Filozofia jonë e jetës

Disa jetojnë pa u menduar, disa të tjerë vetëm mendojnë, pa qenë në gjendje t’i vënë idetë e tyre në zbatim. Por ajo që duhet, është të jetuarit me ide dhe duke jetuar, të prodhojmë kombinime të freskëta për të patur më tepër zhvillim dhe për të mundësuar mënyra të reja të përfitimit të ideve. Ata që jetojnë pa u menduar, shndërrohen në objekte të filozofisë së të tjerëve. Persona të tillë gjithmonë rendin nga dega në degë, duke ndryshuar vazhdimisht modelin dhe formën, duke u përpjekur ethshëm dhe duke ia kushtuar gjithë jetën gjërave të kota, të larguar nga çdo mendim dhe ndjenjë, me një parregullsi të theksuar dhe me një metamorfozë të dukshme pamjeje dhe karakteri, pa qenë asnjëherë në gjendje që të jenë vetvetja. Ndonëse herë pas here ata ndajnë arritjet e shoqërisë dhe përfitojnë aty-këtu nga puhitë e rastësishme të ngjarjeve korresponduese, edhe nëse këto puhi mund të kenë ndonjë efekt në mendjen, ndërgjegjen, apo vullnetin e tyre, ata kurrë nuk e lehtësojnë, apo çlirojnë shpirtin me dëshirën e tyre. S’janë të aftë të zgjedhin lirisht meritat dhe virtytet, duke mos u orientuar drejt pafundësisë. Këta njerëz i ngjajnë përherë një moçali me ujë të ndenjur, të papastër, të ndotur dhe të mbushur me erë të keqe. Larg nga të qenit të aftë që të shprehin ndonjë gjë sadopak të vlefshme, njerëz të tillë pashmangshmërisht do t’i ngjajnë një grumbulli virusesh kërcënuese për jetën, apo një vatre mikrobesh.

Këta njerëz janë aq të cekët në mendimet e tyre dhe aq sipërfaqësorë në pikëpamje, saqë imitojnë gjithçka që shohin, apo dëgjojnë, tamam si fëmijë, duke e lënë veten të udhëhiqen nga turma e cila i shtyn ata majtas e djathtas, pa e gjetur kurrë mundësinë për t’u dëgjuar, apo për t’u vlerësuar për ndonjë cilësi të tyre. Në fakt, ata nuk e kuptojnë kurrë se posedojnë vlera që u përkasin vetëm atyre. Ata e jetojnë jetën sikur të ishin skllevër, që kurrë nuk pranojnë të çlirohen nga ndjenjat dhe dëshirat e tyre trupore. Ata e vlerësojnë çdo mundësi dhe çdo dëshirë që kanë brenda kufijve të ngushtë të dëshirave trupore, ata e kthejnë zemrën, vullnetin, ndjenjat dhe ndërgjegjen të cilat i kanë dhuratë nga Zoti, në mjete të pavlera kënaqësish fizike, duke bërë që njerëzit ta kalojnë jetën e tyre në bohemizëm. Pasioni i këtyre njerëzve për pozitë, titull, gradë të lartë, interes, famë, përfitim, luks dhe komoditet, përbëjnë synimin më të dukshëm që përcakton të gjitha sjelljet e tyre. Me, apo pa ndërgjegje, çdo ditë, ata e gjejnë veten të kapur në një, apo më tepër rrjeta të tilla fatale, duke e bjerrur kështu shpirtin vazhdimisht në vorbullat më të tmerrshme të vdekjes.

Njerëz të tillë pa të shkuar e pa të ardhme, thonë si Omer Kajami: “E shkuara dhe e ardhmja, e gjitha është përrallë / Përpiqu të argëtohesh, jetën mos e shkatërro!” duke ndjekur instinktet e tyre shtazore. Ata e konsiderojnë botën si një livadh, një vend për të kullotur, ku mund të jetojnë të zhveshur nga ndjenjat dhe cilësitë e tyre njerëzore. Në fakt, ata vazhdimisht sillen rreth një vorbulle dekadence.

Ekzistojnë edhe ata të tjerët që e jetojnë jetën plotësisht, me tërë dimensionet e saj dhe që sipas nivelit të tyre e kthejnë çdo orë, apo ditë të jetës në një trampolinë për ide dhe mendime të freskëta. Ata e kalojnë jetën të orientuar drejt së jashtëzakonshmes, surprizave dhe bukurisë së të qenit gjithmonë përtej kohës, ata e pinë të shkuarën si të jetë një esencë e bekuar pranverore, marrin frymë në të dhe i mbushin mushkëritë me aromën e saj kundërmuese, duke e studiuar si të ishte një libër ndriçues. Ata ecin drejt së ardhmes përherë të pajisur me këto cilësi, e përqafojnë të shkuarën me gjithë ngrohtësinë e zemrave të tyre, e ngjyrosin atë me shpresa dhe e modelojnë me zellin dhe vullnetin e tyre. Përsa i përket të tashmes, ata e pranojnë atë si qendrën e strategjive zhvilluese, si punishte të prodhimit të teknologjive të nevojshme, si urë kalimi nga teoria në praktikë, në mënyrë që të realizojnë idetë e tyre dhe për rrjedhojë, të ndodhen gjithmonë përtej kohës dhe vendit.

Kur e vlerësojnë krijimin dhe kohën nga ky këndvështrim dhe u largohen kufijve të ngushtë të jetës trupore dhe materiale, ata ecin përpara drejt gjerësive të botës së ideve dhe enden nëpër rrëpira, të prirur drejt së pafundes, drejt një bote tjetër që ka përmasat e përjetësisë brenda kësaj bote të fundme dhe kalimtare. Kështu synojnë drejt pafundësisë me mendimet, emocionet dhe aspiratat e tyre, vlerësojnë pasurinë e të qenit njeri nëpërmjet gjerësisë hyjnore, duke gërmuar në thellësitë e zemrave të tyre. Këtë e arrijnë nëpërmjet filtrave që kanë vendosur në zemra, përpiqen të kapin surprizat të cilat asnjë sy nuk i ka parë ndonjëherë, asnjë vesh nuk i ka dëgjuar ndonjëherë dhe që imagjinata njerëzore nuk mund t’i perceptojë, apo t’i shprehë. Ata e bëjnë këtë në një mënyrë sipas së cilës njohuritë, dija shpirtërore dhe vlerat e tyre të pamatshme, u tregojnë dhe u flasin gjithmonë për mbretëritë e çmuara hyjnore, madje edhe ato më të lartat, duke u premtuar që secili do të shndërrohet në një pëllumb qiellor. Njerëz të tillë, që e kanë kthyer jetën e tyre në një lulishte të mbjellë me plot pemë të mendimit, ju mund t’i quani njerëz të dijes, apo heronj të filozofisë së orientuar nga feja. Nuk ka rëndësi si i përkufizoni ata, faktikisht, qysh nga kohët e lashta, njerëzit e ndritur e kanë endur historinë si një dantellë delikate dhe elegante. Ata gjithmonë kanë dalë nga radhët e këtyre shpirtrave të ndritur. Brahmanizmi, budizmi, konfucizmi, taoizmi dhe zoroastrianizmi ngjajnë më shumë me sisteme filozofike, sesa me besim fetar. Si të tilla përbëjnë secila një dhuratë që i është dhënë njerëzimit nga të tillë heronj të spiritualitetit. Në murmurimën e rrëkeve të gjata të mendimeve të së shkuarës, ju mund të dëgjoni kompozimet melodioze të këtyre ndërtesave të mendimit. Në të katër cepat e botës, si në botën e lashtë, ashtu dhe në atë të re, këndvështrime dhe stile të ndryshme të të jetuarit, ashtu si edhe pasuri kulturore dhe koleksione universale qytetërimi, janë përjetuar vazhdimisht dhe kanë qenë produkt i reflektimeve dhe meditimeve të të tillë njerëzve heroikë. Pavarësisht shumë ndryshimeve dhe devijimeve, pavarësisht se njerëzit janë larguar nga thelbi i tyre, ne mund të themi pa frikë, se pjesa dërrmuese e njerëzve në botë, vuan dhe kërkon sërish t’i rikthehet këtij shpirti, thelbi dhe përmbajtjeje të vjetër, megjithëse kjo është në kontradiktë me mënyrën sesi jetojnë ata sot. Derisa njerëzit të marrin si pikë referimi përfaqësuesit e pastër dhe heroikë, thelbin e tyre të pastër, ne, natyrisht do të vazhdojmë të kemi një opinion të tillë vlerësimi për të tjerët.

Kur përpiqemi të rinovojmë vetveten dhe njëkohësisht të mbetemi të lidhur fort me rrënjët tona shpirtërore, ajo që na bie si detyrë, është të përgatisim heronj të cilët të dinë të nxisin vetveten nga thellësia e shpirtit të tyre, pra, njerëz që mund të riinterpretojnë dhe t’i japin aktualisht tingull muzikës së të djeshmes sonë, pa u ngatërruar dhe pa u kapur mbas gjithçkaje, njerëz që mund të na ndjesojnë entuziazmin në zemrat tona në një përmasë të ndryshme çdoherë. Në fakt, derisa t’i përgatisim ata, afërmendsh që do të vazhdojmë të shkatërrohemi nga duart e diletantëve të çuditshëm, të cilët nuk dinë se çfarë të bëjnë dhe si të jetojnë. Gjatë kësaj periudhe, tërë njerëzimi do të përpiqet të mbushë vendin e vlerave universale dhe të përjetshme, vend të cilin ua kërkon ndërgjegjja e tyre, por që fatkeqësisht nuk do ta gjejnë brenda mendjeve të tyre, apo te përrallat, anekdotat, legjendat dhe mitet e tyre të lashta. Ndaj do të vazhdojnë të ecin drejt pakënaqësive, nga pakënaqësitë drejt krizave dhe nga krizat drejt shkatërrimit.

Fakti që nuk kishim një sistem mendimi, apo filozofie të jetës që do të zhvillonte rrënjët shpirtërore të kulturës sonë kombëtare dhe do të ishte e bazuar në dinamikat islame, ka qenë shkaku që kemi përjetuar mjerime dhe fatkeqësi të mëdha. Nuk kemi qenë të vetëm në këtë aspekt. Edhe një pjesë e madhe e botës që ishte e lidhur me ne, ka vuajtur në të njëjtën mënyrë. Është e nevojshme të dallojmë sistemin tonë të mendimit dhe filozofinë tonë të jetës, nga ai që quhet sistemi i mençurisë i Kindit, Farabiut, Ibn Rushdit (Averroes), dhe në një kuptim ai i Ibn Sinës (Avicenna). Këta ishin mendimtarë dhe përkthyes të sistemit të filozofisë greke, e cila është e zhytur në mendimet dhe konceptet e Aristotelit, ndërsa rrënjët e sistemit tonë të mendimit shtrihen në Qiell. Ky sistem është i vjetër sa e kaluara e përjetshme (ezel) dhe më i ri sesa e reja. Ai është i aftë të përqafojë çdo moshë. Sistemi ynë i mendimit buron dhe bazohet në Shenjtërinë (lahut), në Fuqinë dhe Madhështinë Hyjnore (xheberut), në mbizotërimin suprem të Zotit (melekut) dhe në natyrën njerëzore (nasut). Origjina e tij është e përcaktuar dhe e njohur, ajo është e shndritshme dhe e bazuar dhe e lidhur me të vërtetat e krijimit. Nëse një interpretim i tillë përfshihet brenda kuptimit të shpirtit dhe thelbit të tij, edhe në ditët e sotme do të jetë e mundur të zhvillojmë dhe të realizojmë sistemin tonë vetjak të mendimit. Për rrjedhojë, ai do të na shpjerë drejt rilindjeve serioze dhe mbarëbotërore, duke na hapur mjaft shtigje dhe rrugë të pasura për të gjithë ne.

Që nga mesi i shekullit të pesëmbëdhjetë, ka pasur mjaft përpjekje për një zhvillim të këtij sistemi ideal të mendimit. Megjithatë, ato nuk kanë qenë kurrë në gjendje të arrijnë tek objektivat e dëshiruar. Megjithëse ky vëzhgim është i hapur ndaj interpretimeve në aspekte të caktuara, në përgjithësi është i vërtetë. Që nga Hoxhazade, tek Molla Zejreku, që nga Mustafa Reshit Pasha, tek arkitektët e Monarkisë Kushtetuese[1], që nga këta, deri tek punëtorët më të vonshëm të mendimit, shumica, të sinqertë, apo jo, u prirën të gjejnë përgjigjet e këtyre përpjekjeve dhe aspiratave në ndërgjegjen kolektive. Megjithatë, disa ngecën në “inkoherencat”[2] e Ibn Ruzhdit dhe Imam Gazaliut, disa të tjerë u zhytën dhe u venitën në vorbullat e Revolucionit Francez dhe Ogyst Kontit, e mjaft të tjerë humbën kohë me delirin dhe opsesionin e Durkheimit. Këta njerëz ishin gjithmonë aktivë, por nuk e morën kurrë në konsideratë epokën në të cilët jetonin. Duke shkuar, ose përtej fantazisë, apo vlerave njëmijëvjeçare të kombit tonë, ata i çoroditën këto vlera nëpërmjet trajtimit të tekave dhe fantazive të tyre, si të ishin zotër. Unë do të dëshiroja që tashmë t’i kapërcenim këto mërzi dhe negativizma. Sa do të dëshiroja që ne të mund t’i kapërcenim këto kontradikta dhe të zhvillonim një sistem mendimi dhe një filozofi kombëtare të ushqyer nga burimet tona të brendshme!

Le ta shprehim këtë më saktë, për shkak se këndvështrimet e ndjenjave, të perceptimit dhe interpretimit të fenomeneve natyrore janë të ndryshme, atëherë nëse nuk do të kemi një themel të fortë mendimi, apo një sistem filozofik mbi të cilin të mund të ndërtojmë gjithçka, pikëpamjet tona do të jenë gjithmonë kontradiktore dhe ne do ta zhysim veten në një rrjet kundërshtie dhe konfliktesh. E nesërmja, ashtu si edhe e sotmja, mund të bëhen tonat vetëm me anë të këtij sistemi dhe këtyre metodave të fuqishme dhe me anë të një stili të përbashkët, të cilin do ta përvetësojnë vullnetarisht të gjithë brezat. Nëse ne nuk kemi një unitet të tillë në mendime, ndenja dhe mënyrë jetese, nuk do të na mbetet asgjë tjetër përveç dëshirës së madhe për të folur në lidhje me bashkimin dhe solidaritetin kombëtar, si sot, ashtu edhe nesër. Kjo për arsye se në çdo sistem, logjika kombëtare, mendimi, arsyetimi dhe frymëzimi shpirtëror (varidati), janë shumë të rëndësishme. Bashkimi i ndjenjave, i logjikës, i arsyes, si dhe i dëshirës për të jetuar së bashku, si një komb i vetëm, do të realizohet i kushtëzuar nga sistemi i mendimit që buron nga ndërgjegjja jonë kombëtare, nga fakti se sa janë të zhvilluara mendja dhe bota jonë ndjesore. Nga ana tjetër, kur ndjenjat kombëtare, mendimet, interpretimet dhe stilet përplasen me njëri-tjetrin, si dhe kur arsyeja dhe racionaliteti janë në kontradiktë me njëri-tjetrin, veprat dhe aktivitetet nuk do të sjellin fryte, edhe po qe se në to do të marrin pjesë një numër i madh njerëzish. Në këto raste ka më shumë të ngjarë të përjetohet një shkatërrim i plotë. Në një shoqëri ku përjetohen të tilla konflikte, apo përplasje botëkuptimesh dhe interpretimesh, çdo përpjekje do të dështojë dhe do të përplaset me të tjerat, ashtu si valët e detit, duke e humbur fuqinë e tyre në pellgun e palëvizshmërisë, duke bërë që gjithçka të mbetet brenda një rrethi vicioz. Ekzistojnë ca urtësi të dukshme dhe të padukshme në përplasjen e valëve të detit, ato e shuajnë dhe e fashitin njëra-tjetrën. Megjithatë, kur flitet për shoqërinë, në një rast të ngjashëm mund të bëhet fjalë vetëm për qëndrim në vend, kalbëzim, dezintegrim dhe veteliminim nëse përjetohen përplasje të kësaj natyre. Në një shoqëri të tillë, të gjithë u ngjajnë ujqërve, të cilët japin e marrin të shqyejnë të tjerët dhe ku çdo ide i ngjan projektimit të vdekjes. Edhe nëse bekime hyjnore do të binin vazhdimisht si shi mbi kokat e njerëzve të kësaj shoqërie, ajo do t’i ngjante rrobave që brehen vazhdimisht nga tenja, edhe vlerat historike do të ishin poligon i sulmeve dhe do të breheshin. Gjërat e shenjta në këto raste rrezikojnë të shkatërrohen, njerëzit e kësaj shoqërie nuk kanë nderim për të vjetrit dhe as nuk i respektojnë më të rinjtë, këta të rinj nga të cilët ne presim të bëhen heronj, të shndërrohen në fuqinë dinamike që do mbartë në supet e veta standardet e së ardhmes së ndritur. Në vend që të marrin rolin që u takon, pështyjnë mbi flamurin dhe mallkojnë historinë e vendit të tyre, duke e konsideruar të ardhmen, si arenën ku do të kryejnë të gjitha veprat e tyre të ndyra dhe të pamëshirshme. Të vjetrit dhe inteligjenca që ngrenë duart lart me mendjelehtësi, veprojnë tamam si avokatët e kësaj dekadence. Në fjalimet, shkrimet dhe programet televizive, ata nxisin bohemizmin në shpirt dhe rrënojnë botëkuptimin dhe ndërgjegjen e njerëzve, si të kishin hedhur acid mbi to.

Gjatë një periudhe të tillë, shtyllat e shkencës dhe të dijes nuk janë në gjendje të evokojnë dashurinë dhe idetë për dijen. Ata të cilët përfaqësojnë pushtetin dhe autoritetin, shndërrohen në pengje të ideologjive të veçanta, duke gllabëruar njëri-tjetrin. Logjika, arsyeja dhe frymëzimi janë të dënuar të ecin në korridoret e ngushta të ideve dhe shprehjeve enigmatike. Në një shoqëri ku përhapet një pezmatim dhe kontradiksion i tillë, kotësia, ambiciet dhe zbrazëtia zëvendësojnë gjithçka dhe jeta bëhet një torturë e vërtetë.

Megjithatë, sistemi ynë i mendimit, apo filozofia jonë e jetës, janë të lidhura, jo vetëm me botën e ekzistencës, por, edhe me mbretërinë e paraekzistencës dhe me gjithçka që shtrihet përtej kësaj ekzistence. Ai takohet gjithashtu me tërë fenomenet natyrore dhe gjërat që shtrihen pas tyre si tërësi. ai është i aftë dhe i gjerë për ta përkufizuar mënyrën e gjithë jetës sonë në vazhdimësi. Me anë të një sistemi të tillë, shoqëria, edhe në qelizat e saj më të vogla, individët, është në gjendje të realizojë drejtësinë universale të shumëpritur në tokë dhe t’u përgjigjet të gjitha shpresave të njerëzimit, nëpërmjet stimulimit të individëve për të vepruar sipas moralit të pastër. Në këtë mënyrë, shoqëria ushqehet me shpirt, moral, virtyt dhe me objektiv, duke arritur stadin e rinovimit nga brenda përbrenda vetvetes. Kështu, kuptimi ynë për qytetërimin dhe pasuritë kulturore shndërrohet në një të mirë të dëshiruar, të shumëpritur dhe të ëndërruar mbi gjithçka tjetër në botë. Për rrjedhojë, ne jemi të aftë të shtrijmë duart tona për të ndihmuar pjesën tjetër të botës, duke ua paraqitur lehtësisht idealet tona në lidhje me njerëzimin, filozofinë tonë të moralit, kuptimin tonë të virtytit, idetë tona dhe interpretimin tonë në lidhje me drejtësinë. Madje për shkak se është arritur një nivel dhe pozitë kaq e lartë, si burimet e pushtetit të një shteti, ashtu edhe dinamikat administrative, por dhe parimet shoqërore dhe ekonomike, do të lulëzojnë duke bërë që nga shpirti i njerëzve tanë dhe njëkohësisht edhe i shoqërisë, të gjendet shpëtim prej çdo lloj “varësie.” Varësia e heshtur të cilën ne e kemi mbartur mbi supe si një zinxhir rreth qafës për shkak të dobësisë dhe të borxheve tona, ka sjellë për pasojë paralizimin dhe qëndrimin në vend të sistemit tonë politik, ekonomik, gjyqësor dhe administrativ. Në të shkuarën, brezat tanë të artë, të cilët dikur kishin ndërtuar Anadollin, një prej vendeve më të përparuar dhe të qytetëruar të botës, ndërtuan dhe vendosën administratën e tyre, sistemet politike dhe gjyqësore të zhveshura nga përfitimet materiale, nëpërmjet forcës që buronte nga shpirti i tyre. Ata nuk lejuan që ndonjë mendim, sistem, apo botëkuptim të hynte në institucionet e popullit, pa e kontrolluar më parë dhe pa e kaluar në sitën e kritereve. Sepse ato i ruanin këto institucione si shtëpitë e tyre, si nderi i familjes dhe emri i mirë. Madje këto vlera, ata nuk i mbajtën vetëm për vete, por i përhapën. Edhe pasi kishin luftuar me pothuajse gjithë botën dhe kishin përjetuar një disfatë të përkohshme, edhe pasi ishin tronditur dhe plagosur, me shpresë, besim, zell dhe dëshirë të jashtëzakonshme, u përpoqën të ruajnë origjinën e tyre, duke u mbledhur rreth ndërgjegjes së historisë dhe duke u lidhur ngushtë me dinamikat e ekzistencës së tyre, madje duke i eksportuar këto vlera edhe jashtë. Ata, siç thuhet në një hadith, “I mbajtën këto vlera të shtrënguara mes dhëmbëve dhe qiellzës së tyre.” Kokat e tyre nuk u ulën, por qëndruan lart. Botëkuptimi, pranimi dhe interpretimi i kësaj bote dhe i botës së përtejme, mbetën të shëndosha dhe të paprekura dhe përparimi i tyre drejt një rilindjeje të freskët vazhdoi pa u ndalur për asnjë çast.

Në kohën tonë, kur agimet pasojnë njëri-tjetrin, gjykuar nga këndvështrimi i horizontit tonë të dijes dhe nëse do të jemi të aftë të vlerësojmë dhe të gjykojmë me mençuri dhe të përfitojmë edhe njëherë nga bota në të cilën jetojmë, nëse do dimë t’i interpretojmë mirë gjërat dhe ngjarjet, të përcaktojmë siç duhet materialet bazë të strukturës së brendshme të popullit tonë dhe të lidhemi me idealet tona që do të ekzistojnë përjetësisht, atëherë do të ndodhemi përherë në pozitën e paraardhësve tanë të lavdishëm, mbase edhe do të përparojmë më tepër se ata. Në fakt, përse nuk u dashka që këta breza të çmuar të mos jenë në ballë dhe përpara brezave të kaluar e madje të të gjithë brezave? Ata do të ngjeshin të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe do t’i vendosin ata në perspektivë të gjitha në të njëjtën kohë, duke i vlerësuar dhe duke marrë më të mirën e tyre, do të përzgjedhin traditat, kulturat dhe dinamikat historike të shoqërisë në të cilat jetojnë nën mbrojtjen e tyre, do të interpretojnë siç duhet ciklin e rivlerësimit të historisë për t’u ripërtërirë vetë ata.

Përgjegjësia e parë që bie mbi ne është ndjesia e efekteve të dhimbjes, vuajtjes, vështirësisë, besimit dhe kulturës. Të ndjehet e tëra kjo në ndërgjegjet e brezave, duke i rrënjosur ato në përpjesëtim të drejtë me peshën e tyre. Kjo do të arritur nëse zhvillojmë tek njerëzit ndërgjegjen historike. Nëse ne arrijmë ta bëjmë këtë, pas disa brezash, çdokush që do të jetojë në tokën tonë, nuk do të hedhë sytë dhe nuk do të kërkojë për të gjetur ndonjë burim të jashtëm për të vënë në lëvizje institucionet e ndryshme, por do të mjaftohet me dinamikat tona shpirtërore.

Nesër ne do të sjellim të gjitha elementet e jetës sonë nga e kaluara. Nëse do të jemi në gjendje t’i ndriçojmë ato me dritën e fesë sonë dhe me rrezet e shkencës dhe të dijes, në udhëkryqin e kulturës sonë, atëherë do të kemi përgatitur edhe atë zamkën që na ngjit me përjetësinë.


[1] Kushtetuta e re dhe sistemi parlamentar në historinë otomane i shpallur së pari në 1876, por që nuk funksionoi si duhet për shkak të luftërave të pafundme, deri në një shpallje të dytë në 1908.

[2]Inkoherenca e Inkoherencës” nga Ibn Ruzhdi dhe “Inkoherenca e Filozofëve” nga Imam Gazaliu, janë dy veprat (shek. XII) më të famshme në historinë e filozofisë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.