Moral profetik: Mospritmëria

Moral profetik: Mospritmëria

Pyetje: Në ditët e sotme, kur sëmundje ngjitëse si të menduarit vetëm për këtë botë e për përfitime materiale janë kthyer në epidemi nëpër të gjitha shtresat e shoqërisë, si mund ta zbatojmë në jetën tonë disiplinën e mospritmërisë, që përbën edhe një moral profetik? Cilat janë hollësitë që duhen pasur parasysh në këtë kuadër?

Përgjigje: Istigna, (gj.shq., mospritmëria) do të thotë që, veç Allahut, njeriu të mos ia çelë duart në lutje kurrkujt, të mos i nxijë faqen vetes duke iu përgjëruar njerëzve; do të thotë që edhe në mbettë pa bukë e pa ujë, të mos u lutet krijesave për nevojat e tij dhe ta kalojë gjithmonë jetën në pasuri të shpirtit, me zemrën të ngopur e brenda kufijve të dëlirësisë. Mospritmëria është një rregull shumë i rëndësishëm i vokacionit profetik dhe një shprehje e përvetësimit të moralit hyjnor. Sepse Allahu (xh.xh.) është i Përjetshëm e Absolut ( Samed); gjithçka ka nevojë për Të, ndërsa Ai nuk ka nevojë për kurrgjë. Po, ai është Zotëruesi Absolut i çdo Pasurie (Gajj-i ale’l-Ëtlak), në liri absolute prej çdo nevoje ( Mosnevojtari Absolut). [191]

Ndërsa kur vijmë te njeriu, shohim se ai, në të vërtetë, ka nevojë për disa gjëra. Për këtë arsye, besoj se në rastin e tij është më e drejtë që të përdoret shprehja “mospritmëri e kushtëzuar” apo “relative”. Kështu, zotërinjtë tanë, profetët e mëdhenj, që janë shkaku i krenarisë së botës njerëzore, duke këmbëngulur të jetojnë në liri relative prej nevojave, e shkuan kurdoherë jetën e tyre me frymën e mospritmërisë; gjithë ç’u duhej e kërkonin vetëm prej Allahut, ia qanin hallet vetëm Atij. Kundrejt zbatimit të detyrës së përçimit të mesazhit hyjnor, kundrejt shërbimeve e sakrificave të kryera, ata kurrsesi nuk binin në pritmëri e nuk kërkonin asnjëherë shpërblim.

Kurani Fisnik, në shumë raste, tërheq vëmendje tek kjo hollësi dhe me gojën e këtyre profetëve të mëdhenj, e shpall kështu këtë të vërtetë: “Unë, kundrejt detyrës së përcjelljes së lajmit, nuk kërkoj prej jush asgjë, vlerësimi e shpërblimi im i përkasin vetëm e vetëm Allahut, Zotit të botëve.” [192] Për shembull, në suren “Shuara”, ku përshkruhen në rend jeta e pazakontë, ndodhitë, misioni dhe posta e Nuhut, [193] e Hudit, [194] e Salihut, [195] e Lutit [196] dhe e Hazreti Shuajbit [197] (ala nebij'jina ue alejhimus'salatu ues'selam), çështja në fjalë shpjegohet në mënyrë të përsëritur me gjuhën e bekuar të këtyre profetëve të mëdhenj.

Nga ky këndvështrim, edhe trashëgimtarët e vërtetë të vokacionit profetik, pasuesit e çështjes së profetësisë, gjer në dhënien e frymës së fundit, duhet të veprojnë e të jetojnë gjithmonë me shpirt të mospritmërisë dhe kurrë nuk duhet të përkulen përballë tjetërkujt veç Allahut; nuk duhet të zgjasin dorën e të hyjnë në detyrime kundruall njerëzve. Sepse – mos e thëntë Zoti! – nëse njeriu i shërbimit hyn në detyrime, mund të shtrëngohet që ta paguajë shumë shtrenjtë nderin që i është bërë. Për këtë arsye, ata që gjenden në shërbim të besimit e të Kuranit, duhet të përqafojnë një jetë të tërë rregullat e sjelljes me ekonomi dhe sipas bindjes së tyre të brendshme, nëse është e nevojshme të durojnë edhe urinë, qoftë edhe duke u mjaftuar me një vakt ushqim në ditë, por kurrsesi nuk duhet të hyjnë në borxh e në detyrim ndaj të tjerëve. Po, po. Ata duhet t’u qëndrojnë larg shtrirjes së dorës dhe lypjes prej gjithkujt, qoftë prej individëve, prej familjes apo prej të afërmve. Sepse çdo shtrirje dore e lypje do të thotë një hap largim prej mirësisë e mëshirës së Allahut, do të thotë një humbje e bjerrje më tepër në brezninë e fitores.

Një shpirt i përkushtuar duhet të jetë gjithmonë i lirë e i pavarur

Këtu dua të ndalem pak dhe ta shtjelloj çështjen disi më gjerë: për shembull, njerëzit që mendojnë se ju mund të jeni të dobishëm për shoqërinë me diturinë, kulturën dhe pasionin tuaj, mund t’ju ftojnë në programe të ndryshme, mund të kenë dëshirë që t’ju shoqërojnë me makinat e tyre nga një vend në tjetrin ose mund t’ju ofrojnë diçka duke ju thënë: “Bli një biletë avioni me këtë, mund të përballosh shpenzimet e udhëtimit,” apo të tjera si këto. Mirëpo, nëse jeni në gjendje dhe i keni mundësitë, duhet të përpiqeni që transportin tuaj nga një vend në tjetër, për të marrë pjesë në programin ku po shkoni me dëshirën tuaj, t’i përballoni me mundësitë tuaja dhe duhet të përpiqeni që të mos i bëheni barrë askujt.

Në të kundërt, nëse kundrejt shërbimeve dhe veprimtarive të kryera hyhet në pritmëri materiale, atëherë kjo përbën cenim edhe të vokacionit profetik, edhe të frymës së përkushtimit. Një sjellje e tillë, gjithashtu, do të thotë që një shpirt i përkushtuar ta thyejë me duart e veta ndikimin e vet në shoqëri. Po, po. Nëse nuk vepron mbi bazë të disiplinës së mospritmërisë, ndoshta edhe në u gjendtë në një pozitë nga e cila mund të përfitohet seriozisht, ai njeri, pa e vënë re fare, bie në varësi të tjetërkujt dhe me duart e veta ia lidh vetes duar e këmbë me zinxhirë.

Një njeri që rend me përkushtim në rrugën e shërbimit ndaj fesë, ndoshta mund të fitojë diçka me punën e me djersën e vet, herë duke shkruar, herë duke pikturuar, herë duke dhënë mësim, në mënyrë që të përmbushë nevojat e tij të domosdoshme. Por ai që thotë “po shërbej”, apo “unë jam një njeri që rend në rrugën e shërbimit fetar”, nëse me këtë mendon që të arrijë përfitime të caktuara, nëse përpiqet të bëhet i pasur dhe aq më tepër nëse ka për qëllim të shfrytëzojë pozitën e vet për t’u siguruar privilegje njerëzve të vet dhe rrethit të të njohurve, kurrsesi nuk duhet të harrojë se këto përbëjnë sjellje që bien në kundërshtim të plotë me atë frymë të përkushtimit që mbështetet në dëlirësi, respekt e dinjitet. Nga ky këndvështrim, udhëtarët e së drejtës e të drejtësisë, asnjëherë nuk duhet të bien në nevojën e shlyerjes së detyrimeve të ardhura prej përuljes, zgjatjes së dorës dhe lypjes. Po, po. Ata që i shërbejnë fesë, duhet të jetojnë gjithmonë të përkushtuar ndaj vlerave universale dhe nuk duhet ta humbasin pavarësinë e tyre, por të jenë gjithmonë të lirë e të pavarur. Po ja që për një periudhë të caktuar, edhe unë, teksa mbaja vaazë e predikoja, teksa bëja detyrën për “emri bi’l-maruf ve nehji ani’l-munker” (“Urdhëroni për të mirë e ndalni prej së keqes), fatkeqësisht, merrja rrogë. Zoti ma faltë pakujdesinë! Është e vërtetë se fakihët ( gj. shq. juristët) kanë pranuar që nëse nuk mbetet kurrkush për të bërë detyrën e imamit, në mënyrë që kjo punë të mos braktiset, imamët të marrin pagë. [198] Por thelbësorja është që imami të prijë në lutje pa rrogë, që muezini të këndojë pa rrogë, që vaizi të ligjërojë pa rrogë. Po ç’t’i bësh që isha fëmijë i një familjeje të varfër. Pa marrë rrogë, nuk dukej asnjë mundësi tjetër me të cilën do të mund të siguroja jetesën. Po ndoshta në ndonjë vend, duke thyer gurë në ndonjë gurore apo duke u marrë me hamallëk, mund të fitoja me djersë e më pas të predikoja nëpër ligjërata. Ndërsa rrogën që më jepnin mund t’ua ndaja të varfërve e nevojtarëve. Sa keq që nuk ndodhi kështu dhe më duhet ta pranoj se ky ka qenë gabimi im.

Rruga e ndikimit të përhershëm në zemra

Në krye të fjalës, përmendëm shprehjet e mospritmërisë absolute dhe asaj të kushtëzuar. Nëse mospritmërinë e profetëve të mëdhenj e quajmë mospritmëri e kushtëzuar, ata shpirtra të përkushtuara që i kanë lidhur zemrat e tyre me dashurinë për Kuranin, për nevojë të ndjekjes së atyre profetëve të mëdhenj, duhet të përpiqen me ç’të kenë në dorë që të gjenden në një formë të mospritmërisë së kushtëzuar. Siç u shpreh më parë, nëse u mjafton një vakt ushqim, duhet të mjaftohen me një vakt; nëse nuk kanë mundësi të pinë tri gota çaj në ditë, duhet të mjaftohen me një; duhet të jetojnë me dinjitet dhe kurrsesi nuk duhet ta cenojnë besueshmërinë e tyre shoqërore.

Të gjitha këto, pa dyshim që nuk bëhen për të rënë në sy të të tjerëve. Mirëpo pranimi i të vërtetave prej njerëzve lidhet edhe me besimin dhe mendimin e mirë që ata kanë për ju. Ashtu që njerëz me të cilët keni qenë pranë e pranë për dyzet vite duhet të mund të thonë: “Ne kemi tridhjet a dyzet vjet që i ndjekim këta. E kemi parë se asnjë prej këtyre s’ka marrë e s’ka mbledhur asgjë, as në bursë e as tjetërkund nuk ka aksione. Në këtë botë, nuk kanë kurrgjë. As nuk na ka ndodhur të shohim që këta të kenë privilegjuar e mbajtur me hatër ndonjë të afërmin e tyre. Është e qartë se këta njerëz janë kapur pas pasionit për kënaqësinë e Zotit dhe nuk kanë tjetër mendim e pritshmëri veç saj. Thuajse gjithçka që kanë, madje edhe vetveten, ia kanë dhënë Zotit të Madhëruar dhe me këtë kërkojnë të fitojnë Xhenetin.” [199] Edhe një herë po e theksoj, se një njeri që ia ka blatuar shpirtin të Vërtetit natyrisht që nuk jeton dhe nuk duhet të jetojë një jetë të lidhur me të tilla thënie. Por një linjë jete e lidhur me të tillë disiplinë, pa dyshim që lë një ndikim shumë të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm në zemrat e njerëzve.

Një prej hollësive të rëndësishme që duhet ndjekur në çështjen e mospritmërisë është edhe mendësia, sipas së cilës, “meqë të tjerët nuk sillen me ndjeshmëri, atëherë edhe unë mund të sillem në mënyrë më elastike.” Ky koncept nuk do të thotë kurrgjë tjetër veçse të gënjesh veten. Sepse një mendësi e tillë nuk ka asnjë tjetër kuptim përveçse të bashkohesh në të keqe me të tjerët. Po kështu, në jetën e amshuar, kjo nuk i sjell njeriut asgjë të dobishme. [200] Ndaj edhe nuk mund të mendojmë: “Të tjerët nuk tregojnë kujdes në këtë çështje. Tani kjo punë është kthyer në një të keqe të përgjithshme, ndaj edhe ne, në njëfarë mase, le të përfitojmë e të gëzojmë mundësi më të mëdha.” Një këndvështrim i tillë i gabuar e tërheq njeriun zvarrë drejt shkatërrimit. Përkundrazi, çdo individ, duke parë mjedisin rreth vetes, duhet të mendojë: “Për të ruajtur qëndrueshmërinë e shokëve, për të ruajtur ndjeshmërinë e ndërgjegjes dhe tendosjen e tyre metafizike në çështje të mospritmërisë, duhet të bëj çdo përpjekje që të kem në dorë dhe në këtë mënyrë, duhet të mundohem që t’i pengoj ata nga rënia pre e hijeshive të kësaj bote dhe nga shkatërrimi në përjetësi.” Veçanërisht ata që gjenden në pozitat e drejtimit e të administrimit, nga njëra anë duhet të tregojnë një ndjeshmëri e përkujdesje shumë serioze duke u bërë shembull për ruajtjen e këtyre linjave, ndërsa nga ana tjetër duhet që këtë frymë ta përhapin te njerëzit e mjedisit të tyre, të përpiqen në vazhdimësi që t’i përmirësojnë ata dhe të mos krijojnë asnjë mundësi që në këtë çështje të krijohet ndonjë zbrazëti a dobësi.

Mospritmëria në çështje të pozitës e të ofiqeve

Nga ana tjetër, mospritmëria nuk është një çështje që ka lidhje vetëm me të ardhurat materiale. Edhe mendja, zgjuarsia, arsyeja dhe gjykimi i shëndoshë, sikurse arritjet e larta në drejtim e në administrim, përbëjnë cilësi të dhuruara si sprovë për njeriun. Pikërisht në çështje të pozitave dhe të ofiqeve materiale e shpirtërore që mund të fitohen në përunfdim të të tilla arritjeve, të emrit të madh dhe të gradave, të famës dhe të vlerësimeve, të lëvdatave dhe të komplimenteve, njeriu nuk duhet të bjerë në pritshmëri dhe duhet të sillet gjithmonë sipas frymës së mospritmërisë. Mësuesi i nderuar, në një rast, na sjell ndërmend se kundrejt pavarësisë që mbart rrezik pasi mund të na ngarkojë me përgjegjësi, duhet zgjedhur pasimi i një udhërrëfyesi. [201] Pra, le të ndodhë, le të na kalojnë të tjerët, le të jenë të tjerët imamë. Për shembull, ta zëmë se shkuam në mihrab dhe njerëzit nisën të rreshtohen nga pas për namaz. Pikërisht në atë çast, na zë syri dikë që do të kryejë detyrën e imamit. Atëhere duhet të dimë të tërhiqemi sakaq prapa dhe të mundësojmë që ai të dalë për të prirë si imam. Dhe sërish, ta zëmë se njëzet a tridhjet vite u shërbyem të vërtetës dhe drejtësisë në vende të ndryshme të botës. Pas kësaj, në rrjedhën e natyrshme të punës, na ngarkuan si amanet një detyrë, në të cilën njerëzit do të na kenë zili dhe do të na lëvdojnë. Pikërisht në këtë rast, duhet ta ndiejmë veten si mbi gjemba dhe duhet të mbartim shqetësimin: “Vallë, kur do të më thërrasin sërish që të kthehem! Të më thërrasin e të më shpëtojnë prej kësaj barre!” Po, po. Me qetësinë më të madhe, duhet të jemi në gjendje që njerëzve që u kemi hequr udhë për një kohë, t’u shkojmë pas e t’i ndjekim.

Nëse njeriu nuk mbart qëllime të tilla të pastra dhe nuk jeton në të tilla mendime, atëherë kjo do të thotë që në punën që ai kryen, trazohen dëshirat egoiste dhe si pasojë, ai nuk sillet me dëlirësi. Po, po. Nëse një njeri i shërbimit ndaj fesë mundohet e përpiqet që ta ruajë sikur të ishte e drejta e vet e përjetshme një pozitë që ia ka dhënë Zoti i Madhëruar, atëherë kjo flet për mungesë të sinqeritetit nga ana e tij. Dhe mes njerëzve të tillë, që u mungojnë pastërtia e sinqeriteti, mund të lindin gjithmonë sherre e zënka, ndërkohë që marrëdhënia mes nxënësve të Kuranit duhet të jetë ajo e dashurisë vëllazërore. [202] Mosha, kryet, njohuria, pozita nuk janë masë dhe standard thelbësor. Në synimet e në objektivat e kësaj bote, mund të gjenden shumë pozita e ofiqe. Por kur bëhet fjalë për vëllazërinë, atëherë të gjithë janë në të njëjtën vijë, si individë të rreshtuar pranë e pranë njëri-tjetrit. Ndaj edhe një individ që ia ka kushtuar veten shërbimit ndaj besimit dhe ndaj Kuranit, në cilëndo fushë qoftë, në cilëndo pozitë qoftë, gjithmonë duhet të jetë i gatshëm që të tërhiqet dy hapa pas. Në të kundërt, edhe mes njerëzve që kanë dalë e janë nisur për një rrugë të mirësishme, zënkat, përballjet e përplasjet që lindin si pasojë e ambicies dhe e egoizmit bëhen të pashmangshme. Në përfundim të kësaj, lindin mosmarrëveshjet e ndarjet, çka çon në ndërprerjen e ndihmës hyjnore. Zoti ynë na ruajtë të gjithëve prej të bërit shkaktarë të një fundi të tillë kaq të rëndë! Zoti e bëftë secilin prej nesh ndër robërit e vendosur e këmbëngulës në pastërti e dëlirësi të besimit!


[191] Shih: Ihlas, 112/2.

[192] Shuara, 26/109, 127, 145, 164, 180.

[193] Shih: Shuara, 26/105-122.

[194] Shih: Shuara, 26/123-140.

[195] Shih: Shuara, 26/141-159.

[196] Shih: Shuara, 26/160-175.

[197] Shih: Shuara, 26/176-189.

[198] Ibn Abidin, Hashije 1/562.

[199] Shih: Teube, 9/111.

[200] Shih: Bediuzaman, Fjalët f. 181 (Fjala e Katërmbëdhjetë, Përfundim).

[201] Shih: Bediuzaman, Shkrepëtimat f. 192 (Shkrepëtima e njëzetë, Pika e parë).

[202] Shih: Bediuzaman, Shkrepëtimat f. 208 (Shkrepëtima e njëzetenjëtë, Parimi i katërt).

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.