Tregimi për ringjalljen

Si një hap i mëtejshëm, vjen tregimi për ringjalljen. Fë­mija dhe i riu duhet ta dinë se pas kësaj jete ka një jetë tjetër që nis me ringjalljen. Dituria, urtësia dhe qëllimi kanë tre­guar se këtë gjithësi e ka ngritur Allahu dhe se është Allahu që e vë në lëvizje dhe e drejton. Eshtë gjithashtu Ai që e tre­gon dhe e përcakton kohën. Në Kur'an thuhet: "Silluni mbi tokë dhe shihni se si e ka filluar Allahu krijimin!" (Kur'ani, Ankebut, 29/20)

Kuptimi i kësaj është ky: le të shëtisim ne mbi tokë dhe t'i shqyrtojmë argumentet dhe provat e krijimit, ta kalojmë çdo gjë para sysh fletë për fletë e etapë për etapë, të vëzhgojmë se si fi­lloi krijimi mbi tokë, se si u krijua kjo gjithësi ndërsa nuk ekzis­tonte, se si u shfaq njeriu mbi tokë, se si janë krij­uar gjallesat e tjera në familje e lloje, se si përsosmëria e kri­jimit mori fund me njeriun!

Allahu (xh.xh.) që e ka krijuar gjithësinë nga e paqena, do ta krijojë edhe ringjalljen, edhe jetën tjetër. Ai që e ka krijuar këtë sistem, a s'mund ta krijojë edhe sistemin që i themi ahiret, bota tjetër! Ai që e ka krijuar tokën me këtë madhështi, a s'mund të krijojë një tokë tjetër? A s'mund t'i thotë kësaj, botë, kurse tjetrës, ahiret? Ai që ju ka sjellë dhe ju ka vendosur juve këtu nga një botë tjetër, a s'mund t'ju çojë dhe vendosë në një botë tjetër?

Kur'ani na e tërheq vëmendjen kështu:

"Eshtë Allahu që i krijoi qiejt dhe tokën dhe çdo gjë që ka mes tyre në gjashtë ditë (periudha) dhe pastaj u vendos në Arsh. Ju s'keni as mik e as ndihmës tjetër veç Tij. A s'po me­ndoni, a s'po merrni mësim?.." (Kur'ani, Sexhde, 32/4)

"Allahu është ai që çdo gjë e krijoi të saktë e të bukur dhe, pastaj e krijoi njeriun prej argjile!" (Kur'ani, Sexhde, 32/7)

Në një vend tjetër, atyre që e kundërshtojnë ringjalljen, Kur'ani u drejtohet kështu:

"Thuaju: "Ata do t'i ringjallë Ai që i ka krijuar për herë të parë, sepse Ai e njeh çdo lloj krijimi!" (Kur'ani, Jasin, 36/79)

Si dhe:

"Shih kah veprat e mëshirës së Allahut se si ringjall pas vde­kjes! Pa dyshim, ai do t'i ringjallë të vdekurit, sepse Ai ka mu­ndësi për çdo gjë!" (Kur'ani, Rum, 30/50)

Si përfundim, pasi t'ia kemi dhënë fëmijës këto njohuri, i ke­mi treguar edhe se cila është rruga e drejtë, sirati mus­takim, dhe e kemi përgatitur të thotë: "Allahu ynë, na fut në rrugë të drejtë!.." (Kur'ani, Fatiha, 1/5) Dhe, në saje të një lutjeje të tillë, në dashtë Zoti, përpjekjet tona edukuese nuk do të na shkojnë kot!

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.