Instituti Gylen në Teksas zhvillon platformën e dialogut mes qytetërimeve
Instituti Gylen, pjesë e strukturës akademike të universitetit Houston në SHBA, organizoi për të tretën herë radhazi në Houston të Teksasit mbledhjen për Platformën e Dialogut mes Qytetërimeve. Tema e platformës së këtij viti në të cilën diskutohen çështje sociale të ndryshme dhe alternativa zgjidhjesh është “Përçarjet dhe Dialogu”. Duke u nisur nga parullat nacionaliste të hasura shpesh në media dhe ngjarjet e ndodhura në Norvegji, akademikë të shteteve të ndryshme analizuan fenomenin e përçarjes.
Në programin e organizuar këtë vit në trajtën e ‘platformës së dialogut mes qytetërimeve’ morën pjesë akademikë të ardhur nga gjashtë kontinente dhe nga vende si Turqia, Indonezia, Afrika e Jugut, Anglia, Meksika, ShBA dhe për dy ditë radhazi diskutuan rreth shkaqeve të përçarjes, ndryshimet e mbështetura në racë, etninë, kulturën, fenë, ndikimet e kësaj përçarjeje dhe mënyrën e zgjidhjes së saj në terren.
Studimi i realizuar nga Prof. Martha Kirk ,pedagoge në Universitetin Incarnate Word dhe i mbështetur nga Instituti Gylen, iu prezantua të pranishmëve gjatë programit në trajtën e një ekspozite. Ekspozita në të cilën paraqiten qartë shpresat, edukimi dhe e ardhmja që i ka servirur Lëvizja Gylen njerëzve në pjesën veriore të Irakut, e veçanërisht femrave, u pa me shumë interes nga pjesëmarrësit. “Më parë familjet ishin të ndara për shkak të gjuhës, dikush fliste gjuhën kurde, dikush turkmene, arabisht dhe persisht, ndërsa tani në shkollat e hapura nga lëvizja Gylen fëmijët kanë mësuar të krijojnë shoqëri të reja, të respektojnë dhe punojnë bashkë me njëri-tjetrin”, shprehet Prof. Kirk.
Duke krahasuar Muhjidin Arabin dhe Eickhartin, Prof. Syaafaatun Almirzanah nga Universiteti i Indonezisë nënvizoi ndihmën që na japin këta dy personalitete me principet e vendosura në bazën teologjike. Ndërsa Porf. Maria Curtis nga Universiteti Houston foli rreth vështirësive të përjetuara nga myslimanët pas sulmeve të 11 shtatorit dhe për suksesin e shoqërisë turke në përcaktimin e programeve të suksesshme në këtë fushë.
Prof. Mark Swanson nga fakulteti teologjik Lutheran dha disa shembuj të përçarjes bazuar në disa shkrime të autorëve arabo-egjiptian të mesjetës dhe nënvizoi faktin se duhet të kalojmë nga koncepti i ndarjes ‘ne-ju’ në një koncept më të gjerë ‘ne’.
Ndërsa Doç. Dr. Gokhan Bacik nga universiteti Zirve në Turqi qëndroi mbi shkaqet e mosarritjes së një zgjidhjeje politike për çështjen Kurde nga ana e Turqisë.
Në mes panelistëve mund të përmendim dhe Prof. John Brewer nga Universiteti Aberdeen në Angli, Juan Manuel Portilla nga Universiteti Shtetëror i Meksikës, Patricia Maulden nga Universiteti George Mason, Stanley Ridge nga Universiteti Western Cape në Afrikën e Jugut, James Harrington nga Universiteti Texas.
Ali Riza Çandir dhe Sait Javuz falënderuan pjesëmarrësit në emër të komitetit organizues të platformës duke pohuar se kjo platformë do të ndikojë pozitivisht në fushën e dialogut dhe paqes.
- Publikuar më .