Edhe morali i pashoq i Hz. Muhammedit eshte deshmitar i profetesise dhe drejtesise se tij

1. Morali i bukur është fiksuar në natyrën krijuese të njeriut në formën e farërave. Njëri prej kushteve kryesore për zotërimin e moralit të bukur që do të thotë shfaqje e natyrës së kulluar, dalje në dukje e krijimit të pastër dhe reflektim i shpirtit në pasqyrën e jashtme, ndoshta i pari, është edukata dhe sugjerimi. Po, morali i bukur, kthehet në autoritet që ushqehet në mjedisin e vet.

Tani le të shohim periudhat e jetës së Profetit para dhe pas profetësisë. Kush ia pati sugjeruar atij moralin më të bukur e më të lartë dhe kush e pati edukuar atë me këtë edukatë të përsosur? Nuk mund të themi për prindërit sepse ata i pati humbur qysh i vogël. Kurse duket krejt e pamundur që i gjyshi dhe xhaxhallarët t’i kenë dhënë atij një edukatë të tillë në shoqërinë ku jetonin. Mirë, po kush është edukatori i tij? përgjigjen le ta japim me vetë fjalët e tij: “Eddebeni Rabbi, feahsene te’dibi!” “Mua Zoti im më edukoi dhe sa bukur më edukoi!”

2. Në zhvillimin e moralit të mirë apo të keq ka shumë rëndësi edhe ndikimi i mjeteve, mjedisit dhe shoqërisë. Dhe tani, po të kthehemi në Mekën e shekullit të tij, shohim se njerëzit i kishin kaluar edhe vetë egërsirat në egërsi, se sundonin padrejtësia, dhuna, kamata dhe shfrytëzimi, se vajzat e vogla groposeshin përsëgjalli, se gratë shiteshin në tregun e robërve dhe skllevërve, se femrat përsilleshin lakuriq përreth Qabes sepse s’gjenin dot baba për fëmijët e tyre... Mendoni vështirësinë e edukimit të brezave të rinj në kushtet e sotme kur ka nga një xhami për çdo lagje, dhe pamundësinë e zotërimit të moralit më të bukur e më të lartë në atë shekull e në ato kushte!..

3. Si çdo profet, edhe profeti Muhammed zotëronte me plot të drejtë dhe në shkallën më të lartë vetitë e drejtësisë, besnikërisë, kumtimit, zgjuarsisë dhe pafajshmërisë.

4. Po t’u hedhim një sy vetes sonë, mjedisit tonë dhe njerëzve të mëdhenj e të dukur si të mëdhenj që kanë ardhur e shkuar gjatë gjithë historisë, shohim se tek ta janë shfaqur vetëm bukuri morale të caktuara, por te asnjëri nuk vëmë re të jetë shfaqur morali i bukur e i lartë në tërë pasurinë e vet të gjithanshme! Dikush duket bujar, por jo falës në atë gradë; dikush është guximtar, por është dorështrënguar. Veçanërisht, asnjë bukuri morale s’është përfaqësuar te askush në shkallën kulmore. Kurse te ai Individualitet, të gjitha llojet dhe tiparet e moralit të lartë ishin të pranishme në nivelin më të lartë dhe kishin karakter të përhershëm dhe mbetës.

5. Eshtë mjaft e vështirë që te një person, tiparet e moralit të bukur të jenë plotësisht në harmoni me njëri-tjetrin dhe vetveten në mënyrë që të mos dalin në pah mospërputhje e kontradikta cilësore. Konkretisht, dikush është bujar, por e çon bujarinë gjer në shpërdorim; është i mbledhur, jo dorëlëshuar, por kjo shkon gjer në dorështrëngesë dhe koprraci; është guximtar, por gjer në marrëzi! Kurse Profeti, të gjithë moralin e bukur e pati grumbulluar në vete në atë mënyrë që do të formonte një personalitet të lartë dhe asnjë tipar nuk e pati çuar në kufirin e të kundërtës. Bie fjala, Profeti ishte tejet guximtar dhe i ashpër, por, në të njëjtën kohë, ishte tejet i thjeshtë, modest, i butë e paqësor. Më e rëndësishmja, ashtu siç guximi dhe ashpërsia e tij nuk arritën kurrë në pikën e thyerjes së zemrave, ashtu dhe modestia dhe ndjenja e faljes nuk ranë kurrë në nivelin e frikës dhe turpërimit. Krahas rëndësisë dhe seriozitetit, ai ishte i buzëqeshur dhe qetësues; sa ishte i ashpër e i vështirë, ishte edhe falës dhe mëshirues me sa mundej; edhe kur sfidonte botën, ishte po aq modest sa ç’ishte kur, i ulur mbi rërë, bisedonte me një fëmijë. Eshtë vetëm ai Individualitet që pati grumbulluar në vetvete në mënyrën më të përsosur dhe pa i ngatërruar me njëri-tjetrin, tiparet tiparet më kulmore të moralit të bukur e të lartë!

6. Askush nuk mund të bëhet prijës dhe specialist në çdo fushë e në çdo çështje. Në ditët tona, kur janë formuar qindra degë të shkencave, specializimi në një fushë çfarëdo kërkon vite, ndoshta kërkon studim e përpjekje një jetë të tërë në atë fushë. Sigurisht, është e pamundur që një njeri të jetë edhe një njohës e përsosur i mjekësisë, edhe një ushtarak i përsosur, edhe një administrator i mençur, edhe një edukator, edhe një sociolog, edhe një mësues... Mirëpo të gjitha këto qenë realizuar në nivelin më të lartë te Profeti ynë. Këtë do ta shihni hapur kur të lexoni jetën e tij të shquar. Ndërkaq kur e mendojmë se për të bërë specializim jo në shumë fusha, por edhe në një fushë, madje, duhet një kohë e caktuar, duhen mjete dhe shpenzime të caktuara si dhe një atmosferë e qetë, puna na komplikohet krejt.

7. Shkoni në atë shekull të lumtur dhe shihni se si ai person që s’kishte marrë asnjë arsim pedagogjik, që s’kishte mbaruar asnjë shkollë ushtarake, që s’kishte dalë nga asnjë shkollë shoqërore, që jetonte në një kohë kur s’njiheshin teleskopi e mikroskopi, veçanërisht që s’dinte as të shkruante, as të lexonte, pra, shihni se si ky person, si të ishte një specialist i çdo fushe, thotë fjalë të gjalla e të pavdekshme, që s’gabojnë e s’i zbeh koha, që kryen përmbysje, që flet e vepron i sigurtë e i qetë si udhëzues e specialist i çdo fushe! Më e rëndësishmja, duke i bërë tërë këto punë që kërkonin specializim, ai përdori si kapital vetëm një periudhë kohore të shkurtër 23-vjeçare dhe, duke e kaluar pothuajse tërë jetën në vuajtje e mundime, në fushën e luftës, duke marrë pjesë në çështjet e shoqërisë dhe, duke mos e lënë mënjanë drejtimin e përkryer të familjes së tij të madhe, duke vënë parimet shekullore të fesë së fundit, duke ngritur dhe vendosur një sistem që do të sundonte mbi tërë njerëzimin, si kishte mundur të thoshte fjalë autoritare në çdo fushë?

8. Tani, fakti që në shumë çështje, zgjidhja e të cilave kërkon kushte speciale, si kohë, mundësi dhe një atmosferë sigurie e qetësie, një njeri

a) do ta përfaqësojë moralin më të bukur e më të lartë;

b) do të ndodhet në kulmin e çdo lloj morali të bukur;

c) do ta zotërojë moralin e lartë në atë mënyrë që tiparet e tij të përbëjnë një harmoni tërësore pa rënë në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe pa hyrë në fushën e njëri-tjetrit;

ç) dhe, duke u paraqitur me një moral të bukur, do të mos i harrojë gjërat e tjera, do të mos i lërë pas dore e të mos i ngatërrojë me njëra-tjetrën, të gjitha këto, a s’argumentojnë drejtësinë dhe profetësinë e atij njeriu?

9. Mjeku i ndryshon ilaçet sipas të sëmurit dhe gjendjes së tij si dhe bën rregullimet e duhura në dozën e tyre. Edhe njeriu është i detyruar t’i llogarisë dhe rregullojë sjelljet, shprehitë dhe zakonet e veta sipas njerëzve me të cilët ka të bëjë. Sjelljet moralo-etike paraqesin ndryshime sipas kohës dhe vendit, cilësinë e postit dhe gjendjes së bashkëbiseduesve ose auditorit. Shpesh ne nuk i rregullojmë sjelljet sipas vendit dhe bëjmë gabime. Për shembull, po qe se kryeministri sillet në shtëpi sikur të ishte në kryeministri e të kishte të bënte me vartësit, kjo do të ishte vetëpëlqim dhe mendjemadhësi. Po qe se mëshirën dhe dhembshurinë që duhet të tregoni ndaj njerëzve, e tregoni në fushën e betejës ndaj armikut, kryeni një akt padrejtësie dhe mungese mëshire për njerëzit tuaj. Të mos e ngresh fëmijën për namazin e mëngjesit me ndjenjën e justifikimit se i prishet gjumi, nuk është dhembshuri për të, përkundrazi, është t’i bësh të keqe të madhe. T’ia radhitësh bashkëbiseduesit, në emër të orientimit të tij në rrugën e besimit, të gjitha të drejtat aty për aty, pa marrë parasysh gjendjen dhe nivelin e tij si dhe kushtet konkrete, jo vetëm s’është orientim, por, është tradhti dhe krim ndaj të drejtave në fjalë! Kur i shqyrtojmë një e nga një të gjitha fjalët dhe sjelljet e Profetit, shohim se si i ka rregulluar ai fjalët dhe sjelljet sipas vendit, personit, pozitës, kohës dhe kushteve duke respektuar të gjitha imtësitë dhe se nuk ka bërë as stonimin më të vogël në këtë fushë. Dhe kjo përbën një argument të qartë për profetësinë e tij.

10. Le të themi se i rregulluat fjalët dhe sjelljet tuaja në çdo situatë dhe, duke treguar forcë vullneti, mundët ta caktonit formën e veprimit. Mirëpo shpesh herë njeriu mbetet i detyruar të marrë vendim të çastit pa patur mundësi të mendohet gjatë. Për shembull, nëse jeni në front dhe, para një situate të re, ju duhet të merrni vendim në çast, po të mos veproni siç jua do situata, por të rrini e të mendoheni pak a shumë gjatë, mund të pësoni një humbje dhe fatkeqësi të madhe. Ndërkaq, nga ana tjetër, ndodh shpesh që vendimet e marra në çast, fjalët e lëshuara pa e menduar pasojën e tyre dhe hapat e hedhur pa bërë llogari e fusin njeriun në situata pa rrugëdalje. Prandaj duhet që, kur flitet, kur planifikohet një punë, duhen futur në llogari edhe ngjarjet në të ardhmen, kundërvajtjet e mundshme dhe vështirësitë që mund të dalin. Dhe tani mendoni: ç’do të bëni nëse vendimet që do të merrni, hapat që do të hidhni dhe fjalët që do të thoni, do të kenë të bëjnë jo vetëm me disa ditë, madje disa muaj, disa vjet, ose disa shekuj më tej, por me të gjitha kohërat gjer në kiamet? Atëherë, nëse personi, çdo fjalë, çdo sjellje dhe çdo hap i të cilit, për shekuj të tërë ka gjetur miratimin e njeriut të çdo periudhe, të çdo botëkuptimi dhe të çdo niveli, është parë si shumë i përshtatshëm për zbatim, është bërë zgjidhje për të gjitha pengesat dhe vështirësitë e përballura dhe, me kalimin e kohës, jo që s’është zbehur dhe humbur, por është rinuar edhe më shumë, është fuqizuar dhe ka dalë mbi kohën, nëse një person i tillë, pra, nuk është profet, ç’është?

11. Po qe se na pyesin për këtë person, moralin e bukur të të cilit e përshkruam vetëm në pikat kryesore, themi: “Po, ai është një profet, Kryeprofeti, kurse ne jemi dëshmuesit e tij, dëshmuesit e të vërtetës në emër të të Vërtetit!”[1] Sepse një moral kaq i bukur e i lartë gjendet vetëm te njerëzit e drejtë! Morali i bukur mund të mbijë, të rritet e të çelë burbuqe vetëm në dheun e drejtësisë. Eshtë e pamundur që njeriu që gënjen të mos ketë dobësi dhe njolla edhe në fjalët dhe sjelljet e tjera të tij. Gënjeshtra është pothuaj si fillimi i një rrethi vicioz.[2] Në mënyrë zinxhir, ajo sjell pas të gjitha llojet e moralit të keq. Ashtu siç sjell fjala e drejtë moralin e bukur. Tani, është e qartë se ai përfaqësuesi i moralit të lartë me kryet në qiell, qysh në krye të punës, duke formuar një rreth të hapur, e pati filluar këtë detyrë të lartë, misionin profetik, me drejtësi dhe në emër të së vërtetës dhe, si rezultat, e pati mbyllur me sukses të plotë.

12. Të njëjtën ide mund ta shohim edhe nga një këndvështrim tjetër. Mes gjërave të përshtatshme e të përputhshme me njëra-tjetrën, ka prirje dhe tërheqje, kurse mes gjërave antagoniste dhe opozitare ka neveri dhe shtytje. A nuk janë shokët që zgjedhim, më të përshtatshmit ndaj karakterit dhe botës sonë mendore? Ndërsa vendet dhe mjediset plot tym dhe kundërmim të ndyrë tërheqin personat e përshtatshëm për to, është e qartë se shtëpitë e Allahut do të tërheqin njerëzit e bekuar, të përshtatshëm për to! Sigurisht, e drejta gjithmonë do të tërheqë njerëzit e drejtë dhe do t’i strehojë në gjoksin e saj. Atëherë, a është e mundur që njeriu i cili ka tërhequr pas vetes gjer më sot miliona njerëz të drejtë, të mos jetë thelbi dhe konkluzioni i drejtësisë? Nëse tërheqësi është më i bukuri, edhe i tërhequri do të jetë i bukur. Ç’tërheqje e lartë dhe e paarritshme ajo e tij që për shekuj të tërë i ka bërë milionat të pasionuarit e vet!

13. Te njeriu që ka një moral të tillë të lartë e të bukur, gjithsesi do të ketë respekt për vetveten, dinjitet dhe nder dhe, duke qenë i tillë, ai kurrë nuk ka për t’u prirur nga gënjeshtra dhe dredhia.

14. Jeta, fjalët dhe sjelljet e asnjë njeriu në histori sa të Profetit tonë nuk janë hulumtuar, studiuar, saktësuar e zbatuar në praktikë. Veçanërisht, sot, në të gjithë botën, është vetëm emri i tij që përmendet së bashku me emrin e Allahut, Zotit të gjithësisë, pesë herë në ditë, pa intervale e pa pushim!



[1] Në origjinal është fjala hak që do të thotë e vërtetë, e drejtë, drejtësi, dhe Hakk, që do të thotë Zot.
[2] Populli ynë thotë: “Gënjeshtra i ka këmbët të shkurtra!”

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.