Përgjegjësia e krimeve të kryera në emër të fesë (II)

Fethullah Gylen: Përgjegjësia e krimeve të kryera në emër të fesë

Pas zhbërjes së Shtetit Osman filluan të ndodhnin disa zhbërje edhe në botën islame. Ndërsa në ditët tona ndihet një ripërtëritje dhe vullnet për të qenë edhe njëherë vetja apo për të gjetur atë që është thelbi ynë. Jo tërë gjeografinë islame, por sikur edhe vetëm nëpërmjet Turqisë t’i qaseni kësaj çështjeje, do të shihni se asgjë nuk është më si dje, por se në dyzet-pesëdhjetë vitet e fundit kanë ndryshuar mjaft gjëra. Mirëpo, disa qendra të caktuara, krejt të paditura përsa i përket dinamikave themelore të fesë, por thjesht të nisur prej pakënaqësisë për këto ndryshime dhe zhvillime të dukshme në botën islame, i janë vënë punës e kanë nxitur disa të tjerë, të cilët nuk dinë as kriteret dhe parimet e veta, dhe që veprojnë vetëm në baza ndjenjash dhe emocionesh mllefi, duke i kthyer kësodore në mjetet e tyre për të realizuar synimet e tyre të pista.

Nevoja për paranojë dhe grupe njerëzish të mashtruar

Fatkeqësisht që kjo është një e vërtetë, se njerëzit që jetojnë sot brenda botës islame nuk janë të gjithë individë me mendjen në vend, që mendojnë me ekuilibra dhe duke e njohur siç duhet trashëgiminë e tyre. Ndërsa ata që e përdorin paranojën për të formuar opinion publik në emër të përfitimeve vetjake, i kanë kuptuar më së miri mangësitë, varfërinë dhe dobësitë tona, e sipas tyre kanë ndërtuar skenarë të caktuar, ku njerëzit tanë, qoftë vullnetarisht ose duke i robotizuar me anë ilaçesh, janë përdorur si figurantë. Po, i kanë përdorur brezat që janë lënë pas dore në kthetrat e injorancës. E rruga për të mos u mashtruar është vetëm mbajtja zgjuar e sistemit tonë imunitar. Sepse po të keni imunitet të fortë, atëherë edhe viruset apo mikrobet më të këqija që do të duan të hyjnë në trup mund të luftohen lehtësisht. Mirëpo kur sistemi mbrojtës është i dobët, atëherë të tjerët do të përpiqen vazhdimisht që të injektojnë viruse të njëpasnjëshme për ta rrëzuar trupin tuaj, e ju nuk mund të bëni dot më asgjë prej gjëje për t’u mbrojtur.

Andaj, në ditët tona, kur bota është zvogëluar e rrudhur kaq shumë, ata që i janë futur rrugës së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) duhet që çdo sjellje ta kenë të mençur, ta hedhin çdo hap duke e menduar mirë që më parë, e çdo fjalë që ta thonë, ta kenë llogaritur mirë se si mund t’u kthehet mbrapsht një ditë, apo se çfarë ndjenjash do të nxisë ajo tek bashkëbiseduesi. Para fjalës duhen llogaritur një herë përfitimet dhe humbjet që ajo mund të sjellë, e kësodore asnjë fjalë nuk duhet thënë pa u menduar fillimisht dhjetë herë. Sidomos njerëzit që gjenden në pozicion përfaqësimi të një grupi tjetër njerëzish, duhet të jenë akoma më të kujdesshëm në fjalët që shprehin. Sepse një gabim që mund të bëjnë ata mund të çojë që dëmet e saj t’i përjetojë i tërë grupi i përfaqësuar. Për shembull, nëse një njeri çfarëdo thotë: “Filani bëri këtë paturpësi ndaj xhamisë suaj, kështu që nisuni dhe dëmtojini.”, asnjëri nuk e vlerëson këtë fjalë. Mirëpo, kur një fjalë e tillë thuhet prej një mjeshtri të atillë që i dëgjohet fjala prej të gjithëve, atëherë ndaj saj tregohet kujdesi më i veçantë, derisa mund të shkaktojë edhe dëme të atilla, të cilat zor se mund të ndreqen më. Po, nëse krahas guximit dhe trimërisë nuk gjendet edhe dija, urtësia, largpamësia dhe mençuria, atëherë ai guxim dhe ajo trimëri e kthen njeriun në një egërsirë të atillë, gabimet apo dëmet e të cilit janë thuajse të pamundura për t’u zgjidhur, apo për t’u kthyer mbrapsht. Së këndejmi e kuptojmë se nuk është e drejtë që të akuzohet vetëm ana tjetër për gjithë këto fatkeqësi që na ndodhin. Zaten kjo palë kundërshtare që nuk do që bukuritë e Islamit të jetohen dhe përjetohen prej njerëzve i ka treguar shenjat e saj që në fillimet e fesë islame. Mirëpo, as kalifët e mëdhenj, e as prijësit e mëpasshëm nuk e kanë lejuar këtë të keqe që të ndjehet. Ç’e do se këto dy-tre shekuj të fundit këta elementë të huaj kanë gjetur disa karaktere të përshtatshme brenda nesh, të mundshme për t’u përdorur si figurantë, asisoj që e kanë pasur më të lehtë për të hedhur baltë mbi fytyrën e madhërishme të Islamit. Megjithatë, mund të thuhet se në asnjë periudhë të historisë së Islamit nuk mund të dëshmosh krime kaq të frikshme sa ç’janë egërsitë e kryera në emër të fesë në ditët e sotme. Ndoshta në një periudhë të caktuar kanë qenë Muvahidinët, apo në një tjetër Karmatitë, e poashtu edhe disa të tjerë që e kanë zhytur veten në Batënizëm, e si pasojë kanë kryer krime po kaq të egra. Mirëpo, ata nuk qenë kthyer asnjëherë në bomba të gjalla, e asnjëherë nuk kryen kasaphana ku të mos bëhej dallim as për gratë a fëmijët.

Mënyra e përpjekjes prej besimtari

Meqë ra fjala, dua të ndaj me ju një kujtim timin. Njëherë më pati ardhur një mik për vizitë, e ndërsa po më fliste për Islamofobinë, qe shprehur se perëndimorët i shohin myslimanët si egërsira, e për pasojë ata publikonin vazhdimisht karikatura e parodi karshi Islamit në gazetat e televizionet e tyre. Dhe unë, duke i kujtuar se megjithëse ata mund të hidhnin shkëndija, apo ndërmerrnin sulme karshi Islamit, ne nuk mund ta nxirrnim veten tonë tërësisht të pastër, pasi edhe disa prej myslimanëve, përkundër këtyre shkëndijave a sulmeve, kanë kryer sa e sa herë veprime të pashpjegueshme me anë të Islamit. Megjithëse kjo qe një përgjigje krejt e papritur për të, në fakt ishte një e vërtetë e pamohueshme. Kur në fakt, ne duhet të silleshim siç na ka hije, qoftë edhe për t’iu përgjigjur të këqijave që mund të na ishin bërë, duke shprehur gjithaq stilin tonë të përpjekjes prej besimtari. Në të kundërt, veprimi ynë do t’i linte në gjendje tejet të vështirë të gjithë myslimanët në mbarë botën, pasi këto veprime shërbejnë përherë si materiali më i mirë për qarqe të caktuara, të cilat kërkojnë shkas për t’i përdorur karshi Islamit. E sjellja e domosdoshme në kësi rastesh, është shmangia e çdo lloj sulmi duke i njohur stilit tonë të të vepruarit një barasvlerë me nderin tonë, gjithnjë në bazë të parimeve më themelore të besimit.

Ata që kryejnë veprime të dhunshme nuk kanë ç’të kërkojnë prej Islamit

E ku është parë që njerëzit t’i afrohen apo të ngrohen prej Islamit me anë të dhunës, egërsisë apo përdorimit të forcës? Siç e dini të gjithë, edhe kur shpjegohet feja, fjalët e para që thuhen janë: “Feja është një përmbledhje sistemesh të organizuara prej Allahut, e cila i udhëzon njerëzit e ndërgjegjshëm drejt të mirës me vetë vullnetin e tyre.” (Abdulaziz el-Buhari, Keshfu’l-esrar, 1/13). Kështu që, një shpjegim i këtillë i fesë, është një mendim më i lartë edhe se shkalla më e lartë e demokracisë. E këtillë sepse merr si thelbësor vullnetin e njeriut, duke e lënë atë të lirë përballë çdo lloj zgjedhjeje. Askush nuk mund të thotë ndonjë gjë kundër kësaj. Sipas Islamit, njeriu si krijesë është më fisnikja, i pazëvendësueshëm. Nëse feja do të mund të përfaqësohej ashtu siç duhet, e të mund të viheshin në pah bukuritë që arrihen përmes zbatimit të saj, atëherë edhe përzgjedhja e njerëzve padyshim që kah saj do të ishte.

Prandaj, nëse ju ngriheni dhe i tregoni bukuritë e kësaj feje, i bëni të dashura, e i shtyni zemrat që të jenë të prira drejt saj, edhe njerëzit, me vullnetin e tyre të lirë, pa dyshim që atë do të zgjedhin. Askush nuk mund të thotë ndonjë gjë kundër kësaj. Gjithsecili është i lirë që ta zgjedhë vetë, në lirinë e tij, besimin e vet fetar. E rëndësishme është bukuria e shfaqur në përfaqësim. Siç edhe e dini, përkrah kumtimit të veçantë të Krenarisë së Njerëzimit gjendej edhe një tjetër anë e Tij, e cila nuk ngelej më pas, që ishte përfaqësimi. Ai (s.a.s.), e pati jetuar çdo gjë që tha milimetër për milimetër, e kësodore arriti që të ngrinte fron ndër zemra. Në fakt, edhe ne, si umet i Tij, të atillë qemë njëherë e një kohë. Por sa keq, që këto dy shekujt e fundit se kush erdhi e na i prishi gjenet. E fatkeqësisht disa filluan të kryenin disa prej mëkateve më të rënda, madje në emër të fesë, megjithëse një njeri që përdor dhunën nuk ka vend në Islam. Siç është shprehur edhe herë të tjera, për të tjera arsye, ashtu si terroristi nuk mund të jetë mysliman, as myslimani nuk ka se si të jetë terrorist. Edhe sikur nga mesi i myslimanëve të dalë ndonjë terrorist, kjo do të thotë se ai njeri i ka bjerrur të gjitha cilësitë e një myslimani. Një njeri të cilin nuk mund ta përcaktosh si mysliman. Njëherë, teksa po përcillte ushtrinë për në luftë, Profeti ynë (s.a.s.) qe shprehur, se feja jonë e ndalon prekjen e fëmijëve, grave apo njerëzve të strehuar në faltore. Andaj edhe është e pamundur, që këto krime të kryera sot, gjoja në emër të fesë, të mund të përshkruhen apo justifikohen nëpërmjet disiplinave të Kuranit apo Sunetit.

Me pak fjalë, ajo që na bie neve si detyrë është që, krah përfaqësimit të fesë përsosmërisht, edhe mirësjellja dhe respekti karshi çdokujt, cilatdoqofshin pikëpamjet e tij. Pasi ta detyrosh tjetrin të përputhet medoemos sipas sistemit tënd është diçka që kundërshtohet prej shpirtit të fesë. Nuk ka asnjë anë se nga ta justifikosh përdorimin e forcës, trysnisë dhe dhunës ndaj njerëzve, duke u shpallur atyre luftë, por në fakt duke e kthyer atë në një fushë tregtie, e aq më pak marrja peng e njerëzve prej këtyre qëllimeve. Ne që jemi pjesë e një feje të butësisë dhe qetësisë, e shohim kundërpërgjigjen me të njëjtën masë si diçka krejt të padrejtë, prandaj edhe zgjedhim që përpara se ashpërsinë të përdorim butësinë për t’iu përgjigjur njerëzve. Zaten një zemër që beson nuk zbret/mund të zbresë kaq poshtë duke kryer veprime të këtilla.

Allahu (xh.xh.) na i pajistë zemrat me urtësinë e Tij. Na ruajtë dhe na i pastroftë qëllimet prej çdolloj veprimi që bie ndesh me atë që Ai dëshiron prej nesh! Na bëftë neve të mundur që të jemi përherë nga ata njerëz që ecin në të njëjtën rrugë me Profetin tonë të dashur (s.a.s.), duke na i bërë jetët që t’u ngjajnë jetëve të atyre që nuk iu ndanë asnjëherë kësaj rruge!

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.