini qëllimit.

Mundi e përpjekjet nuk duhen lënë pa shpërblyer

Në lidhje me këtë temë, një tjetër hollësi është edhe kjo: kur mendoni të zhvilloni elita apo intelektualë, duhet të merrni parasysh e të respektoni edhe realitetin e shprehjes që përdoret shpesh në ditët tona: “Talenti kërkon vlerësim.” Është e vërtetë se shpirtrat e përkushtuara e të kyçura në dëlirësi nuk veprojnë/nuk duhet të veprojnë për hir të vlerësimit. Ndoshta për ta, shprehja e sipërpërmendur duhet ndryshuar e duhet thënë: “Vlerësimi kërkon talent.” Pra, nëse ju tregoni talent e zotësi, bota mbarë në dashtë le t’ju vlerësojë e në dashtë le të mos ju vlerësojë, ju kurrsesi nuk bini në pritshmëri të tilla. Por duhet ditur se ajo që na përket neve, është që të sillemi me objektivitet dhe të mos e shpërfillim këtë realitet njerëzor.

Kur shihni punimet e bëra në Perëndim, vëreni se ata, me punë e përpjekje të mëdha, e kanë zbërthyer gjer në hollësi Librin e Universit. Për shembull, njëri thotë: “Unë kam plot njëzet vjet që jetoj në këtë pyll enkas për të bërë një kërkim shkencor mbi kobrat.” Më pas, në dokumentarin e transmetuar, shihin se meshkujt e kobrave e dinë se janë helmues dhe për të mos u kafshuar me njëri-tjetrin, thuajse bien në një marrëveshje. Nëse njëri i shtyp kryet tjetrit, atëherë ai vjen e bëhet sundimtari i zonës, ndërsa i munduri e braktis atë vend dhe shkon tjetërkund.

Një tjetër bën një hulumtim për akrepat. Kërkuesi kap sinjalet që ata përdorin për të komunikuar me njëri-tjetrin. Kur unë e pashë këtë për herë të parë, u çudita jashtëzakonisht shumë. Kërkuesi kishte zbuluar sinjalin e akrepave. Më pas, me një pajisje, kishte nisur ta transmetonte këtë sinjal dhe akrepat, të gjendur nën gurë të ndryshëm, drejtonin bishtat e reagonin duke kërcyer. Tani, pavarësisht masës në të cilën ky hulumtim ka gjetur pranim si e vërtetë shkencore, nuk është e mundur që të mos e vlerësosh këtë vepër për nga mundi dhe përpjekja e bërë.

E pra, këta njerëz kanë rendur nga njëzet vjet kush pas akrepit, kush pas kobrave, kush pas antilopave. Në Perëndim, një njeri që bën një kërkim të tillë, mendon kështu: “Nëse unë robtohem këtu njëzet vjet me këtë punë, ky shërbim nuk do të mbetet pa u vlerësuar. Do të shihet e do të njihet, do të vlerësohet me çmim dhe prej punimeve të mia do të jem edhe unë që do të kem përfitimin tim.” Dhe vërtet, ashtu ndodh. Shkencëtarët dhe kërkuesit shkencorë vlerësohen me një shpërblim që u mundëson që të jetojnë e ta mbyllin jetën më së miri. Ka edhe njerëz si Ajnshatjni apo Edisoni, të dhënë aq shumë pas kërkimit, që kanë vepruar me pasion e dëshirë në hulumtime e në shkencë. Këta janë njerëz që janë ndarë nga kjo botë pa e marrë vlerësimin dhe shpërblimin që meritonin për përpjekjet dhe punët e tyre. Madje edhe për njeriun që shpiku kinemanë, thuhet se në mbrëmjen gala të organizuar për të, vdiq prej urisë. Por në përgjithësi, mund të thuhet se punimet e kryera janë shpërblyer dhe nuk kanë mbetur pa u vlerësuar. Tani, përballë kësaj gjendjeje, se si duhet të rendim e ç’sakrifica duhet të bëjmë ne për hir të dashurisë për të vërtetën që na ka urdhëruar feja jonë, po ua lë mendimit dhe ndërgjegjes tuaj që ta gjykojnë vetë dhe po vijoj më tej.

Për këtë arsye, sipas mendimit tim, çdo mund, punë e përpjekje e treguar në garimin në fushën e shkencës duhet çmuar e vlerësuar dhe askush nuk duhet kthyer mbrapsht me duart bosh. Për shembull, në një olimpiadë të shkencës apo të gjuhës organizohet një konkurs. Atij që fiton çmimin e parë i jepni medalje ari, të dytit argjendi, të tretit bronzi, ndërsa të katërtit një vlerësim nderi për pjesëmarrjen e tij. Sipas meje, në vlerësim, duhen gjetur cilësime të tjera dhe gjithsecili duhet të vlerësohet për mundin dhe përpjekjen e tij. Unë vetë, kur më vijnë këta shokë që kanë marrë pjesë me sukses në të tilla konkurse, mund të them se përpiqem e synoj t’i vlerësoj pa tjetër, me çfarë të kem në dorë. Po, po. Për arsye të sukseseve të arritura, pse të mos i përqafoni e kështu, t’i lumturoni këta njerëz sipas mundësive! Për shembull, përse të mos i stimulosh duke u thënë: “Shko në këtë universitet me emër në botë, regjistrohu. Po të duash bëj një studim pasuniversitar, po të duash një doktoraturë. Unë do të të siguroj bursën.” Me vlerësime të tilla apo të ngjashme, ata duhet t’i vlerësoni vazhdimisht dhe kështu, duhet t’u përgatisnin terrenin që ata t’i shpërfaqin talentet e zotësitë e tyre. Kam bindjen se në përgatitjen e një klase elitare e intelektuale në nivelin e duhur, një ndër hollësitë që çalon në çerdhet e vatrat e arsimit e të edukimit është kjo. Për këtë arsye, duhen përpunuar dinamikat e vlerësimit, të shpërblimit e të nxitjes dhe kështu, kjo çështje, që është lënë pas dore prej kaq e kaq vitesh, duhet vënë në vend.


[188] Shih: Bediuzaman, Gjykimet f. 66 (Thelbi i së vërtetës, Hyrja e tetë).

[189] Shih: Bediuzaman, Gjykimet f. 66 (Thelbi i së vërtetës, Hyrja e tetë).

[190] Shih: Fuat Sezgin, Shkenca dhe teknika në Islam 1/15.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.