Determinizmi në histori

Përsosmëria dhe lumturia e brezave të së nesërmes do të jetë produkt i shpirtrave sakrifikues i së tashmes dhe i kësaj fryme. Do të ishte vetëzhgënjim dhe vetëngushëllim të presim një të nesërme të rregullt dhe të përkryer nga komuniteti i njerëzve të lodhur, të shkurajuar, të degraduar dhe endacakë, të cilat sot ia kanë kushtuar jetën e tyre komoditetit dhe letargjisë. E nesërmja do të zhvillohet dhe do të lulëzojë në mitrën e të sotmes. Ajo do të ushqehet dhe do të marrë jetë nga fryma e sotme duke arritur kështu lulëzimin e vet. Ashtu si ekzistenca jonë e sotme, që me të mirat dhe të këqijat e saj mbart në vetvete gjurmët e së djeshmes, edhe e nesërmja jonë do të jetë kopje e së sotmes, kopje e cila është zhvilluar, përhapur dhe lindur nga individët, duke u shndërruar në pjesë të shoqërisë. Jeta jonë kombëtare, me ngjyrat dhe cilësitë e veta të veçanta, i ngjan një lumi që buron nga majat e larta të maleve të së shkuarës, që rrjedh drejt së ardhmes me notat dhe akordet e veta të bukura. Duke avancuar drejt së ardhmes, ky lumë merr karakteristikat e vendit nëpër të cilin ai rrjedh. Nëse vërejmë me kujdes lumin mbi të cilin edhe ne gjithashtu jemi duke lundruar, do të arrijmë të shquajmë paraardhësit tanë, gjurmët e tyre, nxitjen, shqetësimet, idealet dhe produktet e mendjeve dhe muskujve të tyre të cilat janë stampuar në rrymat dhe shtjellat e këtij lumi. Ndaj ne mund të themi se ata përbëjnë burimin tonë të jetës, prandaj edhe ne do të jemi një burim energjie për brezat e ardhshëm me dinamikat tona historike. Nëse mund të arrijmë të marrim pjesën që na takon në këtë trashëgimi, shpirti i kombit do të mbetet gjithmonë i ri dhe do të mbijetojë përjetësisht, pavarësisht se bota në të katër anët do të plaket, nëse koha do të ndryshojë dhe nëse brezat do t’i zënë vendin njëri-tjetrit. Ata të cilët vijnë të parët, do të ikin dhe të ikurit, do të zëvendësohen nga prurje të reja. Prandaj në një klimë të tillë ndryshimi dhe transformimi, Ebu Bekri evoluoi tek Omer ibn Abdul Azizi, Omeri u transformua në Fatih, shpirti i Aliut u bë ai i Battal Gaziut dhe Luanët e Bedrit e shfaqën veten në thellësitë e shpirtit dhe thelbin e Manzikertit, Kosovës dhe Galipolit. Diçka e tillë nënkupton që gjithçka është e drejtuar dhe e orientuar drejt përjetësisë. Unë mendoj se formula magjike e ripërtëritjes dhe e rinisë së përhershme duhet të jetë kjo. Sakrificat nga jeta jonë individuale, do të formojnë bazat e ekzistencës dhe të vazhdimësisë sonë kombëtare. Përballimi i çdo vështirësie me buzëqeshje në fytyrë, do të na garantojë jetën e pasosur si në këtë botë, ashtu dhe në botën e përtejme. Karakteret heroike të cilët kapërcejnë të gjithë heronjtë e utopive dhe të cilët do të mund të përgatisin të ardhmen për ne dhe për gjithë njerëzimin, janë ata të cilët i përdorin më së miri stadet e jetës, që nga periudha e hershme me ngjyrë trëndafili, gjatë së cilës ata arrijnë të formojnë vetveten dhe karakterin e tyre, në një botë të plotë dhe shumëngjyrëshe rinore, duke vijuar me periudhën gjatë së cilës pjekuria është mbi gjithçka e pastaj me fuqinë, forcën dhe vullnetin që lind nga aktivizmi, e duke e mbyllur pastaj me periudhat e qeta, dinjitoze dhe vetëpërmbajtëse të moshës së vjetër. Këta heronj janë njerëz të cilët e ndërmarrin çdo hap të hedhur gjatë këtyre stadeve me kujdes dhe duke u menduar thellë. Ata janë njerëz që janë të gatshëm për të sakrifikuar çdo gjë nga jeta e tyre për të tjerët, në çdo kthesë të rrugës së jetës, ata janë njerëzit të cilët edhe kur janë duke vdekur, vdesin me fytyrën e drejtuar nga shkallët e larta të hyjnores dhe të cilët janë të mbushur me dashuri për njerëzit, për arsye se e kanë zgjedhur vetë që të jenë të tillë. Heronj të tillë të panjohur do të ecin dhe do të veprojnë gjithmonë në këtë mënyrë, me vullnetin e tyre të lirë, duke vrapuar përherë në ballë të punëve, por asnjëherë për arsye vlerësimi, apo përfitimi. Ata do të jetojnë gjithmonë nga brezi në brez, si pasqyra më e mirë e memories kombëtare dhe dëshirojnë të takohen me vdekjen në një mënyrë të tillë, saqë çdokush të mund të thotë: “Sa keq që vdiq!”

Është e pamundur për ne të premtojmë diçka për të ardhmen e botës dhe të mbijetojmë në të nesërmen tonë, nëse nuk formojmë njerëz me të tilla karakteristika, nëse nuk u japim atyre mundësinë për të përfaqësuar këto dinamika, apo nëse nuk i sistemojmë fazat e ndryshme të jetës së tyre në rrjedhën e të tilla dinamikave të shpirtit dhe thelbit të jetës. Nëse ne pranojmë që periudha në të cilën ndodhemi përbën bazën për thelën e artë të epokave që do të vijnë, kjo bazë duhet të vlerësohet dhe të përdoret mirë. Ne duhet ta përdorim atë me mprehtësi, ndërgjegje, efikasitet dhe durim. Kjo ndërtesë duhet të jetë e hapur drejt së ardhmes, por, njëkohësisht, duhet të ruajë shpirtin dhe thelbin e tij. Faqet e saj duhet të jenë të hapura për interpretim, duke bërë që ajo të fitojë atë dimension që do të jetë i aftë të përqafojë të ardhmen, në mënyrë që e nesërmja jonë të mos zhvillohet e shkëputur prej së sotmes. Nëse një gjë e tillë lihet pas dore, është i pashmangshëm rezultati i varfër i punës. Marrja në konsideratë e shpirtit të fesë dhe e parimeve të ligjeve natyrore (sheriati fitrije) të cilat qeverisin universin, kudo ku shkaqet lihen pas dore, sigurisht brenda planifikimit të shkaqeve, është krejtësisht jo korrekte të mendohet se do të dalin në pah rrjedhojat që kanë lidhje me këto shkaqe. Determinizmi (muajjenijet), të cilin jemi në gjendje ta vërejmë gjithmonë brenda fenomeneve natyrore, vlen edhe për ngjarjet historike duke i kushtëzuar ato deri në njëfarë mase. Ngjarjet dhe personat të cilët kanë bërë historinë, ishin si fara e hedhur në dheun e historisë, apo si vezët e mbajtura në inkubatorët e historisë, ndaj ata mund të konsiderohen si burimi i ngrehinës në të cilën formohet dhe modelohet e tashmja. Po kështu, shkaqet të cilat bien si shi nga pjerrësitë e kodrave të historisë, që formojnë sërish perspektivën e rastësisë, përbëjnë faktorët që përcaktojnë rrjedhojat. Përmasat e këtyre rrjedhojave duhen kalkuluar nëpërmjet mençurisë dhe të ngjyrosura me drejtësi. Ato duhet të shfaqen në stabilitet dhe të marrin formë me anë të integritetit.

A nuk ka ndodhur kështu deri tani? A nuk janë ditët e errëta të jetuara dikur rezultat i punëve të pista dhe i veprave të ndyra të periudhave të mëparshme? A nuk ndodhi përmbytja e madhe në vendin ku mëkatarët i sollën shqetësime profetit Nuh? A nuk ishin erërat e forta që frynë në Ahkaf, ato të cilat kthyen përmbys si një veprim pastrues tokën që njollosi fisi i Adit (Kuran, 46:21)? A nuk qe sakrifikimi i Sodomës dhe Gomorës një taksë që toka u dha qiejve në këmbim të mizorive të kryera atje? A nuk ishin përçarja, injoranca dhe keqinterpretimi i botës nga popujt e Azisë Qendrore, të cilët ishin shndërruar në ujqër që prisnin në dyert e njëri-tjetrit, arsyet për të cilat u shkatërruan prej duarve të Xhengis Hanit dhe Hulagut gjatë historisë antike, por duke vuajtur edhe gjatë kohëve moderne, nën thundrën e pamëshirshme të komunizmit, socializmit dhe kapitalizmit? A nuk ishin ankimet, rënkimet dhe vajtimet e të shtypurve, që nga lotët e pashpresa të Kartagjenës e deri tek vajtimet e pafajshme dhe tronditëse të kristianëve të hershëm, vajtime që tronditën qiejt, arsyet përse gjithë ajo Perandori Romake u bë njësh me tokën? A nuk ishte ideja se disa prej njerëzve duhet të shiheshin si “pariah”, shkaku për të cilin India u shkel dhe u shtyp prej “çizmeve angleze” për një periudhë kaq të gjatë kohore? Edhe në historinë e kohëve të fundit, pothuajse të gjithë ata që luftuan kundër atij shteti të madh osman dhe kundër popullit të tij të nderuar, një popull i cili konsiderohej si element balance fetare që nga shkretëtirat e Afrikës e deri në Ballkan, e pastaj në disa vende aziatike, e paguan shumëfish koston e mizorive dhe luftërave të tyre. A nuk ishte padrejtësia, tirania dhe persekucioni i Leninit, Stalinit, Hitlerit, Musolinit e të tjerëve si këta, të cilët ishin më të këqij dhe despotë më të mëdhenj, sesa tiranët më të tmerrshëm të historisë, ata që sollën për rrjedhojë që njerëzit të vuajnë aq shumë, saqë jo vetëm pikëpamjet e tyre, por gjithashtu edhe statujat t’u hiqeshin dhe të flakeshin tutje, si qeliza kanceroze dhe ciste nga trupi i njerëzimit?

Pavarësisht gjithë tiranive dhe padrejtësive që përjetuan, myslimanët e parë i mposhtën armiqtë e tyre duke shfrytëzuar armiqësitë e tyre të brendshme, duke bërë kështu që flamuri i tyre të valëvitet në të gjithë botën me anë të drejtësisë, të cilën myslimanët arritën ta ngrinin në sistem. Bedri dhe çlirimi i Mekës ishin në fakt mbizotërimi i drejtësisë dhe i ndershmërisë, kurse Uhudi qe fitorja e pafajësisë dhe e trajtimit të padrejtë. Për sa kohë që shpatat ishin në duart që drejtoheshin nga zemrat e tyre, fitoret pasuan njëra-tjetrën. Gjatë kësaj epoke të bekuar, ajo që dukej si zonë humbjeje, u kthye në arenë fitoresh dhe çastesh triumfuese të cilat i bënin jehonë dhe i hapnin rrugë së ardhmes. Në kontrast, që nga koha kur forca dhe pushteti mbaheshin me anë të shpatave, që kur gjuha e zemrës u lidh, çdo dominim material dhe rregull i dalë nën petkut e suksesit, solli për pasojë dështime dhe humbje të mëdha në shpirt, duke i kthyer zonat e fitores në arena, ku vërehej qartë sëmbimi i ndarjes, hidhërimi i zemrave, dhimbja mendore, vuajtja dhe keqardhja.

Deri tani, pavarësisht me çfarë emri, titulli, apo forme, e keqja është ushqyer dhe dhuna ka evoluar në rrethin vicioz të shtypjes. Të gjithë ata të cilët kanë mbjellë rebelimin, kanë përvetësuar gjithmonë të keqen. Megjithatë, ata të cilët kanë mbjellë farën e së mirës, gjithmonë kanë korrur mirësi dhe bollëk. Nganjëherë, pasojat e veprave të mira, apo të këqija janë vonuar, por, megjithatë, vjen momenti kur arrin stina e tyre, ndaj edhe në të ardhmen, ato me siguri do të shfaqen, do të lulëzojnë dhe do t’i bëjnë tiranët që të rënkojnë nga dhimbja. Ndërsa, përsa u përket të shtypurve, ata do të shndërrohen në një mjet shpëtimi dhe bekimi. Mund të kalojnë vite, e nganjëherë edhe breza, derisa shkaqet të sjellin efektet, por sapo periudha e parapërgatitur me gjithë efektet e saj mbërrin, ajo bëhet aq e kapshme, saqë kompensimi për të pafajshmit, për padrejtësitë e kryera në kurriz të tyre është pa dyshim parajsa. Ndërsa për të pabindurit dhe tiranët, vendi i tyre i vetëm është zjarri i ferrit.

Të gjitha këto mund të interpretohen në termat e shkaqeve dhe efekteve të thelbit të historisë. Në fakt, ashtu siç është e mundur të interpretohet e gjitha kjo në sensin e drejtësisë, të ligjeve natyrore që qeverisin universin, ashtu mund edhe të pranohet si shkak i rëndësishëm në ciklin e historisë. Ekzistojnë ndoshta shumë shkaqe prapa ngjarjeve historike, sepse Zotëruesi i Pushtetit të Pafund i paraqet shkaqet si mbulesë për veprat e Tij, duke bërë që bota jonë të rrethohet prej tyre. Ato janë një bekim misterioz, ashtu si cilësia e vullnetit të lirë, me anë të së cilës Ai ka bekuar njerëzimin, ndaj ata janë aksesorët tanë të nevojshëm materialë, të cilët i përdorim për të përmbushur përgjegjësitë tona.

Në këtë aspekt, ashtu sikurse nganjëherë një përpjekje e vogël mund të shndërrohet në hapin e parë të ndonjë vepre mjaft të rëndësishme, ashtu edhe një opinion, apo veprim i gabuar, mund të sjellë për pasojë rezultate jo të këndshme. Ne, megjithatë, mund të shpresojmë për një të nesërme shumëngjyrëshe dhe të lumtur, si dhe për bukuri të bekuara të cilat i gjithë njerëzimi synon t’i zotërojë, duke u nisur nga puna e endësve në miniaturë, të pajisur me idenë e së mirës dhe që burojnë nga ca breza fatlumë të së sotmes.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.