Pasioni Për Post

Ashtu siç ndodhen te njeriu esenca dhe farërat e shumë gjërave të mira, në funksion të disa qëllimeve, ndodhet edhe esenca e gjërave të këqia. Për shembull, krahas shprehive të bukura si mosdhënia pas interesit, sinqeriteti, vetmohimi, syngopësia, te shumë vetë ndodhen edhe cilësi të këqia që e vrasin zemrën dhe e paralizojnë shpirtin si dashuria për post, mendimi për pozitë, dëshira për t'u dukur. Nisur nga kjo, në marrëdhëniet me njerëzit duhet të krijojmë lidhje duke i mbajtur parasysh edhe këto aspekte të natyrshme në mënyrë që të mos zhgënjehemi!

***

Po qe se dëshira për post e pozitë dhe ndjenja e famës dhe popullaritetit që ndodhen në mënyrë të natyrshme shumë a pak te njeriu, nuk kënaqen në një mënyrë legale, ata që nuk munden ta shpëtojnë veten prej këtyre komplekseve, mund të bëhen shumë të rrezikshëm si për vete, ashtu dhe për shoqërinë ku jetojnë. Ashtu siç pengimi i prirjes për t'u zbrazur te një element që ka arritur pikën e ngopjes, shkakton depresion, aritmi dhe shkatërrim, ashtu dhe shkatërrimi i botës sonë bëhet i pashmangshëm po qe se dëshirat e thella te zemrat e robëruara nga fama dhe popullariteti nuk kanalizohen në një mënyrë të përshtatshme!

***

Edhe sikur çdo lëvizje dhe veprimtari e këtyre shpirtrave vulgarë, të cilat pranohen si "e keqe relative" e tyre në rrugën për të kënaqur egot e veta, të konsiderohet, në një farë mase, si frakturë e shpirtit, duke u nisur nga përfundimi, mund të konsiderohet një "e keqe e mirë" përsa i përket pengimit të disa të këqiave dhe veprimit si pretekst për bukuri relative, madje, mund të konsiderohet edhe një e mirë e anasjelltë. Sigurisht, po qe se një këngëtar që kërkon për grykën e vet "të drejtën për të fituar", në vend që me anë të këngëve kurvërore të na spërkatë përreth tym dhe mjegull, zbrazet me një melodi hyjnore, me një kaside të gjallë e me një temë mevludore, kjo është më pak e dëmshme, madje, për disa kjo mund të konsiderohet edhe e dobishme!

***

Sinqeriteti dhe principialiteti janë shpirti i një pune si dhe karakteristika e autorit të saj. Sipas kësaj, pranueshmëria te Krijuesi e një akti çfarëdo varet nga kryerja e atij akti me gjithë zemër dhe me qëllimin për të mos pritur shpërblim, si dhe nga mosprania në shpirtin e autorit e asnjë gjëje tjetër veç pëlqimit të Zotit! Por ç'e do se është mjaft e vështirë që çdo individ të mund të bëhet në shërbim kaq i suksesshëm. Për rrjedhojë, opinioni mbi njerëzit duhet formuar sipas asaj se kush është sundues te ta: e mira apo e keqja. Sigurisht, ka punë të tilla që, megjithëse aspekti i tyre për dukje peshon më rëndë, nuk mund të pretendohet se janë absolutisht të dëmshme për idealet tona, për mendimet tona të shenjta dhe për njerëzit tanë. Njerëzit mund të përzjejnë në punët që bëjnë kërkesat dhe dëshirat personale, pëlqimin e Zotit mund të mos e mendojnë për çdo radhë, mund të mos dinë të përthyhen më dysh me rënkim e pendesë për gabimet që bëjnë, por, megjithëkëtë, kurrsesi nuk është e drejtë të thuhet se në besim dhe drejtim nuk janë me Zotin!

***

Megjithë këto, po qe se secili prej individëve që shërbejnë brenda një ekipi, ngrihet ta përfaqësojë personalisht dhe në mënyrë të pavarur fushën ku shërben dhe, pastaj, po qe se edhe të tjerët, duke e parë atë, mbërthehen nga dëshira për t'u dukur në fushat e veta, disiplina e grupit prishet, çdo gjë kthehet përmbys dhe shkohet me shpejtësi drejt anarkisë. Më pas, në çdo pjesë të bashkësisë u hapet rrugë lëvizjeve të veçuara për llogari të egoizmit të personave, koka ngatërrohet me këmbët e këmbët, me kokën dhe autoriteti qëndror shembet e mbaron.

***

Kur figurat e suksesshme brenda një qeverie, elementët aktivë në trup të shtetit, shpirtrat dinamikë dhe ngadhnjyes brenda një institucioni kërkojnë pjesën e luanit sipas kapaciteteve dhe sukseseve personale, qeveria paralizohet, shteti shembet, institucioni kthehet në një monstër njëqindgojëshe. Qeveria ekziston me disiplinën e vet, shteti, me bazat dhe parimet e veta, ushtria, me bindjen, me respektimin e parimit të urdhrit dhe komandimit. Përpjekja për të pretenduar të kundërtën e kësaj do të thotë të bësh sikur s'di gjë për këta elementë jetësorë si garantë të qenies sonë gjer më sot.

***

Eh, sikur zemrat, duke u kënaqur me aq sa ç'u jep e ç'do t'u japë Krijuesi i Lartë, të kërkonin, në çdo vatër, pëlqimin e Tij! Mirëpo duket se një sërë zemrash egoiste që u kanë kthyer shpinën rrezeve ndriçuese të diellit duke u kënaqur me dritën e amullt të fenerit që mbajnë në dorë, do të vazhdojnë edhe ca kohë të mos i korrigjojnë shikimet e tyre miope, për çka edhe nuk do të mund ta gjejnë derën e ndriçimit!..

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.