Krenaria e dijes dhe egoizmi

Krenaria e dijes dhe egoizmi

Pyetje: Ç’do të thotë krenari e dijes? Si realizohet ruajtja e krenarisë së dijes?

Përgjigje: Për një besimtar, ruajtja e krenarisë së dijes është, pa dyshim, shumë e rëndësishme; por për një zemër që beson, ajo çka duhet të ruhet me përparësi është krenaria e fesë që mbart e përfshin edhe krenarinë e dijes. Se meqë, sipas shprehjes së Omerit të nderuar (r.a.), Allahu na ka nderuar ne nëpërmjet fesë, [203] edhe një njeri që beson duhet të sillet si besimtar, e për të qenë garantues i kësaj çështjeje gjatë një jete të tërë duhet të tregojë për të qenë garantues i kësaj çështjeje dhe kështu, një jetë të tërë, duhet të përpiqet gjithmonë që të ruajë nderin, vlerën, madhështinë dhe dinjitetin e fesë. Po, po. Një njeri që beson, në çdo gjendje që të jetë, ndenjur a ngritur qoftë, i heshtur a në ligjërim qoftë, gjithmonë duhet të tregojë sjellje prej besimtari dhe të gjithë duhet ta shohin atë si një njeri të besës, tek i cili mund të kenë besim. Në të jetuarit e madhështisë së qenies njerëzore, Islamit, assesi nuk duhen bërë lëshime; përmes moralit dhe cilësive të mira, besimtari duhet të vendosë gjithmonë një nivel të lartë të përfaqësimit dhe kurrsesi nuk duhet t’i lërë hapësirë perceptimit dhe leximit të gabimeve të veta sikur këto të ishin të sakta. Siç shprehen interpretuesit e historisë profetike, edhe në kohën kur nuk i besonin Krenarisë së Njerëzimit (alejhis'salatu ues'selam), njeriu i parë tek i cili bashkëkohësit drejtoheshin kur u duhej të linin një amanet ishte prapëseprapë përfaqësuesi më i mirë në faqe të dheut i sigurisë dhe i besimit, Zotëria ynë, Profeti (s.a.s.). [204]

Nga ky këndvështrim, një besimtar duhet të sillet gjithmonë si garantues i amanetit dhe kështu, nuk duhet t’u japë asnjë mundësi njerëzve që ta lëndojnë e ta cenojnë besimin që shohin të përfaqësuar tek ai. Ai duhet ta jetojë Islamin në përsosmërinë e ndjeshmërinë më të lartë dhe duhet të përpiqet me gjithë ç’të ketë në dorë që të mos lejojë rënien apo përdhosjen e tij. Njeriu, për nevojë të natyrës së vet, sapo të përjetojë një shkarje e rrëzim, menjëherë duhet të shkojë në rrugën e përmirësimit të tij përmes pendesës, largimit nga mëkatit dhe kthimit tek e mira; duhet të shkojë asaj rruge dhe të lutet porsi Zotëria ynë, Ademi (a.s.), dhe Nëna jonë, Havaja e nderuar, që thanë: “O Zoti ynë! Ne i bëmë padrejtësi vetes sonë. Nëse nuk na mëshiron e nuk na i fal mangësitë, ahere do të jemi prej atyre që bien në humbje të qartë!” [205] Ose si zotëria ynë, Musai i nderuar, që iu drejtua Zotit të vet me fjalët: “O Zoti im, unë i bëra padrejtësi vetes, falmë mua!” [206] Ose si Zotëria ynë, Junus ibni Meta, që ia qau hallin e vet Zotit të Madhëruar me fjalët: “Nuk ka tjetër hyjni veç Teje. Ti je i pastër prej çdo të mete. Vërtet, unë qeshë prej atyre që i bënë padrejtësi vetes së vet.” [207] Nëse vërehet me kujdes, në të gjitha këto lutje, lutësit, që kanë qenë ata profetë të mëdhenj, kanë përdorur fjalën “padrejtësi” dhe kanë kërkuar mbrojtje tek Allahu. Ndërsa padrejtësia (dhulm) është ndërrimi pa të drejtë i vendit të diçkaje dhe vënia e padrejtësisë në vend të saj. E pra, edhe profetët, pa dyshim, nga horizonti, ndjeshmëria dhe thellësia e tyre, gjithmonë kanë kërkuar mbrojtjen e Allahut me frikën e rënies në një gjendje të tillë. Për rrjedhojë, edhe ne, si njerëz që besojmë, duhet të përpiqemi të parët për të qenë përfaqësues të një ndjeshmërie të tillë. Dhe veçanërisht ata njerëz që bien në sy të parët, që populli i sheh në dritë të syrit, duhet të jenë edhe më të ndjeshëm përsa i përket kësaj çështjeje. Sepse siç thuhet në një fjalë të urtë turke, edhe në mos rëntë në sy tjetërkund, miza në çallmën e bardhë të imamit dallohet menjëherë. Nga ky këndvështrim, njerëzit që shërbejnë si udhërrëfyes e drejtues, qofshin prej të ditshmëve, qofshin prej popullit, së pari për mbrojtjen e madhështisë së fesë, së dyti për shkak të domethënies përfaqësuese që mbartin si shërbëtorë të fesë, duhet të tregojnë shumë më tepër kujdes në krahasim me të tjerët për të jetuar në një linjë me ndjeshmëri shumë të lartë.

Egoizmi nën maskën e “krenarisë së dijes”

Por në këtë pikë, duhet treguar kujdes në këtë hollësi: Nganjëherë, madhështia e fesë mund të shndërrohet edhe në egoizëm. Po, po. Nganjëherë, për shkak të dijes dhe të asaj çka ka fituar, njeriu fillon ta ndiejë e ta shohë veten me një sy tjetër dhe, me mendimin e mbrojtjes së krenarisë së fesë, mund të nisë t’i shohë të tjerët me nënçmim, duke u kthyer në një egoist që nuk ka vlerësim për askënd përveçse për veten e tij. Prandaj edhe këto dy çështje, që janë të ndryshme nga njëra-tjetra, nuk duhet t’i ngatërrojmë. Për ta diskutuar pak më tej; një njeri, në mënyrë që në personin e tij të mos cenohen nderi e dinjiteti i dijes, bën përpjekje të jashtëzakonshme për të mos rënë në të keqe e në mëkat, tregon kujdes e ndjeshmëri shumë të lartë, nuk ia shtrin dorën kurrkujt, nuk i bëhet borxhli askujt. Mirëpo ndërkohë, pasi mëson shumë e përfiton dituri, i forcohet ndjenja e unit, atëherë kjo nuk është më krenari e dijes; më e shumta që mund të jetë, sipas gradës përkatëse, është egoizëm ose egocentrizëm. Një njeri i tillë, pa dyshim, ka nevojë për edukimin dhe për pastrimin e egos së vet. Dhe kjo, në njëfarë mënyre, është një çështje e lidhur me çlirimin e njeriut prej instinkteve shtazore, me braktisjen e materializmit dhe, nëpërmjet një mësuesi a udhërrëfyesi, me udhëtimin e tij në orbitën e zemrës e të shpirtit.

Ç'ishim e ç’u bëmë!

Duke hedhur një vështrim në kohën e tabiinëve dhe të tebei tabiinëve, edhe pse në atë kohë nuk haset ende ndonjë formë sistematike e sufizmit, e tasavufit apo e tarikatit, vërejmë se është bërë një jetë plot thellësi e zemrës dhe e shpirtit. Ndërsa në periudhat e mëpasme, njerëzit kanë përdorur sisteme të caktuara në rrugëtimin e tyre shpirtëror për afrimin tek Allahu. Në larminë e madhe të këtyre sistemeve kanë qenë përcaktues koniuktura dhe niveli i dijes në kohën përkatëse. Njerëz të mëdhenj si Imam Rabaniu, Izz ibni Abduselami, Fahrudin Raziu, Abdulkadër Gejlani, Ebu Hasan Shadiliu etj., duke marrë parasysh interpretimin e kohës dhe çështjet me të cilat përballeshin në epokën që jetonin, duke i qëndruar besnikë të përgjithshmes, për të mbushur fushat e mbetura të hapura, ngritën metoda e sisteme të ndryshme të interpretimit, të analizës e të gjykimit.

Por duke nisur që prej periudhave të mëvonshme, ngjau e ndodhi që medreseja, nga njëra anë mbajti qëndrim kundër frymës së teqesë që synonte edukimin e pastrimin e egos dhe rrugëtimin në jetën shpirtërore, ndërsa nga ana tjetër ua mbylli dyert edhe shkencave pozitive, në të cilat shqyrtohen e shtjellohen ligjësitë natyrore. Ndërkohë, Bediuzamani, në një rast që bën përshkrimin e Kuranit Fisnik, tërheq vëmendjen se Kurani është një përkthim i përjetësishëm i librit të kësaj gjithësie, një përkthyes i përjetshëm i gjuhëve të larmishme që mundëson leximin e veprave fizike si mrekulli të krijimit hyjnor. [208] Po, po. Zoti i Madhëruar, me vullnetin e Vet, ka shprehur në librin e gjithësisë synimet e tij hyjnore. Ndërsa Kurani i Shenjtë, përmes shprehjes të ardhura prej atributit të kelamit, i interpreton këto ligjësi fizike dhe shpjegon se ç’kuptim kanë ato. Në të vërtetë, nëse i shohim me një sy të kujdesshëm veprat e Mjeshtrit të Nderuar, vërejmë se këto të vërteta janë përmendur prej fillimit gjer në fund. Por sa keq që ne, siç shkulëm prej kraharorit të medresesë gjithçka që kishte të bënte me jetën shpirtërore të Islamit, edhe shkencat e lidhura me ligjësitë fizike i zbuam prej dere po në të njëjtën mënyrë. Në fakt, me këto qëndrime, në njëfarë mënyre, ne vulosëm ndëshkimin tonë. Për pasojë, kur ne këputëm prej njëra-tjetrës jetën shpirtërore, dijet fetare dhe shkencat pozitive, që në fakt përbëjnë tri anë të së njëjtës së vërtetë, atëherë të gjitha këto ngelën jetime. Në ato ditë, krahas kësaj gjendjeje të medresesë, fatkeqësisht, edhe teqetë nuk ishin të ndryshme prej kësaj. Edhe ato jetonin një kurbet të tyrin. Edhe xhamia ishte e dënuar, gjithashtu, me një kurbet të ndryshëm, sipas llojit të vet. Në përfundim të kësaj ndarjeje që zgjati me shekuj, këto kurbete u kthyen në kurbetin e një kombi. Po, po. Një komb i tërë, i gjithi së bashku, jetonte në brendësi të një kurbeti. Që sot e tutje, të gjithë këto kurbete që i kemi jetuar si një realitet, nuk mund të bëjmë sikur nuk i shohim.

Ithtarët e dijes që ecin me këmbët e zemrës

Po hyj sërish në këtë temë, në të cilën jemi ndalur edhe më herët me raste të ndryshme, pasi dëshiroj të tërheq vëmendjen te kjo hollësi: nëse njerëzit që merren me dijen nuk kalojnë nëpër një operacion të edukimit të egos, të pastrimit të shpirtit, të dëlirësimit të zemrës, atëherë qëllimi, thelbi dhe fryma e dijes nuk mund të konceptohet prej tyre dhe ata nuk mund të arrijnë në rezultatin e pritur. Përkundrazi, ata, me shtimin e informacioneve, teksa përpiqen të shprehen e të shpjegojnë, në zërin e tyre, në fjalët e tyre, në theksimet e madje në thirrjet e në britmat e tyre, mendojnë vetëm që të vënë në dukje veten, në këto e sipër pushtohen prej egos e ambicies dhe nguten në llogari me synimin e mendimin për të tregtuar vetveten.

Sikurse në shoqërinë tonë ekzistojnë probleme të tilla, edhe në botën islame, në përgjithësi, janë përjetuar të njëjtat shqetësime. Mendoni që një dijetar me shumë vlera, që ka dalë në periudhat e fundit, si Said Havva, pasi shkroi shumë vepra të vyera, shkroi edhe një vepër në lidhje me jetën shpirtërore të Islamit. Në thelb, në këtë vepër, ai shpjegoi misticizmin islam dhe sufizmin. Mirëpo për shkak të shqetësimeve të ndryshme, nuk përmendi emrin tasavvuf apo diçka të ngjashme në veprën e tij. Sepse ka mundësi të ketë menduar që nëse përdorte këtë emër, mund të përballej me zemërimin e disave. Nisur nga ky shembull dhe nga të tjerë të ngjashëm, mund të themi me siguri se në të gjithë botën islame ekzistojnë të njëjtat shqetësime dhe të njëjtat probleme. Dhe kjo sjell si pasojë që çështjet në fjalë të shihen, në njëfarë kuptimi, me syrin e dhahirive dhe të harixhive. Në këto rrethana, lind një zbrazëti për shkak se çështjet nuk mund të shihen me një vështrim konik dhe nuk mund të analizohen e shqyrtohen me një shikim tërësor. Gjithsecili, duke e parë fushën e vet si të mjaftueshme për gjithçka, i lë pasdore aspektet dhe këndvështrimet e ndryshme të çështjeve. Për këtë shkak, Islami, si një fe që na është lënë amanet e plotë dhe e përsosur, zhvishet njëfarësoj nga plotësia e nga përsosuria. Ndërkohë që Zoti i Madhëruar, në ajetin e shenjtë, urdhëron e i thotë Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik (s.a.s.): “E pra, sot përsosa fenë tuaj dhe plotësova mirësinë Time ndaj jush. Pëlqimin Tim ndaj jush e lidha me Islamin.” [209] Në këtë mënyrë, Zoti i Gjithëfuqishëm shprehet se kënaqësinë e Vet e ka lidhur me plotësinë e me përsosjen.

Ndërsa ne, prej shekujsh, nga njëra anë u kemi kthyer shpinën dijeve empirike, ndërsa nga ana tjetër kemi mbajtur qëndrim kundër jetës së shpirtit e të zemrës. Nëse e pranojmë këtë realitet dhe nuk gjendemi në përpjekje kundër tij, atëherë kurrë nuk i zgjidhim dot problemet tona. Veç kësaj, duhet t’i drejtohemi Zotit të Madhëruar dhe t’i lutemi e t’i përgjërohemi me një përqendrim shumë serioz, që në këtë detyrë të lënë pasdore prej shekujsh, qoftë edhe për një çast të vetëm, të mos na lërë ballë për ballë me egon tonë, por ta mbështesë e ta përforcojë vullnetin tonë me hirin e mirësinë e Tij. Sepse kjo përgjegjësi është vërtetë një barrë shumë e rëndë. Duke marrë si bazë grupin apo bashkësinë brenda së cilës ndodhemi, do të ishte mungesë respekti që të ngrinim ndonjë pretendim në lidhje me këtë çështje. Përkundrazi, nisur nga rrethanat ekzistuese, të gjitha shërbimet e bëra në këtë drejtim duhet t’i duartrokasim e t’i vlerësojmë, duhet ta nxisim edhe më entuziazmin e njerëzve, në emër të zgjidhjes së kësaj çështjeje të madhe e të lënë të vdekur prej kaq shumë kohësh, të përmendim emrin e Zotit duke thënë bismil'lah e të përpiqemi të gjithë bashkë, sup më sup, për ta vënë në vend kazanë e kësaj pune të lënë pa kryer prej shekujsh. E ndërsa e bëjmë këtë, nuk duhet të lëmë pas dore asnjë fushë, duhet të mbajmë vazhdimisht në punë mekanizmat e pastrimit të egos, të edukimit te shpirtit, të dëlirësimit të zemrës dhe kështu, duhet t’i marrim në mbrojtje të gjithë ata kërkues të dijes që, teksa flasin për madhështinë e dijes, rrezikojnë të bien në egoizëm e mendjemadhësi.


[203] Ibn Ebi Shejbe, El-Musannef 7/10, 93; El-Hakim, El-Mustedrek 1/130.

[204] Buhari, Megazi 61; Muslim, Zekat 143.

[205] Araf, 7/23.

[206] Kasas, 28/16.

[207] Enbija, 21/87.

[208] Bediuzaman, Fjalër f. 392 (Fjala e Njëzetepestë, Hyrje); Shenjat e mrekullisë f. 7; Mesneva e Dritës f. 213 (Vala e Katërmbëdhjetë, Pikla e dytë).

[209] Maide, 5/3.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.