Pesë kohë namaz janë farz, detyrim. Kurse në polet ka gjashtë muaj natë e gjashtë muaj ditë. Si do të falet namaz atje?

Nuk e dimë në se ata që e bëjnë këtë pyetje, janë të sinqertë, apo jo. Sepse gjer tani ka ndodhur që këtë pyetje ta bëjnë vazhdimisht ateistë që mohojnë se feja Islame është një fe universale. Dhe është dashur të thuhet kjo: "Ju thoni se Islami është një fe universale, mirëpo a është e mundur të jetohet në disa vende kjo fe me të gjitha kërkesat e saj si agjërimi dhe namazi?"

Le të prononcohem menjëherë se asnjë sistem në botë, madje edhe sikur të jetë vetëm një sistem ekonomik, në asnjë mënyrë nuk mundet t'i afrohet nivelit universal të arritur nga Islami. Ja ku i keni sistemet me një mijë të meta të ditëve tona, të cilave njeriu e ka të vështirë t'u thotë "sisteme". Mes tyre ka edhe të tillë që janë revizionuar disa herë qysh në të gjallë të teoricienit të vet. Për shembull, sistemi ekonomik i Marksit, megjithëse qe rishikuar disa herë prej tij në bashkëpunim me Engelsin, duke bërë ndreqje në të, prapëseprapë, në të gjitha internacionalet pasuese, çdo radhë, i janë bërë retushe, rregullime dhe është futur në një kallëp të ri.

Kjo specifikë, ashtu siç paraqitet e tillë në ditët tona në çdo sistem ekonomik, bie në sy edhe në të gjitha llojet e sistemeve të të gjitha kohrave si një e metë e natyrshme dhe defekt njerëzor.

Le të shtoj menjëherë edhe këtë se unë s'kam ndërmend ta nënvleftësoj këtë çështje duke e rrumbullakosur përgjigjen vetëm me një përqasje të tillë. Mirëpo ç'e do se, për shkak se aftësia dhe natyra e kundërshtarëve tanë është dialektika, domethënë grindja, edhe neve na duhet ta ulim veten përkohësisht e të bëhemi si fëmijë...

E dyta, sa përqind e popullsisë së botës jeton në vende të tilla që dikush kapet pas situatave të posaçme të tyre e kritikon një fe universale? Po, sa përqind e njerëzimit jeton në ato vende të akujve e të errësirës? Ndoshta as një për milion. E, në qoftë kështu, si mund të konsiderohet e sinqertë dhe me karakter shkencor përpjekja për të prodhuar lëkundje e dyshime duke lënë mënjanë gjithë globin e njerëzimin e duke i treguar si argument përjashtues të ligjeve në fuqi situatat e katër-pesë vetëve të mjerë të paqytetëruar?

E treta, a mos vallë ka muslimanë në pole që tregohet kaq shqetësim për çështjen e namazit të tyre dhe pyetet se si do t'i falin namazet njerëzit që jetojnë në pole? Po qe se një ditë njerëzimi vendoset në polet dhe njerëzit vijnë e pyesin se si do të kryhen adhurimet, atëherë edhe merr kuptim parashtrimi i një pyetjeje të tillë. Ndryshe, tani për tani, një pyetje të tillë do ta quajmë thjesht qëllim për të hedhur dyshim mbi zemrat e njerëzve të pafajshëm. Kur bisedohet me materialistët, gjuha nis të bëjë dialektikë edhe në se zemra s'e do një gjë të tillë. Qofshin të falur!

Dhe tani le të parashtrojmë shkurt se ç'thotë Islami për këtë çështje. Eshtë e padyshimtë që Islami, i cili s'e ka lënë zbuluar asnjë pikë, as këtë specifikë s'e ka nënvleftësuar. Po, kjo specifikë është sqaruar qysh në shekullin e parë të Islamit me rastin e një ngjarjeje. Në veprën "Sahih" të Buhariut e në "Musned"-in e Ahmed b. Hanbeliut përshkruhet një bisedë e zhvilluar mes Profetit (a.s.) dhe pasuesve. Profeti thotë: "Kur braktiset feja, Dexhali del". Dhe vazhdon: "Ai do të dalë nga lindja dhe do ta përshkojë botën nga kreu në fund për dyzet ditë. Një ditë e tij është sa një vit i juaji. Ka edhe një lloj dite sa një muaj i juaji. Një ditë tjetër e tij është sa një javë e juaja, kurse ditët e tjera i ka si ditët tuaja." Pasuesit e pyesin: "Në atë ditën e tij që është sa një vit, a mjafton namazi i një dite? " Dhe Profeti u përgjigjet: "Llogariteni dhe gjejeni!" Domethënë kërkon t'u thotë që muajt dhe javët që janë një ditë e natë e plotë, t'i pjesëtojnë për ditët njëzetekatërorëshe dhe ashtu t'i kryejnë adhurimet.

Pasi çështja ka kaluar në dorë të juristëve, është trajtuar shkencërisht, gjë që e gjejmë të plotë në librat e juristëve shafiitë dhe hanefitë, dhe është sjellë në një nivel të kuptueshëm për këdo.

Kjo çështje trajtohet në kuadrin e kohëve (astronomike - përkth.) si shkaqe të namazeve. Ne do të prekim vetëm pjesën që ka lidhje me çështjen tonë.

Kohët bëhen shkaqe për namaz. Kur nuk ekziston koha, edhe namazi nuk bëhet farz, detyrim. Për shembull, në se në një vend të caktuar nuk realizohet koha e jatsisë (pasdarkës), edhe namazi përkatës i jatsisë nuk bëhet detyrim. (Në ato raste kur agimi vjen pothuajse menjëherë pas perëndimit të diellit, pa u bërë natë. - përkth.) Kurse në ato vende ku bëhet natë ose ditë e vazhdueshme një pjesë e madhe e vitit, siç tregohet edhe në tregimin mbi Dexhalin, nata apo dita e gjatë pjesëtohet për gjatësinë e ditëve dhe netëve dhe faljet apo adhurimet e tjera bëhen sipas tyre. Me fjalë të tjera, duke i përpjesëtuar natën apo ditën ekzistuese duke përdorur edhe kalendarin e zonës më të afërt, ditën kryejmë adhurimet e ditës, kurse natën, adhurimet e natës. Krejt ashtu siç do të përpjestonim në mënyrë të natyrshme veprimet tona jetësore si gjumin dhe të ngrënët.

Po, ashtu siç do të përuleshim para ligjeve natyrore në vendet ku dielli nuk lind ose nuk perëndon për muaj të tërë, edhe në adhurimet si namazi, agjërimi dhe haxhi jemi të detyruar të respektojmë të njëjtin ritëm e të ruajmë të njëjtën harmoni si të jetës së përditshme.

Shkurtimisht mund të themi se Islami nuk e ka lënë pas dore as këtë specifikë dhe ka vënë parimin që në polet të përdoret kalendari kohor i pesë kohëve të zonës më të afërt.

Në këtë rast do të ishte me vend të sqarohej edhe diçka që duket si kontradiktë. Thamë më lart se koha bëhet shkak për namaz, ose ardhja e një kohe astronomike të caktuar lind detyrimin për një adhurim të caktuar. E thënë ndryshe, po s'u realizua koha përkatëse, nuk do të vërtetohet as domosdoshmëria e adhurimit përkatës. Por, ç'është e vërteta, edhe në se koha është treguar si shkak për namaz nga pikëpamja astronomike, shkaku i vërtetë dhe esencial i namazit është urdhri i Allahut. Për rrjedhojë, edhe në vendet ku nuk realizohet koha astronomike përkatëse, falja si "kadha" (aksident) brenda kohës së një namazi tjetër i namazit përkatës është një veprim logjik dhe i matur.

Të drejtën e kësaj pune Ai e di!

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.